E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendimi i KQZ-së, i drejtë - ankimimi i PS-së ishte jashtë afateve ligjore”

13-07-2011 / Gazeta 55

Kolegji zbardh vendimin e 8 korrikut, që la në fuqi Bashën kryebashkiak

Kolegji Zgjedhor ka zbardhur dje vendimin e tij të datës 8 korrik, me anë të të cilit rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve vendore në Tiranë. Ky vendim me anë të të cilit Kolegji Zgjedhor la në fuqi rezultatin e nxjerrë nga KQZ për Tiranën, automatikisht shpalli kandidatin e Aleancës për Qytetarin Lulzim Basha, fitues të garës për kryetar bashkie në kryeqytet.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i datës 8 korrik 2011 me firmat e relatores Sashenka Jonuzi dhe 4 gjyqtarëve të tjerë, është i formës së prerë, përfundimtar dhe ndaj tij nuk mund të ketë më asnjë ankimim.
Ky vendim erdhi 2 muaj pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit, kohë kur Partia Socialiste dhe kandidati i saj për bashkinë e Tiranës, Edi Rama u përpoqën me të gjitha format të zvarritnin procesin e shpalljes së rezultatit për kryetar bashkie, duke iu drejtuar 3 herë me kërkesa ankimore Kolegjit Zgjedhor.
Dy javë më parë ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve të Tiranës si dhe rrëzimin e vendimit që shpallte kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të bashkisë së Tiranës me 93 vota më shumë. KQZ vendosi të mos marrë në shqyrtim ankimimin e Partisë Socialiste, me pretendimin se ishte jashtë afateve ligjore. Në kërkesën ankimore të opozitës, selia rozë kërkonte pavlefshmërinë e 284 qendrave të votimit. Por sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe relatori i kësaj çështje në institucionin qendror të zgjedhjeve, ajo që ishte e pavlefshme, ishte vetë kërkesa ankimore e PS-së.
“Ajo rrëzohet se ka kaluar afati 3-ditor”, tha ai.
Duke shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga ana e tij, përmbushi detyrën e një KZAZ-je. Të njëjtin mendim shprehën edhe ekspertët ligjorë, duke argumentuar se PS nuk mund të kërkonte pavlefshmëri të zgjedhjeve, pasi afati ligjor për të bërë një kërkesë të tillë kishte përfunduar. Kësisoj, do të ishte vendimi i Kolegjit Zgjedhor të Apelit më 8 korrik që do t’i jepte fund çdo hamendësimi të socialistëve për anulim të zgjedhjeve të Tiranës, duke legjitimuar fitoren e Lulzim Bashës me 93 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›