Kastriot Islami: “Rama t’ia dorëzojë zyrtarisht bashkinë Lulzim Bashës”

Deputeti socialist Kastriot Islami i bën thirrje Edi Ramës të njohë rezultatin zgjedhor të Tiranës si dhe t’i dorëzojë bashkinë Lulzim Bashës. Islami analizoi rezultatin e PS-së në Tiranë, duke theksuar se opozita humbi thuajse gjithçka nga ato që kishte fituar në shkurt të 2007-ës.
“Padyshim që PS humbi në zgjedhjet e 8 majit. Jo pak por ka humbur këshillin bashkiak. Ka humbur 7 minibashki ndërsa ka fituar vetëm 4. Vetëm në Tiranë koalicioni i PS-së është 20 mijë vota disa-vantazh ndaj atij të të djathtëve të Partisë Demokratike. Nëse e majta do të ishte e bashkuar padyshim që mund ta fitonte Tiranën, pasi vetëm LSI ka marrë në Tiranë plot 19 700 vota. Pra, me humbjen e LSI-së, Edi Rama i riskoi vetes edhe humbjen e pushtetit në bashkinë e kryeqytetit. PS në Tiranë praktikisht i ka humbur të gjithë elementët e saj. Përgjegjësi kryesor për humbjen e PS është Edi Rama. Ka humbur në Tiranë, por edhe në shkallë kombëtare rezultati nuk është në favor të tij”, deklaroi Islami, duke i kërkuar kryesocialistit reflektim për rezultatin e Tiranës.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste dhe njëherazi deputeti i njohur i saj, Kastriot Islami, s’lë pa përmendur dështimin e socialistëve në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës.
Sipas tij, edhe për këtë garë elektorale përgjegjës është Edi Rama, i cili edhe pse iu paraqit rasti refuzoi të ishte pjesë e listës së deputetëve.
“Edi Rama duhet të ishte në krye të listës për zgjedhjet e përgjithshme. Iu paraqit rasti, por e refuzoi. Nëse Rama kishte ardhur në PS për t’u bërë lider i opozitës, duhet ta kishte llogaritur që në zgjedhjet vendore të 2007-ës se pas 2 vitesh do vinë zgjedhjet për Kuvendin. Kësisoj, Edi Rama donte me çdo kusht të fitonte zgjedhjet dhe të bëhej kryeministër, por nuk donte të ishte në listat e deputetëve. Prandaj, të thuash se ke fituar elektoratin, është naive dhe qesharake, kur ke humbur betejën thuajse në çdo skaj të saj. Konkluzioni është se e majta e përçarë vërtetohet për herë të tretë se nuk është e suksesshme. Kjo problematikë është vërtetuar në 2005, 2007-ën dhe 2009-ën”, deklaroi më tej deputeti Islami.