E Diel, 1 Nëntor 2026

Demonstrata, Berisha: PS, miliona lekë për grupe të inkriminuara

Komenti për videon Meta-Prifti...

...Nëse dikush të tentojë të manipulojë prova për të nxitur qytetarët kundër tij, kjo është tipike skenar puçisti, sepse çdo dokument që ke duhet ta paraqesësh, por që montime, as për qytetarin e thjeshtë, as për kryeministrin, as për kryetarin e shtetit, nuk mund të bësh. Kjo nuk mund të hiqet.

Të gjitha palët kanë rënë dakord për këtë pjesë të hequr...

Jo zotëri, por kjo nuk e zgjidh problemin. Jemi para një përpjekje puçiste ndaj kryeministrit të vendit. Ky është akti më i rëndë në këto 20 vite. Më i rëndi.

Se është shkurtuar 33 sekonda?

Është manipulimi dhe jo shkurtimi...

Rama thotë se ju keni përgjegjësi si kryeministër, për një bisedë të bërë në zyrat e shtetit, mes një ish-ministri dhe zv.kryeministri?

Ai ka thënë që këtu është i implikuar Sali Berisha. Dhe e ka mbrojtur këtë. Ka dalë disa herë. Sa i përket segmenteve të tjera, unë kam vlerësuar shumë angazhimin e plotë të Prokurorisë shqiptare. Absolutisht kam besim të plotë. Prokuroria mendoj unë, duke kërkuar ekspertë të huaj ka dëshmuar vullnetin e saj të hekurt, për një vlerësim të plotë dhe të paanshëm. Ka bërë veprimin më të drejtë...E garantoj prokurorinë që çdo fond që i nevojitet shtesë, do ta ketë nga buxheti i shtetit.

Ky është një shpenzim shtesë. Nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, prokuroria do të mund të kërkojë të gjithë shpenzimet për këtë ekspertizë.

A ka një bisedë aferash mes Priftit dhe Metës?

Çfarë ka në atë video. Ka një regjistrim nga Prifti ndaj Metës. Nuk ka asnjë mëdyshje që ata dy burra janë në atë zyrë. Por për sa u përket pjesëve të tjera, nuk duhet të më shtyni mua, gjersa ajo është në dosjen e prokurorisë. Unë jam shprehur të nesërmen, që ka pjesë të tjera të manipuluara. Ka edhe një pjesë të pabotuar, ku manipulimi është akoma më i shëmtuar, ku emri i burrit është bërë emër gruaje dhe emri i gruas është bërë emër burri, dhe ku ka montim më skandaloz, por që është ruajtur, ose ishte ruajtur, për pjesën e dytë.

Atëherë, pse Meta dha dorëheqjen apo ia kërkuat juve?

Unë kam vlerësuar reagimin e tij të menjëhershëm për dorëzimin e imunitetit... Nuk ia kam kërkuar unë dorëheqjen. Jo, absolutisht jo. Ka qenë Meta, dy herë, në mënyrë të përsëritur dhe jo një herë.

Ai tha se nuk do të jepte dorëheqjen dhe të nesërmen e dha...

Ai është politikan.

Para se të vinte në emision, ju kishte thënë që do të jepte dorëheqjen?

Po, absolutisht.

Nëse biseda del e vërtetë, cila është përgjegjësia juaj politike?

Tani zotëri. Edhe njëherë, unë nuk është se nuk kam mendimet e mia...

Si ka ndodhur biseda për videon, në takimin me Priftin?

Nuk e kam marrë videon. Nuk isha në dijeni për përmbajtjen ...Unë i bëra të qartë. Të gjithë problemet zgjidhi me kryesinë tënde. Unë do zbatoj marrëveshjen. Unë i dhashë atij mundësinë që ta çonte ku të donte.

I thatë që ta çonte në prokurori?

Absolutisht. I thashë ta çonte ku të donte.

Nuk ishit në dijeni për brendinë e videos?

Nuk kam pasur asnjë interes.

Nëse video rezulton e vërtetë, mjafton dorëheqja e Metës?

Qeveritë kanë historitë e tyre. Ky koalicion ka arritjet më të mëdha në tërë historinë 20-vjeçare të qeverisjes në këtë vend. Unë them se çfarë thonë shqiptarët. Po i takoj çdo ditë. Ata ndihen më krenar se kurrë. Unë them këtë se, qytetarët shqiptarë ndihet sot më dinjitozë se kurrë në historinë e tyre, sepse lëvizin të lirë në Europë. Qytetarët shqiptarë ndihen të qetë se, ekonomia e vendit të tyre është me rritjen më të lartë ekonomike në Europë...se reformat në tërësinë e tyre janë absolutisht larg e asaj që ata meritojnë të jenë, por janë në përmirësim.

