Krerët e shtetit festojnë bashkë Pavarësinë dhe Çlirimin më 28 Nëntor
Eljona Ballhysa
Politika shqiptare e ka festuar sërish e ndarë festën kombëtare të ngritjes së flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë së vendit. Të djathtët vazhdojnë traditën e tyre duke i festuar bashkë 28 dhe 29 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit të vendit, ndryshe nga socialistët. Dje ka festuar i ndarë edhe kabineti qeveritar për shkak se zëvendëskryeministri Meta, Ditën e Çlirimit e feston më 29 Nëntor, ndryshe nga kreu i qeverisë Berisha. Gjatë ditës së djeshme të tre krerët e shtetit, presidenti Topi, kryetarja e Kuvendit Topalli dhe kryeministri Berisha kanë bërë homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri”, ku kanë vendosur kurora me lule dhe kanë uruar shqiptarët për festën kombëtare. Ndërkohë që Berisha ka gjetur rastin të theksojë edhe njëherë rëndësinë e festës së 8 dhjetorit, ditës së Lëvizjes Studentore për të cilën PD-ja po përgatit një axhendë me aktivitete festive.
Urimet
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje kujtimin dhe veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve që punuan, luftuan dhe dhanë edhe jetën në shërbim të Shqipërisë. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, kryetari i shtetit vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Presidenti Topi e cilësoi Ditën e Flamurit një ditë të veçantë për të gjithë shqiptarët duke uruar gëzuar. “Sot kemi rastin që të rikthejmë në memorien tonë më shumë se kurrë veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve, patriotëve, të cilët bënë të mundur që të luftohej pa e ndërprerë asnjë moment aktivitetin e tyre, për mbijetesën e shtetit shqiptar, për identitetin e tij dhe kuptohet, pas kaq vitesh, ne kemi një Shqipëri jo vetëm me një identitet të qartë, por një vend anëtar të NATO-s dhe së shpejti një vend të Bashkimit Europian. Besoj që kjo është një ditë që na lejon që t’i rikthehemi së kaluarës, por më shumë t’i kthehemi së ardhmes sonë”, - është shprehur Topi. Kreu i shtetit shqiptar bëri dje vizita në familjet e dëshmorëve Margarita e Kristaq Tutulani dhe Myslym Keta.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri dje homazhe dhe vendosi kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve. Topalli, gjatë ditës së djeshme, u takua me familjarë dhe të afërm të të rënëve për pavarësi, duke shprehur bashkë me ta kënaqësinë se ky 28 nëntor e gjen Shqipërinë në një vit historik, anëtarësimi në NATO dhe pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Kryeministri Berisha nderoi dje kujtimin dhe veprën e martirëve të kombit dhe gjithë patriotëve shqiptarë. Berisha shprehu nderimin më të madh për të gjithë të rënët, duke vlerësuar se 28 Nëntori është ditëlindja e kombit, është dita e nderimit më të madh për Ismail Qemalin dhe burrat e mëdhenj të kombit, që themeluan Shqipërinë e pavarur, pas përpjekjesh të mëdha dhjetëravjeçare, në vitin 1912, në Vlorë. “Sot është dita e nderimit të madh dhe përuljes me nderimin më të madh ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti, të kryengritjeve gjigante të Kosovës, të cilat tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit dhe bënë të mundur pavarësisë e Shqipërisë”, - tha kryeministri.
Kryeministri theksoi më tej se asgjë nuk mund të errësojë këtë faqe të ndritur të historisë. “Ata që shkelmuan idealet e tyre dhe vendosën në Shqipërinë e pasluftës regjimin më barbar që kohërat kanë njohur, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë, ndërsa luftëtarët e lirisë, shokët e shoqet e tyre që u martirizuan në luftë, janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë, për sakrificën dhe kontributin e tyre”, - vijoi ai. Gjithashtu, kryeministri nënvizoi se shqiptarët kremtojnë Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit në prag të 8 dhjetorit. “8 dhjetori ishte dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që ne të rifitojmë lirinë, dinjitetin, dita që shembi Murin e Berlinit në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer. Zoti e bekoftë flamurin dhe kombin tonë”, - u shpreh kryeministri Berisha.
30 Nentor 2009