E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstrata e opozitës, vezë e domate kundër Kryeministrisë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 21-01-2011 12:40

Deputetët dhe degët e PS-së janë porositur që të paktën nga rrethet e mëdha të sjellin nga 5 mijë protestues. Ja pesë pikat ku do të grumbullohen pjesëmarrësit për t’u mbledhur para qeverisë

Thirrja e djeshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për demonstrim paqësor a ka prerë pak krahët e simpatizantëve të opozitës që do jenë sot në tubimin para Kryeministrisë. Menjëherë pas kësaj deklarate, krerët më të lartë të PS-së dhe të opozitës kanë mohuar përdorimin e forcës, ndërsa parapërgatitja e dy-tri ditëve më parë, e përmbledhur në frazën “Ne nuk mund të përmbajmë popullin në përpjekjet për të marrë në dorë fatet e tij”, mësohet se është shndërruar vetëm në një plan, për të hedhur vezë dhe domate drejt selisë së Kryeministrisë. Vetë selia rozë ka bërë publik dje dhe itinerarin e lëvizjes së demonstruesve, të cilët do të përqendrohen kryesisht në pesë akset kryesore të kryeqytetit, për t’u bashkuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Organizimi

Opozita ka ftuar sot qytetarët nga e gjithë Shqipëria, që nën moton “Sali dorëzo bllokun!” të demonstrojnë pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes së djathtë. Megjithëse organizatorët kanë punuar në një konspiracion të plotë lidhur me mënyrën e organizimit të kësaj demonstrate, burime pranë opozitës kanë bërë të ditur se ajo do të jetë paqësore, megjithëse nuk heqin dorë nga shprehje të tilla “që çdo gjë varet nga populli”, duke lënë të kuptohet kështu se këtë herë nuk do të bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi. Ajo për të cilën janë përgatitur opozitarët duket se janë vetëm thirrjet kundër qeverisë dhe gjuajtjet me vezë e domate kundrejt godinave të institucioneve qeveritare. Madje, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se protestuesve u është kërkuar që ata të vishen në demonstratë me atlete dhe tuta sportive, në mënyrë që t’u krijohet mundësia e një lëvizjeje më të lehtë e të shpejtë, si gjatë gjuajtjeve me vezë e domate, ashtu edhe për t’iu shmangur ndonjë përplasjeje me policinë. Gjithashtu, dje në selinë rozë është folur edhe për një skenar tjetër, që ka të bëjë me rrethimin e godinës së Kryeministrisë dhe moslejimin për të dalë prej saj të kryeministrit Sali Berisha. Një opsion ky që nuk është konfirmuar në mënyrë zyrtare nga PS.

Itinerari

Selia rozë ka bërë të ditur dje dhe itinerarin në të cilin do të përhapet dhe do të lëvizë demonstrata e sotme. Stacioni i Trenit - Bulevardi “Zogu i parë”, “Zogu i Zi” - Rruga e Durrësit, “21 dhjetori” - Rruga e Kavajës, Pallati me Shigjeta - Unazë dhe Filologjiku -Rruga e Elbasanit, do të jenë pikat kryesore ku do të ketë grumbullime të protestuesve që në 13.30, ku secili qark do të ketë vendin e vet të grumbullimit. Demonstrata e sotme nga socialistët pritet të ketë një pjesëmarrje masive, pasi deputetët dhe degët e PS-së janë porositur që të paktën nga rrethet e mëdha të sjellin nga 5 mijë protestues. Megjithatë, duhet thënë se deklaratat për protesta të dhunshme kanë “trembur” një pjesë të mirë të protestuesve për të marrë pjesë në këtë demonstratë, në mënyrë që të shmangin problemet me ligjin. Pas grumbullimit në pikat e përcaktuara, demonstruesit do të vijojnë marshimin drejt qendrës, për t’u vendosur përfundimisht para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›