E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratizimi s’mund ta shpëtojë Europën, nevojitet një centralizim i pushtetit

13-07-2011 / Nga Herfried Munkler (Der Spiegel)

Nga reagimet kontradiktore të revolucioneve në botën arabe tek trajtimi me mëdyshje i krizës së euro, sot është me të vërtetë patetike vëzhgimi i elitave politike europiane: ose insistojnë për të mos bërë absolutisht asgjë, ose kalojnë nga një gënjeshtër në një tjetër, duke shpresuar se kjo mund t’i lejojë atyre të rikuperojnë kontrollin e tregjeve. Pikërisht tani që elitat politike europiane kishin mundësinë për të siguruar provat e pretendimeve të tyre se Europa është një aktore kompetente në politikën globale dhe në mjedisin ekonomik, nuk kishin asgjë tjetër për të treguar përveçse përpjekjet e tyre të kota. Imazhi mediokër që Europa po i jep vetes është kryesisht rezultat i dobësisë të vetë elitave të saj.
Në dritën e këtij dështimi politik, nuk na habisin ftesat për demokratizimin e Europës. Papritur pretendohet se janë qytetarët që korrigjojnë gabimet e elitave. Atyre ju është kërkuar shpesh të paguajnë nga xhepat e tyre për problemet që kanë shkaktuar elitat, shumë mendojnë se qytetarët normalë duhet të kenë të drejtën që të shprehen më shumë rreth asaj se si dhe se kush do ta kontrollojë Europën. Për sa kjo mund të duket e arsyeshme, kjo nuk ka kuptim siç mund të duket në fillim. Edhe pas demokratizimit, elitat e Brukselit dhe të Strasburgut do të mbeten në detyrë. E vetmja alternativë e vërtetë e arritshme për qytetarët europianë do të jetë ajo e reagimit për dështimet e udhëheqësve në detyrë dhe duke zgjedhur në vend të tyre opozitarët. Megjithatë, mbetet për të dëshmuar nëse kjo mund të shërbejë për diçka.
Europa ka qenë një projekt elitar që prej fillimit, por me kusht që procesi i demokratizimit do të bëhet që me rastin e parë. Nuk është për t’u habitur nëse përpjekjeve sporadike për të vendosur sa më shumë demokraci në Europë, u mungonte iniciativa. Një element tjetër që kontribuon në këtë situatë është mungesa relative e besimit midis zgjedhësve: zgjedhjet e parlamentit europian – që është zgjedhur direkt nga europianët që nga fundi i viteve 70 – kanë bërë pak për ta zbutur këtë skepticizëm. Normalisht norma e votuesve është e ulët dhe kush voton tregon një preferencë të spikatur për populistët. Populli europian nuk ka qenë kurrë dhe akoma nuk është një popull europian.
Mbështetësit e demokratizimit përgjigjen që një proces i ngjashëm është e vetmja rrugë për t’u ndjekur për t’i dhënë jetë një populli europian. Si parim kjo mund të jetë edhe e vërtetë, por ky proces kërkon ekzistencën e kushteve socio-ekonomike dhe politiko-kulturore që aktualisht nuk ekzistojnë siç tregon mosbesimi në rritje në mesin e europianëve gjatë krizës së euros. “Demokratizuesit” forcojnë forcat centrifugale në Europë. Pavarësisht të gjithë gabimeve të bëra dhe të gjitha paaftësive të tyre, janë elitat ato që e mbajnë Europën të bashkuar. Në vend që të mendohet për demokratizimin, a nuk duhet të gjejmë mënyrën për të përmirësuar rezultatet e elitave? Fakti që një vend si Greqia, pesha ekonomike e së cilës është 2-2.5 % e asaj së gjithë zonës së euros, mund të rrezikojë të gjithë ekonominë europiane dhe tërheqja e monedhës së vetme drejt greminës tregon gabimet e projektimeve të kushtetutës politike të BE-së. Shembuj të tillë janë makinacionet mashtruese të grekëve gjatë fazës së hyrjes në zonën e euros, mungesa administrative e Athinës (në Greqi nuk ekziston asnjë zyrë e regjistrimit të kadastrës në nivel kombëtar) dhe mungesa e disiplinës dhe e angazhimit në disa sektorë të popullsisë greke. Problemi i vërtetë është se të gjitha këto problematika u vunë re para dhjetë vjetësh, por nuk ishte arritur në konkluzionet e nevojshme.
