E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: S’ka 8 maj, pa zgjedhje të parakohshme

Kreu i PS-së tha dje në “Top Story” të Sokol Ballës se, vendi rrezikon të rrëshqasë në një situatë të rrezikshme, pasi opozita mund të tejkalohet nga populli dhe dihet nga historia se ç’vjen pas furisë së popullit.

Zoti Rama, cili do të jetë ndryshimi mes një proteste dhe një demonstrate?

Në fakt, unë kam shprehur një shqetësim, të cilin e kam quajtur, do thosha, me zemër në dorë, me gjithë opinionin publik, pasi besoj me gjithë zemër se, Shqipëria sot përjeton një moment shumë dramatik, në të cilin të gjitha institucionet kanë rënë, duke filluar nga zgjedhjet, dhe duke mbaruar te drejtësia. Opozita ka mbetur e fundit gjë që ekziston, midis një regjimi kusarësh dhe popullit. Çka do të thotë se jemi në kufirin fundor të mundësive të politikës, për të trajtuar dhe zgjidhur problemet në kushtet, kur të gjitha barazpeshat që mbajnë ekuilibrin, janë asgjësuar nga kapja e shtetit dhe dhënia e pushtetit për interesa private të kësaj qeverie kusarie dhe matrapazllëku. Opozita, si për paradoks, mbetet edhe mburoja e fundit që qeveria ka përballë popullit, përditë më të dëshpëruar e të zemëruar. Ndërkohë, që për natyrën e vet, opozita është alternativa qeverisëse dhe është instrumenti që ka opinioni publik dhe gjithë elektorati, për të kontrolluar qeverinë në parlament dhe jetën e përditshme publike. Më lejoni të them se, pas shfaqjes së neveritshme që e pa populli mbarë, me zë e figurë, të një episodi që është me të vërtetë ajo çka ndodh për ditë në zyrat e shtetit, jam mësyrë nga mesazhe, telefonata, etj, njerëzish jo vetëm të PS-së, po edhe shoqërisë civile, por që është vënë tërësisht nën thundrën e pushtetit, si dhe intelektualë e njerëz tërësisht larg nga pozicionet e PS-së. Të gjithë njëzëri kanë shtruar tek unë një opinion të përbashkët: Nëse opozita edhe këtë herë nuk bën atë që duhet, atëherë le të pranojmë se nuk kemi as opozitë. Kjo do të thotë, që njerëzit në këtë vend kanë humbur çdo mundësi tjetër, për të kontrolluar apo për t’u përballur me atë që në demokraci është fuqia e mundshme e pushtetit dhe që kontrollohet nga institucionet. Jemi në kushtet, kur duke përjashtuar dhunën si mundësi dhe duke mos e pasur pjesë të mënyrës se si e shohim botën, përballë një pushteti që nuk do të dëgjojë zërin e arsyes, për t’i dhënë një zgjidhje politike, rrezikojmë të tejkalohemi nga populli. Rrezikojmë të defaktorizohemi nga barriera e fundit që populli ka nga abuzimi i pushtetit dhe si mjeti që populli ka për të kontrolluar pushtetin dhe për të parë alternativë. E gjithë retorika skandaloze, e përdorur ditët e fundit nga Saliu dhe gjithë njerëzit e oborrit të tij, duke insinuar se ne po bëjmë thirrje për dhunë, është në fakt tërësisht pa asnjë lidhje me çka ne përfa1qësojmë dhe me çka ne po shtrojmë si një problem të madh. Shqipëria rrezikon të rrëshqasë në situatë të pakontrollueshme, për shkak se këta njerëz që qeverisin me vota të vjedhura dhe që rrinë aty për ta vjedhur deri në fund Shqipërinë, nuk janë të gatshëm të dëgjojnë zërin e arsyes dhe nuk kanë sy për të parë, se mund ta marrin më qafë tërë shoqërinë.

Ka pasur dy deklarata të z.Gjinushi dhe z.Ngjela, që kanë paralelizuar me skenarin tunizian. Pra, nuk është se nuk ka pasur thirrje të tilla, apo jo?

Unë jam këtu për t’u përgjigjur si Kreu i PS-së, partia më e madhe në vend, lokomotiva e opozitës dhe jo për të komentuar qasje, apo batuta të cilitdo prej aleatëve, që është në të drejtën e tij, në një front që nuk është një kazermë e as një parti e vetme, një koalicion i fuqishëm nga e majta në të djathtë, që përfaqëson sot Shqipërinë e zemëruar dhe njëkohësisht Shqipërinë në një gjendje rreziku, që i kanoset çdo orë e më shumë, për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë. Këtu nuk bëhet fjalë, a do të ketë apo nuk do të ketë dhunë nga ana e opozitës, kjo është tërësisht e përjashtuar, për sa më takon dhe na takon, këtu bëhet fjalë, do japë dorëheqjen apo jo Saliu dhe koalicioni i turpit, që turpëron Shqipërinë, dhe a do të ketë një zgjidhje politike, një krizë që është politike.

