Rama dhe Meta festojnë në Vlorë, por shmangin takimin mes tyre
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, kanë zgjedhur qytetin e Vlorës për të festuar 28 Nëntorin, si ditën e shpalljes së pavarësisë. Si Rama, ashtu edhe Meta, duke shkuar në Vlorë, kanë lënë të kuptohet se ndryshe nga qeveria, për ta, festa e çlirimit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore ka qenë dhe mbetet data 29 Nëntor. Megjithatë dy ish-aleatët kanë shmangur takimin mes tyre, por edhe gjestin e shkëmbimit të duarve. Ftohtësia mes Ramës dhe Metës është dukur qartë, edhe gjatë momentit të vendosjes së kurorave në varrin e Ismail Qemalit.
Rama
Menjëherë sapo ka mbërritur në qytetin e Vlorës, Rama është takuar në sheshin kryesor të këtij qyteti me mjaft banorë, të cilët e kanë përshëndetur ngrohtësisht. Madje në drejtim të Ramës nuk kanë munguar ovacionet dhe inkurajimet. Nga sheshi ku u shpall pavarësia në vitin 1912, kryesocialisti ka dërguar urimin për të gjithë shqiptarët për këtë datë të shënuar. “Dua t’u uroj të gjithë qytetarët e Vlorës, të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, të gjitha familjeve të Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë: Gëzuar 28 Nëntorin! Gëzuar festën e lavdishme të Flamurit dhe përvjetorin e paharrueshëm të pavarësisë së Shqipërisë e shqiptarëve, si edhe gurin e themelit të shtetit shqiptar”, - tha Edi Rama. Më pas Rama është drejtuar në vendin ku prehet themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, ku i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka vendosur kurora me lule. Më tej, kryesocialisti së bashku me Gjikën dhe deputetët socialistë të qarkut të Vlorës, Eltar Deda dhe Fatmir Toçi, kanë dhënë një konferencë për shtyp. Rama u shpreh se festa e pavarësisë e gjen Shqipërinë në një moment delikat për demokracinë. "E vërteta është se 28 Nëntori i këtij viti na gjen në një moment jashtëzakonisht delikat për demokracinë. Na gjen në kohë dramatike për shtetin e së drejtës, na gjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare kërcënohet nga falimentimi. Na gjen në një moment ku opozita është jashtë Parlamentit dhe Parlamenti jashtë binarëve të Kushtetutës dhe ligjit pasi u shkelën të drejtat dhe liritë e votës së lirë", - u shpreh Rama. Ndërkohë, gazetarët e kanë pyetur edhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili, në nderimet për këtë ditë të shënuar, ishte përkrah Edi Ramës. Duke ironizuar gafën e ministrit të Kulturës për eshtrat e Ismail Qemalit, Gjika u shpreh: "Jam menduar gjatë se me cilin nga përfaqësuesit e shtetit të nderoj këtë ditë, por duke menduar se ata nuk e dinë ku është varri i Ismail Qemalit, nuk e pata të vështirë të zgjedh".
Meta
Ndryshe nga kryeministri Berisha, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka vizituar Vlorën për të festuar Ditën e Pavarësisë. Pasi është takuar me mjaft banorë të qytetit të Vlorës, Meta, i shoqëruar nga drejtues të LSI-së, ka zhvilluar homazhe në vendin ku prehet Ismail Qemali. Më pas ai ka dhënë një prononcim për mediat. Meta ka shpjeguar se LSI-ja vazhdon të respektojë 28 Nëntorin si festën e pavarësisë dhe 29 Nëntorin si festën e çlirimit. “Sot unë respektoj sakrificën shqiptare për pavarësi dhe nesër do të nderoj veteranët që sollën çlirimin e vendit", - tha Meta. Ndërkaq, zëvendëskryeministri u shpreh se 28 Nëntori e gjen Shqipërinë me shumë progres dhe arritje. "Është një ditë, e cila na bën të ndihemi krenarë për sakrificat e jashtëzakonshme për të krijuar shtetin shqiptar", - u shpreh Meta. “28 Nëntori e gjen Shqipërinë më me shumë arritje se një vit më parë, pasi sot jemi anëtar të NATO-s dhe po bëhen të gjitha përgatitjet për të hyrë në Bashkimin Europian”, - u shpreh ai.
30 Nentor 2009