Duka: Aspak frikë, por edhe pak fat!
Presidenti përballë vigjiljes
Njëshi i FSHF-së pak ditë nga përballja vendimtare thekson dhe është i bindur se të gjitha mundësitë janë për fitoren që duam të gjithë, por kërkon edhe që fati të jetë me shqiptarët!
Nuk kam frikë nga asgjë për këtë ndeshje, thjesht kam dëshirën e madhe për të FITUAR!,- thekson në këtë mënyrë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili, së bashku me skuadrën e tij, Komitetin, federatën, por së bashku edhe me të gjithë tifozët shqiptarë presin që nata e shtatë qershorit të lërë kundërshtarin norvegjez, po me 7 shtatë pikë në grup, të heqim qafe një rival nga gara dhe të shohim para.
Ai, Armando, është thuajse përditë atje, afër skuadrës kombëtare, afër ekipit, ndjek me shumë kujdes seancat stërvitore dhe tenton të perceptojë atë se çfarë kërkon të bëjë De Biazi, ose më saktë, çfarë mendon të gatuajë trajneri italian në menunë anti-Norvegji.
Mendjen e ka te ajo mbrëmje. Telefoni i bie thuajse pa pushim, gjatë gjithë kohës, këto ditë kryesisht me një refren: Robo, na duhet një biletë?. Një përkujdesje e Dukës karshi kombëtares kuqezi, deri në detajet më të vogla, por që gjithsesi, edhe në këtë gadishmëri, edhe në të tilla kushte, sërish ai, Armando kërkon edhe pak fat:
Më duhet tju them një gjë, që nuk mjafton vetëm përkushtimi dhe dëshira, por duhet edhe fat në këtë ndeshje. Dhe unë uroj shumë që fati të na ndihmojë kundër Norvegjisë, pasi të tjerat nuk na mungojnë për të arritur atë që duam të gjithë, FITORE,- vazhdon presidenti.
Nuk shpreh frikë, por natyrisht, pulsi nis të lëvizë ndryshe. Nuk është ndeshje finale, ose kthim plejofi, por një ndeshje e radhës grupi, e cila ka përkuar për fatin e mirë të jetë vendimtare. Në distance, Duka shpreh një respekt maksimal për kundërshtarin, është koshient për pozicionin dhe forcën e tij, por beson shumë dhe dëshiron që ajo e 7 qershorit të jetë nata PO për skuadrën kombëtare shqiptare.
E ndërkaq, ndryshe nga herët e tjera, tashmë pritet që këtë radhë në stadium (edhe për efekt fushate) të vërshojnë politikanët, kandidatët e sovranit, të gjithë ata që jo shpesh janë parë në të tilla ndeshje. Në fund të fundit, edhe ata kanë të drejtë të shohin ekipin e vendit të tyre, që drejtojnë dhe aspirojnë ta drejtojnë, aq më shumë në një moment të tillë vendimtar.
President Duka, gjithsesi në stadium të gjithë i sheh si tifozë të kësaj skuadre kombëtare: Shumë politikanë në stadium? Pavarësisht nga profesioni i tyre, unë mendoj që në stadium të gjithë janë tifozë. Janë afër skuadrës kuqezi kombëtare, janë pjesë e saj,- shton më tej presidenti. Duket si një ditë që nuk do të vijë, por ajo po afron.
Kundërshtarët do të zbresin nesër në Tiranë, në një kohë që në Tropikal, armata e De Biazit vazhdon stërvitjen. Shqiptarët janë tërbuar të gjithë për një biletë, aq sa kjo histori ka prodhuar edhe lajm, në çdo emitent televiziv. Tribuna është thuajse e mbyllur, e planifikuar, teksa stadiumi parashikohet të jetë rrafsh me tifozë dhe jo vetëm. President Duka vazhdon të besojë shumë dhe rezervon për në fund shprehjen që të gjithë presin, misionin e skuadrës së
De Biazit. Shqiptarët meritojnë fitore atë mbrëmje, por që për kreun e FSHF-ë, jo thjesht tre pikë, por shumë më tepër: Shqiptarët meritojnë Brazilin, por uroj që, të gjithë së bashku të arrijmë në këtë mision, në këtë rrugë,- përfundoi president Duka. Tashmë, gjithçka është gati. Federata, shteti dhe biznesi janë afër ekipit, moralisht dhe financiarisht.
Kanë premtuar premiot respektive, edhe pse trajner Dhe Biazi, para tyre kërkon zemrën në fushë për triumfin e madh. E premtja, por mbase, edhe vigjilja do të vazhdojë të shtojë konotacionin optimist tek të gjithë shqiptarët. Tani, ata të gjithë besojnë, dhe presin fitoren!
