E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kthehuni në vend pas mbarimit të studimeve”

 

Kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë studentëve, që studiojnë jashtë vendit, që të rikthehen në Shqipëri pasi të diplomohen. Kreu i qeverisë ka shfrytëzuar një takim të rrjetit të studentëve në botë, organizuar në Tiranë, në kuadër të projektit “Rikthim dhe punësim”, për t’u kujtuar studentëve se qeveria është e angazhuar për të pasur në konsideratë të gjithë studentët, që kanë kryer studimet jashtë Shqipërisë. Duke folur para një auditori me studentë kreu i qeverisë u shpreh, “Edhe njëherë, ju përshëndes dhe shpreh kënaqësinë që keni ardhur në këtë takim dhe dua t’ju ftoj që pas përfundimit të studimeve të ktheheni në vend. Ftoj të gjitha institucionet, Departamentin e Administratës Publike, universitetet të jenë të hapura ndaj jush, sepse kjo është në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare”. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal në arritjet, që sipas tij janë shënuar gjatë tre viteve, që nga koha kur koalicioni i djathtë erdhi në pushtet. Drejtimet kryesore të renditura nga kreu i qeverisë ishin garantimi i sigurisë së qytetarëve, duke luftuar me vendosmëri kriminalitetin, nxitja e proceseve integruese, nënshkrimi i MSA-së, marrja e ftesës për NATO, si dhe puna e vazhdueshme për realizimin e reformave. Duke vënë theksin në rritjen ekonomike, kryeministri Berisha u shpreh se “tremujori i parë i këtij viti ishte i pari me rritje dyshifrore prej 10.5. Tashmë priten rezultatet e tremujorit të dytë, që padyshim do të jenë edhe më të suksesshme. Ne kemi si qëllim kryesor që Shqipëria të jetë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike. Janë bërë hapa shumë të rëndësishëm në drejtim të thithjes së investimeve, por potencialet e vendit tonë janë të jashtëzakonshme”. Një tjetër pikë ku kreu i qeverisë u ndal gjatë ishte dhe lufta kundër korrupsionit dhe parandalimi i fenomenit të ryshfetit. “Sërish ka korrupsion, por dëshiroj t’ju sjell në vëmendje disa shifra. Korrupsioni nuk është vetëm para, sigurisht, por korrupsioni është i lidhur më shumë se me çdo gjë tjetër me paranë. Për të luftuar korrupsionin ne kemi nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit, kemi ndaluar të gjitha prokurimet direkt, po vendosim taksën on line, në mënyrë që të mos ketë asnjë pagesë midis taksapaguesit dhe taksambledhësit”, theksoi Berisha. Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit AS@N, Edlira Cepani, vlerësoi angazhimin e qeverisë për të inkurajuar dhe motivuar studentët shqiptarë, që mbarojnë studimet jashtë vendit të kthehen dhe të kontribuojnë në Shqipëri, në fushat përkatëse ku ata diplomohen.                                a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›