Përse dalin qytetarët në demonstratë, kur qenkan në ditët më të mira të tyre?

Opozita ka ftuar në demonstratë.

Qytetarët kanë ftuar opozitën.

Nëse Asambleja Parlamentare e PS-së është një organizim komunitar ... ai është komiteti qendror i PS-së dhe shpalli datën 21, si datë proteste dhe shpalli datën 21, thirrje për të rrëzuar qeverinë ... Ajo që unë dua t’ju them juve është se së pari, me gjithë problematikën këto 18 muaj, që ka ekzistuar mes mazhorancës dhe opozitës, i bëjnë nder shumë këtij vendi sepse nuk ke një anëtar opozite të lënduar, pavarësisht nga protestat dhe grevat e urisë, ndërkohë që ka pasur torturat më çnjerëzore ndaj bashkëpunëtorëve të mi, akuzat më monstruoze për krime kundër njerëzimit ndaj tyre. Ishte koha e qeverisjes së tyre. Pra çdo protestë, çdo e drejtë e cilitdo qytetar për të protestuar ku të dojë, do të respektohet dhe do të garantohet totalisht, por çdo përpjekje tjetër për të shndërruar protestën në një revoltë bllokmenësh do të marrë përgjigjen e merituar.

Ky është kërcënim?

Absolutisht jo.

Por çdo të thotë atëherë?

Ka tre ditë që eksponentë kryesore të opozitës kanë marrë kontakt me grupe të inkriminuara thellësisht.

Kjo është deklaratë shumë e fortë. Keni fakte?

Kjo është deklaratë e faktuar. Absolutisht. Ka tre ditë që bosët e SHPK-së kanë dorëzuar qindra milionë lekë dhe shpërndajnë lekë, nga 30 mijë, deri në 200 mijë lekë, në përputhje me porosinë. Çfarë u them unë këtyre qytetarëve? Merrni dyfishin. Por vepra të paligjshme mos kryeni.

Nuk të jep njeri kaq kollaj lekë z.Berisha

I kam këtu unë, në mesazhe...

Rama ka deklaruar se po eliminoni zërin e opozitës...

Nëse ka një person që ka respektuar dhe respekton opozitën në këtë vend, është Sali Berisha. Por nëse ka një njeri që ka defaktorizuar opozitën, është Edvin Rama, sepse lideri ka një detyrë. Sigurisht ka detyrë të menaxhojë, të drejtojë lëvizjen që ka prapa, por lideri është i detyruar të parashikojë në çdo rrethanë hapin tjetër, pas hapit që ndërmerr. Kjo është detyra kryesore e një lideri. Ti mund të shpallesh një moment, por je i detyruar të parashikosh, se po dështove si do dalësh. Dhe je i detyruar që ta peshosh mirë. Nëse tij e sheh që dështon, nuk duhet të ndërmarrësh një gjë të tillë. Këtu është z.Rama, ai që ka defaktorizuar opozitën me politikën e tij konstante të bllofeve. Të jesh i bindur, që për mua nuk kam kundërshtar më komfortabël, por për opozitën kjo është një fatkeqësi e madhe.

Ju thatë që ka lidhje me elementë kriminalë. Kjo është shumë e rëndë. Ku i bazoni këto. Ka dyshime?

Këto janë të faktuara me dokumente të pakundërshtueshme.... Qytetarët janë të lirë të protestojnë qetësisht, pa asnjë lloj kufizimi. Absolutisht çdo lloj elementi, i cili do të tentojë të mbajë bandën, do të marrë përgjigjen e bandës.

Çdo të thotë kjo?

Nëse ndokush mendon që erdhi koha që banda do dominojë mbi ligjin, ligji do të jetë shumë i fortë. Nuk mund të bëhet fjalë.

Në rast se nesër protestuesit apo qytetarët, si do që të quhen, do të tentojnë të hyjnë në institucione...

Unë jam i bindur që qytetarët nuk tentojnë të bëjnë, në mënyrë absolute, veprime antikushtetuese, antiligjore, nëse elementë banditë të inkriminuar, do të marrin veprime në kundërshtim me rendin kushtetues, do të gjenden përballë forcës së ligjit

Që do të thotë?

Ajo forcë e ligjit, që i lejon ata të protestojnë për kryeministrin, po ajo forcë e ligjit i pengon ata të kryejnë akte të dhunshme. Kjo është demokracia.

A ka pasur kontakte përmes personave të tretë mes jush, përmes kanaleve tuaja për të gjetur një zgjidhje?

Kur ka dashur zgjidhje, z.Rama ka pasur 10 kanale të hapura me mua. Kur nuk do zgjidhje, ai nuk do kanale. Ai nuk do zgjidhje,

Rama thotë që për hir të situatës politike në vend, për hir të integrimit... ju ka kërkuar që të shkoni në zgjedhjet e parakohshme...

