E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vritesh për një biletë

biletari-qemalGjergj Vyshka

Vetëm një sportel me sipërfaqe dy metra i gjatë dhe dy metra i gjërë, njerëz që thuajse janë njëri mbi tjetrin dhe të tjerë që duan të dalin me biletat në dorë, por duke ulëritur: Hapuni…

E pazakontë pamja e djeshme pranë stadiumit kombëtar Qemal Stafa, në vendin e caktuar për shitjen e biletave të ndeshjes së përfaqësueses sonë me Norvegjinë, në mbrëmjen e së premtes. Një gjë është e qartë, të gjitha duan të jenë atë mbrëmje në stadium, me shpresën se do të shijojnë një tjetër fitore të kuqezinjve, ashtu sikurse më 22 mars në Oslo.

Madje janë përgatitur jo vetëm për sukses, po pse jo dhe për një hedhje të këmbës drejt Kampionatit Botëror Brazil 2014, që do të ishte historike për të gjithë ne. Por në kushtet kur për popullin e thjeshtë, për ata që vazhdojnë tu ngjiret zëri për këtë kombëtare e për këta djem, që herë pas here i japin kënaqësi jo vetëm shqiptarëve brenda 28 mijë kilometrave katror, por dhe trevës shqipfolëse të Kosovës, Maqedonisë, apo dhe gjithë atyre që vijnë nga shtete të tjera të Botës.

Mirëpo dje të duket sikur ishin kthyer kohët e radhëve të gjata për ushqime, teksa shihje atë grumbull njerëzish krahëpërkrahë për të marrë një biletë. Të tjerë të hipur në murin e njërës prej portave hyrëse në stadiumin kombëtar Qemal Stafa, atje ku i bie të jetë bileta 500 lekë të reja, por dhe për të zorr se mund të gjendet një e tillë.

Dhe njerëzit zihen me njëri-tjetrin për një biletë, rrijnë me orë të tëra për to, në kushtet kur në sportel janë vetëm 6500 bileta për njerëzit, pasi 10000 të tjera i kanë marrë ata që do të vijnë si VIP-a në këtë ndeshje. Madje nga ato bileta që kanë qenë për njerëzit mund të kenë përfituar dhe zyrat elektorale të hapura në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit në stadiumin kombëtar Qemal Stafa.

Diku Partia Socialiste e diku Partia Demokratike, të ndodhura fare pranë vendit ku shiten biletat, e duan dhe ata një të tillë. Dhe njerëzit vriten, lagen, djersiten e shahen me njëri-tjetrin. Sepse është vetëm një sportel.

Për hir të së vërtetës në të tilla kushte, të paktën 15 vjetët e fundit, nuk ka qenë as para Gjermanisë dhe Anglisë më 2001-in, as para Holandës më 2008-ën, as para Francës më 2011-ën, pasi ka pasur dhe sportele të tjera. Dhe bashkë me qeflinjtë e ndeshjeve të kombëtares dje janë shtyrë dhe ata që do ti marrin tufë biletat për ti nxjerrë që nesër në tregun e zi. Treg që do të jetë i vështirë për tu kontrolluar, edhe pse do të plasë përpara syve të Komisionit Qendror Zgjedhor.

E megjithatë, të vritesh për një biletë dikur kështu ka qenë në atë vend të biletave për derbet e zakonshme Tirana-Partizani, Dinamo-Partizani apo Dinamo-Tirana, apo dhe kur luanin ekipe si Vllaznia, Flamurtari e ndoshta dhe Lokomotiva. E jo vetëm kaq, por bashkë me biletën, mund të vije dhe bastin deri me ora dore dhe të mos fitojë kombëtarja, atëherë zhgënjimi do të jetë më shumë se sa i madh.

Ndaj, për hir të asaj që tifozët janë vrarë për një biletë, teksa kanë qëndruar me orë të tëra në radhë, duke shtypur njëri-tjetrin, kuqezinjtë duhet të bëhen copë në fushën e lojës, sepse këta tifozë, por dhe e gjithë Shqipëria e meriton një sukses tjetër nga kjo kombëtare.

400 mijë dollarë

është shumë e përllogaritur që do të mund të përfitohen nga shitja e biletave, kryesisht nga ato të tribunave kryesore, teksa rreth 750 janë me cmimin 5000 lekë, apo rreth 150 bileta me cmimin 8000 lekë. Sa i përket karshisë, çmimet e biletave janë të ndara në dy kategori, D2 kushton 3000 lekë të reja, kurse D1 e D3 janë me çmimin 2000 lekë. Ndërkohë që në tribunat pas porte, që do të thotë C dhe E, çmimi është 500 lekë të reja.

Batuta tifozësh

Kemi ardhur nga ora 07:00 e mëngjesit pranë sporteleve të biletave, u shtypëm nga njerëzit, u lagëm nga shiu, u poshtëruam nga rojet e sigurisë, por prapë dëshira dhe zemra për kombëtaren na bëri të durojmë. Në 13:00 sportelet u hapën, por përgjigja ishte: bileta ka vetëm për mbrapa porte!, vjen reagimi nga fan page e Albania Team

Pas 10 minutash sportelet u mbyllën sërish. Jemi përsëri këtu, duke u lagur në shi. Nëse nuk pajisemi me bileta do të sulmojmë FSHF-në. 10.000 bileta i kanë marrë partitë politike për fushatë. Kombëtarja nuk është fushatë, por është e tifozëve që lagen në shi dhe në breshër, që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Presheva e deri nga vendet më të largëta të botës, thotë një grup tifozësh nga Kosova

 

Kam ardhur nga Prizreni, sepse kam dashur që të jem pranë kësaj kombëtareje, jo vetëm sepse e dua flamurin dhe vendin tim, por se e kam ndjekur këtë ekip në cdo cep. Kam bërë kilometra, veçse qenka një tmerr i vërtetë për një biletë. Dhe këtë nuk e kuptoj. Do të më vinte keq, por të mos hyja në stadium, tha Mironi prej Prizrenit

 

Të them të drejtën nuk po dua ta marrë biletën në tregun e zi, sepse do të ishte shumë e turpshme, aq më shuam që do të jetë abuzive. Duhet të kishte sa më shumë sportele dhe jo të ngushtoheshin njerëzit, deri në mbytje për një biletë. Kjo sështë parë në asnjë vend të botës, thotë Jetoni nga Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›