Kopshtet,prindërit sherr për regjistrimin e fëmijëve
Dita e parë e regji-strimit të fëmijëve në kopshtet publike ka përfunduar në një kaos total. Të shtyra në radhë, sharje dhe përplasje me policinë që po përpiqej të zbuste gjakrat.
Me frikë se mos vendet e reja ziheshin deri në mesditë, prindërit nuk donin t’ia dinin për asgjë. Drejtoria Arsimore e kishte menduar si zgjidhje, përqendrimin e regjistrimeve në një pikë të vetme, por rezultati ishte një dështim total. “Kam që në mëngjes në radhë dhe s’po dimë kur do të dali fundi. Është viti i dytë që regjistroj tim bir në kopsht po si kësaj here nuk më kish ndodhur”, fliste e nervozuar njëra prej nënave. Të tjera bërtisnin e shtynin. Inspektorët e Drejtorisë Arsimore duke parë që situata u rrëshqiti nga duart thirrën forcat e Policisë së Shtetit, për t’u ardhur në ndihmë. Por edhe prania e tyre nuk i stepi aspak prindërit, të cilët me çdo kusht kërkonin regjistrimin e fëmijëve. “Kam lënë punën sot. Nuk e kuptoj pse duhet t’i bënim regjistrimet këtu, vitet e tjera i kemi bërë në drejtorinë e kopshtit. Nuk iki që këtu pa përfunduar këtë punë. S’kam ditë tjetër të lirë kur të vij. Ne kemi hallin tonë, këta thërrasin edhe policinë. T’i kishin menduar mirë gjërat”, shprehej njëra nga nënat. Radhët e gjata të prindërve duhet të përballoheshin vetëm nga një sportel. “Sot është dita e parë e regjistrimeve dhe nuk e prisnim që të kishte kaq fluks. Kjo, pasi afati i fundit është data 10 shtator. Por me sa duket numri i kufizuar i vendeve të reja për secilin kopsht i ka detyruar prindërit të nxitojnë”, sqaroi specialistja e Drejtorisë Arsimore në sportelin e regjistrimit. Fluksi më i madh i prindërve dje ishte nga zonat periferike të Tiranës, si Kombinati, Sauku, apo Lapraka. Ata nuk arrijnë të përballojnë ekonomikisht faturën e një kopshti privat. “Jam gjithë ditën në punë, s’kam ku ta lë vajzën. Rroga nuk më del ta çoj në kopsht privat, se aq marr, 20 mijë lekë. Po u mbaruan vendet i bie të lë punën e të rri në shpi të mbaj vajzën”, shpjegonte një tjetër nënë. Sipas udhëzimit të Drejtorisë Arsimore, në çdo kopsht publik maksimumi i pranimeve të reja do të jetë 30 fëmijë. Por duket se kërkesa është disa herë më e lartë. Vitet e tjera në kopshte ka pasur superngarkesë, pasi drejtuesit përgjithësisht nuk i kanë thënë jo prindërve hallexhinj. Në jo pak raste ata kanë sjellë dyshekë nga shtëpitë pasi shtretërit ishin mbaruar. Kjo panoramë të ofrohej, madje edhe në kopshtet publike në qendër të kryeqytetit. Këtë vit me rregullat e reja, pranimet do të jenë aq sa është kapaciteti i kopshteve. Për këtë arsye prindërit kanë preferuar të copëtohen në radhë për të siguruar një vend. Kostoja mujore e qëndrimit të fëmijës në kopsht është 3 mijë lekë në muaj. Tek privati tarifat arrijnë deri në 20 mijë lekë.