Zgjedhjet e përgjithshme do të bëhen javën e fundit të qershorit vitit 2013.

Edhe kjo, deklaratë politike mund të jetë?

Kjo, vetëm politike nuk mund të jetë. Kjo është deklaratë reale dhe kjo është sepse ai nuk kupton një gjë. Ai, duke e përjashtuar veten nga zhvillimet e këtij vendi, nuk kupton se mekanizimi i zhvillimit është aq i fuqishëm këtu, sa që nuk mund të ndalet nga asgjë.

Në rast se do të ketë video të tjera kompromentuese, cili do të jetë reagimi juaj. Prifti ka paralajmëruar se ka edhe video të tjera?

Ky është vend i lirë, mbi bazën e institucioneve ligjore kushtetuese. Cilido që të ketë çdo lloj dokumenti, le ta bëjë publike. Ky është qëndrimi im, i prerë dhe përfundimtar.

Pra ju u thoni që t’i bëjnë publike, në rast se ka?

Absolutisht.

A do mund të ketë kosto politike?

Asnjë mazhorancë nuk është perfekte. Çdo qeverisje mbledh në rrugën e vet, plus minuset e veta. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë do të kenë rastin që të tregojnë veten e tyre më 8 maj dhe do të votojnë javën e fundit të qershorit të lirë në 2013.

Ju ka dorëzuar video të tjera Prifti, apo vetëm atë video?

Jo, nuk më ka dorëzuar z.Prifti dhe të jeni i bindur se çdo njeri, çdo video që të ketë, ta dorëzojë, ta manipulojë, të mos e manipulojë. Të bëjë çtë dojë. Të ndihet i lirë.

Rama ka folur edhe për ekzistencën e njerëzve shumë pranë jush në video të tjera. Keni dijeni për çfarë flitet?

Rama ka një përballje patologjike personale ndaj meje. Nëse gjatë gjithë jetës sime, nuk i kam lejuar vetes të lëshoj qoftë edhe një akuzë të vetme të padokumentuar ndaj Ramës.

Zoti Berisha, po sa i takon seancës parlamentare të 17 janarit?

Gramoz Ruçi merr fjalën dhe flet sa të dojë. Nuk ka ndodhur që zoti Ruçi të marrë fjalën dhe kryetarja t’i kujtojë kohën. Ai mori fjalën pa kufizim dhe për këtë, unë jam dakord. Më pas, mori fjalën kryetari i mazhorancës dhe sapo ai dënon montimin e videos, si një akt puçist, djali i Xhelilit dhe të tjerët erdhën tek unë me sharje nga më të denjat për ta. Natyrisht, unë isha përpara kësaj situate. A mund të pranoja unë të më mohohej fjala?

Po, a mund të flasë ashtu një kryeministër?

Unë pashë që ata po bënin miting dhe katër-pesë vet ishin gjeneratorët e valëve histerike. Më aktiv ndër ta ishte Beqja, Gjoni, Shamku, ndaj unë thashë, këlyshët nuk kafshojnë. Ke parasysh që një njeri, që ka shënuar në jetën e tij aq shumë mitingje, edhe unë e kam një instikt mitingu.

Jeni penduar për çka ndodhi? A ishit nervoz?

Absolutisht jo. S’kishte lidhje me nervozizëm, por një vendosmëri për të mos më ndërprerë më mua fjalën.

I keni thënë zotit Rama, mafioz i Ballkanit...

Ka dokumente në prokurori. Ka dokumente për Kinema Republikën, për zgjedhjet e vitit 2003 etj. Unë nuk i lejoj vetes kurrë të nxjerr një akuzë të pabazuar.

Vazhdoni ti qëndroni idesë se nuk do të hidhni kurrë shtypin në gjyq?

Patjetër, kjo ka qenë një ëndërr e imja.

Si paraqitet PD në sytë e elektoratit?

E shkëlqyer. E shkëlqyer. Takimet e fundit kanë pasur entuziazmin më të madh që prej viteve ‘90. Shoh në sytë e njerëzve, një gëzim për vizat, për turizmin, etj.

A mendoni se vizat do të jenë kali i betejës për zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 majit dhe po u përdor shumë, do kthehet në kahun e kundërt?

Jo, nuk do jetë vetëm kjo. Kjo për ata që kishin problem lëvizjen, është arritje e jetës. E gjithë strategjia jonë bazohet në projekte. Unë kam projekte konkrete dhe koalicione, e këtu bazohem për zgjedhjet.

Sa për qind e akuzave tuaja, zoti Berisha, janë politike. Keni bërë akuza ndaj Nanos dhe Metës më parë....

