E Diel, 1 Nëntor 2026

Demollari: Nuk ka rezultate të pamundura

demollari 2Ergest Haxhaj

Tensioni po rritet. Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, që të gjithë janë me mendje dhe me zemër në Qemal Stafa, aty ku Shqipëria do të përpiqet që të thyejë një tabu, e të jetë një hap më pranë kualifikimit të ëndërruar për në Botëror. Të premten, përballë do të jetë sërish Norvegjia, dhe detyra për kuqezinjtë është e vështirë, pavarësisht bindjes së mbështetësve, për një rezultat pozitiv të skuadrës.

Të tensionuar duken edhe ish-lojtarët e ekipit kombëtar. Sulejman Demollari, padyshim një prej sulmuesve më të mirë të kombëtares kuqezi, flet për Gazeta e Sportit, në lidhje me këtë ndeshje e cila pritet të jetë vendimtare në rrugën e skuadrës drejt Brazil 2014. Demollari ka besim te kjo skuadër e gjithashtu edhe te prurjet e reja që janë bashkuar së fundmi me Shqipërinë.

Kaçe, Gjasula, Basha apo dhe të tjerë, padiskutim janë lojtarë shumë të mirë dhe që do të kenë të ardhme, shprehet Demollari, I cili për pak kohë ka qenë edhe në drejtim të skuadrës kuqezi.  Trajneri De Biazi duhet të hedhë në fushë një skuadër të rreshtuar mirë përballë Norvegjisë.

Mendoj se duhet të markojmë një për një dhe të bëjmë maksimumin që të mos gabojmë, sidomos kur kundërshtarët mund të përdorin kundërsulmin. Në këtë ndeshje, për fatin tonë të keq nuk do të kemi në dispozicion, Canën, LIlën dhe Roshin, që të tre lojtarë që luajnë rregullisht në formacion.

Nuk duhet të harrojmë dhe Mehën, por këto janë gjëra për të cilat nuk mund të bëjmë asgjë. Dëmtimet, apo pezullimet janë pjesë e lojës. Sidoqoftë, në skuadër ka lojtarë të cilët do të përgjigjen mirë në momentin që do të zbresin në fushë. Shpresoj që gjërat gjatë grumbullimit të kenë shkuar mirë, pasi është e vështirë të inkuadrosh në një grup, lojtarë të cilët luajnë për herë të parë me fanellën e Shqipërisë, shprehet Demollari.

Cili do të jetë rezultati i ndeshjes? Sigurisht kjo është një përgjigje që do të donin ta kishin apo ta dinin shumë njerëz. Unë them se na mjafton të shënojmë një gol më shumë se kundërshtarët. Në këtë rast skuadra dhe trajneri do ta kenë kryer më së miri detyrën.

Ky është vetëm një parashikim, por në këtë moment prioritet për skuadrën dhe për trajnerin është që ti qëndrojnë larg euforisë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Na pret një ndeshje e vështirë, përballë një kundërshtari që nuk ka asgjë për të humbur. Bëjmë mirë që të mos harrojmë asnjë moment, se përballë gjejmë një skuadër më të mirë se tonën, vijon më tej Demollari.

Sipas ish-lojtarit të kombëtares, reparti i cili do të bëjë diferencën, sigurisht që do të jetë mesfusha. Rëndësi ka që mesfusha të funksionojë mirë. Duhet të vëmë në presion kundërshtarin dhe ti krijojmë mundësi sulmuesve tanë që të jenë pranë portës kundërshtare. Në rast se bëjmë një gjë të tillë do të kemi mundësi para portës kundërshtare dhe si rrjedhojë edhe mund të shënojmë. Dua të theksoj vetëm diçka.

Djemtë e kombëtares duhet të futen në këtë ndeshje me kokën lart duke pasur parasysh atë që kemi bërë deri tani. Megjithatë, këshilla ime është që ti qëndrojmë sa më larg euforisë. Ky është takimi i jetës, për ne, është një takim i vështirë, por në jetë nuk ka gjëra të pamundura. Që të gjithë besojmë te kjo fitore, përfundon ish-fantazisti i kombëtares kuqezi, Sulejman Demollari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›