Në këtë valë të re protestash, opozita vjen pas një vale veprimesh, që i ka konsumuar të gjitha përpjekjet për të destabilizuar pushtetin në mënyrë demokratike. Si mund të rrëzohet qeveria, pasi ju keni provuar në mënyrë të përsëritur, për të përdorur këto mjete dhe ndodhemi sërish në këtë pikë?

Nuk shoh asgjë të përbashkët mes gjuhës së përdorur prej meje dhe gjuhës së përdorur mes kryeministrit të vendit. Gjithë përpjekja jonë ka shkuar në sensibilizimin e opinionit publik. Për faktin se në një vend ku votën ta marrin, edhe po nuk e dhe, i ke humbur potencialisht të gjitha liritë dhe të drejtat e tua. Thënë kjo, unë dua të përsëris se të njëjtën gjë kanë popujt që kanë rezistuar edhe për vite e dekada me radhë ndaj juntave e diktaturave, regjimeve kriminale e të korruptuara...

Ju thoni juntë, po kush është burgosur, kush është vrarë, keni 65 deputetë në parlament, me një tv që minimumi shkaktoi dorëheqjen e zv.kryeministrit. Ku e shihni juntën?

Unë thashë që ne bëjmë të njëjtën gjë prej dy vitesh, do të thotë që ne këmbëngulim për një të drejtë që jemi krenar që e mbrojmë dhe kemi vullnetin ta mbrojmë me forcën tonë.

Në se më parë keni dekurajuar dhunën, kësaj radhe po thoni se nuk mbajmë përgjegjësi, kështu duket apo jo?

Ne nuk besojmë te dhuna, nuk e promovojmë, e për më tepër, nuk kemi as në përfytyrimin tonë ndonjë mundësi të marrjes së pushtetit me dhunë. Këtu nuk ka mbetur më asgjë mes popullit dhe kësaj qeverie kusarësh e matrapazësh, të zënë me presh në duar. Që do të thotë, se është fakt që populli mund ta tejkalojë opozitën, populli mund të bëjë atë që bën, dhe këtë e tregon e gjithë historia e zhvillimit të jetës njerëzore dhe që e ka vetëm populli, si liri dhe si të drejtë kushtetuese dhe historike. Për sa kohë ne jemi në këtë pikë, ne nuk shohim mundësi që të ushtrohet dhunë, por njëkohësisht ngremë me të madhe, një shqetësim përditë e më të madh. Që në fakt, popullin e provokon Saliu dhe qeveria. Shtetet e Bashkuara e larguan nga zyra një President të madh, një burrë shteti, në një moment dramatik të luftës së ftohtë, pse gënjeu, jo pse shtypi zbuloi një skandal përgjimesh, por pse gënjeu. Po si e larguan? E larguan përmes institucioneve, kongresit e senatit, sepse në atë demokraci institucionet ishin funksionale. Sot më thoni një institucion që nuk është i dhunuar apo i rrëzuar. Parlamenti ka marrë fund, është i marrë peng dhe i kthyer në një hapësirë, ku palaçollëku i qeverisë shfaqet në përmasat më të turpshme. Është ai parlament, ai kryeministër, që provokon popullin dhe të atilla fantazira dhe kushte në të cilat populli mund të dalë jashtë kontrollit. Të gënjyerit, sy për sy, ndaj një populli të tërë, ndaj një fakti konkret. Në kushtet kur prokuroria nuk është shprehur ende për autenticitetin e një materiali, për të cilin akuzohet opozita, për montazh kriminal. Kur populli do të dijë se çmendon i pari i qeverisë, ai del e flet për bajame e lajthi, ndërkohë që duhet të tregonte se cili ishte qëndrimi i tij përballë asaj shfaqjeje, që nuk ka vend demokratik ta pranojë.

Zoti Rama, kush është garancia se nëse triumfoni në qëllimet tuaja politike, që fenomeni i korrupsionit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë edhe e qeverisë suaj të majtë?

