Demokratët, vendim grupi për sulm personal ndaj Ramës
Për t’iu përgjigjur protestave të Partisë Socialiste, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zgjedhur strategjinë sulmin në bllok ndaj figurës së kryetarit të opozitës. Burime informacioni bënë të ditur se Grupi Parlamentar i PD-së ka marrë vendim politik që të gjithë deputetët të angazhohen në një sulm frontal ndaj Ramës. Akuza pa fund ndaj tij janë lexuar dhe po lexohen çdo ditë nga deputetët demokratë. Urdhri mësohet të jetë dhënë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Demokratët, në vend që të ofrojnë mundësi komunikimi për të zgjidhur ngërçin politik në të cilin është futur vendi, ofrojnë një gjuhë akuzash që nuk njeh kufij etike. Siparin e ngriti vetë kreu qeverisë, Berisha, pak ditë më parë, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku nuk ka hezituar të sulmojë Ramën me një fjalor të cilësuar të pamoralshëm për një kryeministër. Pas tij, deputetët demokratë kanë nisur të hartojnë fjalime të ngjashme, të cilat i lexojnë çdo ditë në media. Synimi i tyre është denigrimi moral i figurës së kreut të opozitës, në mënyrë që të ulë mbështetjen që Rama gëzon në elektorat.
Sulmi
Gjatë ditës së djeshme kanë vërshuar lumin e akuzave ndaj kreut të PS-së dy deputetë të tjerë të PD-së, Edi Paloka dhe Ridvan Bode. Në një konferencë për shtyp, Paloka sulmoi sërish kreun e PS-së dhe njëkohësisht të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për çështje që kanë të bëjnë me jetën e tij personale. Paloka theksoi se mizore janë aktet që ka bërë Rama, dhe jo denoncimi i tyre. Sipas deputetit demokrat, ditën e djeshme, me deklaratën e tyre, deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së u kthyen në mjeranë të Edi Ramës. Edhe ministri i Financave Ridvan Bode ka hedhur akuza ndaj kreut të opozitës gjatë fjalës së mbajtur dje në një takim me strukturat e PD-së së Pogradecit.
Beteja anti-Rama nisi më 23 nëntor, me një deklaratë të nënkryetarit të PD-së Astrit Patozi dhe u përshkallëzua një ditë më pas nga kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili me një grup deputetësh demokratë të qarkut Tiranë renditën një sërë akuzash ndaj kryetarit të Partisë Socialiste. Në adresë të liderit të PS-së, Edi Rama, akuzat erdhën në seri nga një grup deputetësh, si Edi Paloka, Mesila Doda, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha. Të kursyer në akuza ndaj një pjese të Grupit socialist, demokratët kanë "shpërthyer" me agresivitet dhe me doza të larta kritike ndaj Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Ilir Gjonit dhe Ditmir Bushatit. Kryeministri e quajti në Grupin e PD-së si kompleks personal qëndrimin e Ramës dhe eksponentëve të Partisë Socialiste që sulmojnë familjen e tij. Në shenjë hakmarrjeje, kryeministri Berisha mësohet se ka urdhëruar "ushtrinë" e tij prej 67 deputetësh t‘i hidhen në sulm personal kryetarit të PS-së. "Do t‘u shkulim një nga një dhëmbët dhe pastaj do fillojmë me dhëmballët", - u shpreh kryeministri Berisha. Pas kësaj deklarate demokratët i servirin njeriut më të pushtetshëm në Partinë Socialiste një lumë akuzash, duke u fokusuar tek e kaluara e tij. Grupi Parlamentar i PD-së ka përcaktuar grafikun e betejës politike në vazhdën e akuzave që do të lëshojnë në adresë të Edi Ramës dhe familjes së tij. Çdo ditë do të ketë një deputet të ri me akuza të vjetra përballë Ramës, deri në përfundim të protestave të PS-së.
30 Nentor 2009