Deputetët e rinj të PS-së: Gjuha e Berishës dhe e Topallit, e papajtueshme
Gjuhës së ashpër të përdorur nga kryeministri Berisha dhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në drejtim të kryetarit të PS-së, selia rozë i është kundërpërgjigjur me anë të deklaratave të njëpasnjëshme për shtyp të dy deputetëve të sapozgjedhur. Nga selia qendrore e Partisë Socialiste, dy drejtuesve të lartë të maxhorancës u janë kundërvënë me deklarata, deputeti i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani dhe deputetja e qarkut të Tiranës, Eglantina Gjermeni. Dogjani, i cili është zgjedhur deputet në vendlindjen e kryeministrit, tha se me gjuhën e dhunshme dhe akuzat banale, Berisha ka turpëruar banorët e Tropojës, Kukësit dhe Hasit. Ndërkaq, Gjermeni, e cila përpara se të zgjidhej deputete, ka qenë një veprimtare e suksesshme në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave, e cilësoi të turpshme mbrojtjen që kryetarja e Kuvendit i bën fjalorit dhe akuzave që cenojnë gruan shqiptare.
Dogjani
Deputeti socialist i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani, tha se gjuha e urrejtjes e përdorur nga Berisha i ka turpëruar gjithë shqiptarët, por në veçanti banorët e Tropojës, të Kukësit dhe Hasit. “Sali Berisha i ka turpëruar shqiptarët. Gjuha e urrejtjes që Sali Berisha përdori, nuk është gjuha e shqiptarëve. Turpet që dëgjuam të dilnin nga goja e Sali Berishës nuk përfaqësojnë kulturën e shqiptarëve, as zakonet e malësorëve, as traditën veriore, aq më keq kur nga goja e tij dëgjuam pikërisht në ditën kur flitej për dhunën ndaj grave, të dhunonte nënat dhe motrat shqiptare nga foltorja e Parlamentit. Sali Berisha, me gjuhën e urrejtjes që përdori në një ditë të paqes shpirtërore, i turpëroi të gjithë shqiptarët, por më shumë na turpëroi ne qytetarët e qarkut të Kukësit, malësorët e mençur të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, që gjuhën e urrejtjes e kanë refuzuar jetë e mot”, - tha Dogjani.
Gjermeni
Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, tha se mbrojtja që kryetarja e Kuvendit i ka bërë gjuhës së urrejtjes të përdorur nga Berisha të bën të kuptosh se angazhimi i saj për luftën kundër dhunës ndaj grave nuk është i vërtetë. “Zonja Topalli ka trazuar dje shpirtrat e të gjithave grave - jam e bindur se jo vetëm të grave - pavarësisht bindjeve politike, kur tha se e vetmja vërejtje që kishte për fjalimin e dhunshëm të kryeministrit ishte - që ai fjalim nuk qe mbajtur më parë. Kryeministri cenoi në një fjalim të vetëm gjyshe, nëna, gra, e vajza, duke i dhunuar ato pikërisht në Ditët Kundër Dhunës Gjinore, këto ditë që përkujtohen në mbarë botën duke e konsideruar këtë dhunë si shkelje të të drejtave të njeriut. Mjafton kaq për të kuptuar se angazhimi i kryeparlamentares kundër dhunës ndaj grave nuk është një përpjekje reale për ta parandaluar edhe luftuar këtë dhunë. Vetë dhuna e shprehur në institucione në vetvete është edhe një faktor që ndikon në nxitjen e dhunës në shoqërinë shqiptare. Shkelja e etikës parlamentare edhe përligjja e saj në emër ‘të tempullit të së vërtetës’ e njollosin këtë institucion edhe përligjin faktin se më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk e gjejnë veten të përfaqësuar aty”, - u shpreh Gjermeni.
30 Nentor 2009