Nuk janë qëllimet e mia politike, që na nxjerrin në demonstratë. Këtu nuk bëhet fjalë për qëllime politike, që mund të realizohen nëpërmjet saj. Ne nuk dalim për të marrë pushtetin, duke shfrytëzuar zemërimin e atyre që do të vijnë ose jo, por ne dalim si pjesë e një shoqërie që nuk mund dot të vidhet në votë, të vidhet në gjithçka dhe në fund fare të tallet, si të ishte një budalla. Ti thuhet qorr, shurdh, budalla, ky është montazh, komplot, kjo është fantazi kriminale, ky është kulmi. Këtu nuk është më raporti qeveri-opozitë, por qeveri-popull, nuk është më raporti i Saliut me socialistët, por edhe me demokratët, me qindra, mijëra demokratë të arsyeshëm, që kanë të gjitha arsyet e botës të mos e pëlqejnë e votojnë PS-në, por që njëkohësisht kanë shumë më tepër arsye se ne, t’i kërkojnë llogari Saliut për votën e tyre dhe mbështetjen e tyre.

Duhet ta pranojmë se, nuk do ishim këtu ku jemi, në rast se Prifti nuk do bënte atë që bëri. Por juve ju akuzojnë si sponsori apo regjisori i asaj videoje…

Zyra e Saliut, ministrat e Saliut, ndërsa videon e kam bërë unë?!... Kjo është tallje spektakolare me popullin shqiptar.

Cilat janë lidhjet e tua me këtë video, prej sa kohësh ju e dinit ekzistencën e saj?

Dritan Prifti ka kërkuar prej kohësh një takim me mua dhe me kryetarin e grupit parlamentar socialist, ku na ka informuar për, sipas tij, arsyet pse nuk e shihte më veten në kampin e qeverisë dhe njëkohësisht për vullnetin që të nisë një betejë për të bërë transparencë. Ai më tha se dispononte, pa na dhënë detaje, por duke na vënë në dukje vendosmërinë, në një betejë që gjithmonë sipas tij e konsideronte shumë të rrezikshme, për familjen dhe për sigurinë e jetës së tij. Ne e kemi dëgjuar, e kemi inkurajuar, duke i shprehur mbështetje për një betejë të tillë, në rast se ato që ai na thoshte ishin të vërteta dhe në rast se ai do t’i ballafaqonte këto të vërteta me opinionin publik.

Do jetë nesër zoti Prifti në miting?

Këtë pyetje duhet t’ia bëni zotit Prifti.

A ka një ridimensionim të pozicionit politik të PS-së dhe tuajin personalisht me Priftin, pasi deklaratat e tij kanë qenë të ashpra dhe ndaj jush?

As deklaratat e shkruara tërësisht politike, në kuadrin e një kulture të caktuar politike, të cilën do e quaja kulturën e LSI-së dhe në kushtet e një rreshtimi, siç ishte ai nga ku bëheshin ato deklarata, dhe as komplimentet e rastit sot, nuk kanë për mua asnjë vlerë dhe rëndësi, ndërkohë që ne jemi përpara një fakti dhe një procesi të iniciuar nga Dritan Prifti, që meriton pa asnjë rezervë përgëzime. Sepse është një proces, i cili e ndihmon shoqërinë të kuptojë shumëçka që mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar, në batakun ku e ka zhytur Saliu politikën.

Për shoqërinë shqiptare ka rëndësi për të kuptuar se Prifti, që disa kohë më parë ju akuzonte juve, sot gjendet në krahun tuaj duke e pasur partner politik…..

Të jemi shumë korrekt dhe do ju lutesha që të mos merrni fjalët e mija dhe t’i deformoni. Nuk fola për deklaratat tona, në raport me zotin Prifti, ministër në kushtet e një çështje për të cilën ne i jemi drejtuar organeve përkatëse. Pra, folëm për deklaratat e zotit Prifti ndaj meje, dhe nuk folëm për deklaratat tona ndaj Priftit në atë kohë. Janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Edhe zoti Meta nuk është më ministër, ndaj nëse keni besim tek drejtësia, të presim dhe për këtë?

Ne zotin Prifti e kemi akuzuar për një çështje konkrete..

Në bindjen tuaj, a është Prifti i korruptuar, apo jo, apo do prisni drejtësinë, se në rast se është kështu, duhet të prisni drejtësinë edhe për Metën…

Meta nuk është larguar, Meta është aty, ulur këmbëkryq me bllok në dorë. Thjesht ka marrë lejen dhe nuk shkon në punë tani, por mund të shkojë çdo ditë dhe të fillojë atë historinë që e panë të gjithë, sepse koalicioni i këtij turpi është në këmbë. Pse ta presin me drejtësinë në këtë rast? Mua nuk më intereson fare fati njerëzor i Ilir Metës, në kuptim se çfarë dënimi do i japë drejtësia. Mua më intereson se fakti është në qeveri, është brenda saj dhe çdo ditë që dalin, u kujtojnë shqiptarëve se është një koalicion matrapazësh dhe kusarësh. Për mua ka rëndësi ajo që Prifti po bën sot. Përsa i përket çështjes që ne kemi ngritur për zotin Prifti, si ministër për çështjen e pasurisë, ajo çështje u ngrit, ai nuk është më ministër dhe për atë çështje ai të sqarojë pozicionin e vet. Unë asnjëherë nuk bëj goditje personale.