Europa u konsiderua iniciativa e suksesit, që i nevojitej mirëmbajtje e ulët dhe do të kishte qenë në gjendje të mbante grekët nën kontroll. Në vend që t’i kushtohej vëmendje gjërave të rëndësishme, u bë një debat mbi identitetin fetar e kulturor, debat që nuk lejoi pranimin e turqve dhe në të njëjtën kohë lejoi grekët, bullgarët dhe rumunët të hynin në BE. Elitat duhet të bëjnë gjithnjë pyetjet e duhura, por elitat europiane nuk e plotësojnë këtë kërkesë.
Shembull tjetër falimentimi është ideja se futja e euros jo vetëm që do të krijonte një treg më të madh se ai amerikan, por edhe një valutë të dytë për rezervat botërore, menjëherë pas dollarit. Konkluzioni i kësaj ideje – nevoja për një agjenci europiane të vlerësimit të kredisë që mund të jetë si kundërpeshë për SHBA-në – u injorua tërësisht. Europianët ishin të vendosur të sfidonin mbizotërimin e dollarit, por e lanë euron pa mbrojtje, duke pasur parasysh se agjencitë e vlerësimit të SHBA-së mund të identifikojnë lidhjet më të dobëta në zinxhirin e zonës së euros dhe të nisin sulmet e tyre.
Vetëm tani europianët po marrin seriozisht në konsideratë idenë e një agjencie vlerësimi. I vetmi shpjegim i mundshëm për këtë gabim strategjik është se elitat fillojnë ta shohin veten si administratorë të mirëqenies dhe kanë harruar luftën strategjike për pushtet e influencë. Gjithashtu, është e mundur që elitat europiane kanë qenë viktima të justifikimeve që u kanë thënë popujve të tyre për të legjitimuar të gjithë procesin. Ato janë konsideruar njëlloj më një gjigant të mirë dhe jo aktorë politikë që duhet të luftojnë për interesat e veta. Në politikë ngatërrimi i legjitimitetit dhe i strategjisë është një gabim i pafalshëm.
Qendra e dobët – Shembujt e gabimeve të rënda të elitave në nivel europian janë të shumtë. Megjithatë, pyetja vendimtare është të kuptosh se vetë elitat mund të përmirësojnë këto dështime dhe se përpjekja për t’i luftuar me një proces demokratizimi të forcuar do të çonte vetëm në një shpërbërje të Europës. Në pozicionin natyral, demokratizimi do të përforconte kapacitetet e aktorëve armiqësorë të Europës dhe do të rriste ndjeshëm numrin e atyre që në Bruksel ushtrojnë të drejtën e tyre të vetos. Nuk ka gjasa që në Europë të vijnë në pushtet elita më kompetente ose ato ekzistueset të bëjnë më pak gabime, janë më vendimtare dhe çojnë përpara interesat europianë me aftësi më të madhe, të paktën derisa të ristrukturohet dhe të reformohet rrënjësisht konteksti i përgjithshëm në të cilin veprojnë – me terma të tjerë kushtetua europiane. Kriza aktuale ndoshta nuk do të jetë një kusht ideal për të vazhduar me demokratizimin, por sigurisht është rasti i duhur për të ndryshuar traktatin e Lisbonës. Në të shkuarën thuhej se për ecurinë e Europës ishte vendimtare forca e boshtit Paris-Berlin. Tani, barra që qëndron në këtë bosht është bërë shumë e vështirë për t’u mbajtur.
Pritet që gjermanët do të ushtrojnë një udhëheqje më të madhe, por do të hasin në opozitë të madhe. Në Europë, periferia ka një pushtet të madh, ndërsa qendra ka shumë pak. Derisa gjendja të rrijë e pa lëvizur BE-ja dhe euro nuk do të dalin nga kriza. Një ri-shpërndarje radikale e fuqisë politike në Europë mund të jetë e vështirë, por kjo se ndryshon faktin se është padyshim themelore.
Para se BE-ja të zgjerohej në lindje, ishte zhvilluar një debat mbi të ardhmen e zhvillimit të Bashkimit Europian, të bazuar në alternativën e “thellimit apo të zgjerimit”. Çështja reale ishte të vendosej se qendra duhet të ishte e fortë për të administruar një periferi gjithnjë e më në rritje. Tani është periferia që po fiton mbi qendrën, që dikton si axhendën politike, si ritmin e vendimmarrjes së saj. Edhe nëse Europa do të dalë nga kriza e euros dhe nga rënia e Greqisë, ky problem nuk do të zhduket. Kjo lloj krize mund të përsëritet në çdo moment. Një falimentim kombëtar grek, pak a shumë i rregullt, do të paraqiste thjesht një hap të vogël përpara për të shpëtuar euron. Ndërsa një hap i vendosur përpara, do të çonte në një rindërtim politik të Europës, në të cilin procesi i demokratizimit është një opsion konkret dhe jo një kërcënim për shpërbërjen e BE-së.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›