Këto ndaj Ramës janë për vlera dhe s’kanë lidhje me politikën. Çfarë akuze ju bë Ramës, kur u nxor kontrata 20%? Dolën pallatet 35-katëshe dhe zona e vetme në Tiranë me pallate 35-katëshe. Edhe akuzat për Kadriovskin, që u bënë, ai shkoi tek Presidenti dhe tha mi ka bërë Berisha. Çfarë lidhje ka Berisha këtu? Disa vite më parë kam pasur të dhënat që ky akuzohej për një aferë, por nuk jam marrë me të. Nuk merrem unë me gjëra të tilla. Po sikur të ma kishte sjell dikush, sa për të bërë bllof? Ai zotëri që ma solli, duhej ta çonte në prokurori.

A ishte videoja tregues i dështimit me korrupsionin?

Në këtë qeveri, sa herë ka dalë një problem ka ardhur një dorëheqje. Nëse më parë dilnin probleme, nga më të mëdhatë dhe nuk ekzistonte dorëheqja, kësaj herë ajo ka funksionuar. Doli një bisedë që vëllai i ministrit bëri me zyrtarin dhe u largua direkt zv.kryeministri nga detyra. Doli një problem tjetër dhe ministri tha direkt dorëheqjen, tani doli ky problem dhe direkt u dha dorëheqja. Pra, kemi të njëjtën gjë, si në çdo vend demokratik të botës. Ja p.sh. gjykatësit kanë dyfishuar popullatën e burgjeve, ndonëse ne kemi krijuar idenë e korrupsionit të përhapur në këtë sistem. Nëse do të ishin të përkulur ndaj korrupsionit, nuk do jepnin këto dënime. Marrim Gjykatën e Krimeve të Rënda, më thoni cilin bandit nuk ka dënuar?

Zoti Rama ka deklaruar sot se, çdo gjë që ndodh nesër e ka fajin Sali Berisha. Si e komentoni?

Qëndrimi im ndaj protestës është ai që kam dëshmuar, të garantoj të drejtat e qytetarëve të demonstrojnë me mjete paqësore ndaj qeverisë. Nëse shkon si revoltë e bllokmenëve pastaj.....

A është lëkundur koalicioni nga dorëheqja e zotit Meta?

Përkundrazi nuk ka asnjë humbje. Koalicioni ka një vit më të rëndësishmin përpara. Janë zgjedhjet përpara. Mjerë ata që mund të mendojnë, se marrin peng njerëzit e thjeshtë. Këta njerëz kanë arritur një nivel shumë të lartë pjekurie.

Do shkohet në zgjedhje me Kodin aktual, apo do të ketë të ri?

Varet nga zoti Rama. Nëse ai do të bëjë amendamentet, do ja votojmë, mjafton të jenë miratuar nga institucionet ndërkombëtare. Ne po punojmë me OSBE-së, që të plotësojmë sa më shumë nga rekomandimet edhe pa ndryshimin e Kodit.

Anëtarët e opozitës janë tërhequr nga KQZ...

Asgjë nuk pengon zgjedhjet në Shqipëri, as kryeministri, as kryetari i opozitës. Kodi i jep zgjidhje çdo vakumi.

A do mbahen zgjedhjet, nëse nuk hyn opozita?

Do zhvillohen. Nëse ai merr këtë vendim, kjo do të ishte për të ardhur keq. Zoti Rama, në një mënyrë absolutisht të papërshtatshme, u angazhua në të keqen personale të çdo shqiptari siç ishte puna e vizave. BE vizat jua dha shqiptarëve të thjeshtë dhe ky zotëri gjithë përpjekjen e tij në mënyrë absolute, e bëri për të penguar vizat. U përpoq të damkoste kartat dhe letërnjoftimet, që janë dokumentet më moderne, pasi janë të fundit. Më pas, ai bojkotoi parlamentin dhe nisi grevën. Sa u dhanë vizat, një javë prapa tha nuk dua numërim votash. Ai njoftoi protesta të mëdha, edhe pas vizave, dhe meqenëse e pa që ato nuk ecin, vendosi të bënte dasmën.

Do dilni me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale me LSI-në?

Do të bisedojmë për të gjitha.

Do të jetë PDU, pjesë e koalicionit në zgjedhjet lokale?

Po, patjetër.

A do të jetë Lulzim Basha kandidat për Bashkinë e Tiranës?

Në hierarkinë e të mirave të kësaj partie ka shumë, por ai është një vlerë e padiskutueshme e kësaj partie.

Një vlerë që do të hidhet në betejën e Tiranës?

E lëmë për herës tjetër këtë bisedë... Do bisedoj me aleatët, se kështu nuk më shkon. Ajo që mendoj unë është që Tirana të jetë blu.

Kush është kandidati më i mirë, për ta bërë Tiranën blu? Është zoti Basha?

Ka disa. Nuk ka përfshirje as përjashtime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›