Parlamenti është i marrë peng, është i abuzuar si asnjëherë më parë, Komisioni Europian ka shkruar e zeza mbi të bardhë, kryetaren e Kuvendit si fajtore për gjendjen e parlamentit. Dhe ja ku e kemi, parlamenti me të ashtuquajturin kryeministër, që e vetmja gjë që i jep popullit në ato lloj shfaqjesh është prova që ka dalë mendsh. Pra nuk mund të ketë normalitet, kur çdo gjë është nën presion. Në vend që kryeministri të reagonte ashtu siç i takonte për videon e transmetuar, se ajo që u shfaq është një e vërtetë e hidhur, Saliu del atje edhe lëshon sinjale që për çdo sipërmarrës dhe për çdo organizëm dhe strukturë në këtë lloj territori, ku ka humbur çdo lloj garancie dhe mbrojtje, tingëllon thjesht dhe vetëm si kërcënim që tkurr, që komplekson dhe që vendos në pozita mjaft të vështira. Ky është brigadier banal, i cili vjedh çdo ditë arkën e brigadës, i përdor ministrat sikur t’i kishte punëtor dhe po e bën përshesh gjithë pasurinë, që në fakt duhet të menaxhojë për t’i bërë shqiptarët më të mirëqenë. Nuk kemi çfarë drejtësie të kërkojmë nga drejtësia, në një vend që qeveriset përmes padrejtësisë. Kjo është bindja ime, nuk mund të funksionojë drejtësia.

Çfarë do i kërkoni qeverisë nesër?

Ne nesër nuk kemi fjalime për të mbajtur, fjalët janë thënë. Nesër është një hapësirë, ku qytetarët do demonstrojnë gjithsa ne kemi në emër të tyre. Pra jemi në kushtet kur ne kemi krijuar mundësinë për këdo. Nuk është demonstratë e PS-së, për të shkuar dhe për të marrë pushtetin dhe as për të larguar pushtetin me dhunë, dhe të ulemi ne në ato karriget ku janë ulur këta. Kjo është një demonstratë për t’i kthyer këtij vendi lirinë dhe të drejtën themelore, zgjedhjet e reja dhe për të kërkuar një zgjidhje të re politike.

Cila është?

Është kjo, që ky popull nuk mund të pranojë më të qeveriset nga kusarë dhe matrapaz, që kapen gafil dhe thonë që popull t’i nuk po e sheh atë që ke parë. Ky është kulmi dhe këtë lloj kulminacioni të makutërisë dhe matrapazllëkut që tregon në fakt se Saliu ka pikërisht atë projekt të papërputhshëm me integrimin europian, që është projekti i kthimit të këtij vendi në një mbretëri ku ai të jetë mbret, dhe çfarë mbreti? Brigadier, dhe ku të gjithë të tjerët të jenë skllevër të këtij brigadieri.

A do të kemi zgjedhje lokale në këto kushte?

Ne do të largojmë Saliun, populli do të largojë Saliun ose Saliu do pranojë zgjidhjen e re politike.

A keni ju një strategji, pasi përpara kemi zgjedhjet lokale?

Ne nuk jemi që të ikë Saliu me ca të tjerë, e të vijnë ca të tjerë të bëjnë të njëjtën punë. Ne jemi për të çuar përpara punët e vendit. Nëse ne i japim vendit një qeveri që ka sensin e drejtësisë, atëherë vendi nis e funksionon. Horizonti i zgjedhjeve të reja duhet përcaktuar si pika e përbashkët brenda tërë kësaj Shqipërie, ku një popull i tërë duhet të marrë të drejtën të votojë. Në mënyrë që qeveria të qeverisë. Këtu ka filluar të kriset ai mur ndarës që garanton bashkëjetesën normale dhe ka filluar të afrohet furia e popullit, që në rast se nuk merr përgjigjen adekuate, me një zgjidhje të re, mund të tejkalojë shumë shpejt opozitën dhe pastaj e dimë mirë nga historia çfarë vjen pas.

Marrë nga “Top Story”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›