SHBA: Demonstroni paqësisht dhe pa dhunë
“Respektimi i institucioneve, sundimit të ligjit dhe të drejtave të të tjerëve, duhet të zbatohen gjatë të gjitha tubimeve e demonstratave”
Një ditë përpara demonstratës së lajmëruar nga opozita, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka gjetur rastin të bëj apel për ruajtjen e qetësisë publike. Në një deklaratë të shpërndarë me postë elektronike, diplomatët e përtej atlantikut thonë se mbështesin plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe grumbullimit për të gjithë popullin e Shqipërisë. “Në një shoqëri demokratike si Shqipëria, është e rëndësishme që shprehje të tilla të jenë paqësore dhe konstruktive. Respektimi i institucioneve, sundimit të ligjit, dhe të drejtave të të tjerëve, duhet të zbatohen gjatë të gjitha tubimeve e demonstratave”, theksohet në këtë deklaratë. Ditët e fundit, vijon njoftimi zyrtar i Ambasadës së SHBA-së, retorika dhe gjuha e disa udhëheqësve politikë, kanë marrë një ton që sugjeron mbështetje për akte çrregulluese dhe të dëmshme e sjellje të papërshtatshme. Në vlerësimin e zyrtarëve amerikanë, “kjo gjuhë është e papranueshme”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistojnë se përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo tolerimi i ndonjë forme dhune, është në dëm të popullit të Shqipërisë. “Populli shqiptar meriton më mirë se kaq. Ai ka punuar me seriozitet dhe durim drejt përmbushjes së reformave, për të cilat ka nevojë urgjente dhe përparimin e vendit të tyre e përmbushjen e aspiratave të tyre demokratike”, konstaton deklarata. Diplomatët gjejnë rastin të vlerësojmë sjelljen profesionale, që Policia e Shtetit ka ushtruar në mënyrë konsekuente, në përmbushje të përgjegjësive të tyre gjatë demonstratave të kaluara. Në këtë linjë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë thotë se pret që i njëjti nivel profesionalizmi të demonstrohet në protestën e planifikuar për ditën e premte, më 21 janar. Pak ditë më parë, edhe Bashkimi Europian i bëri thirrje klasës politike në Shqipëri të ruajë gjakftohtësinë. Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e komisionerit europian për zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi se “në një demokraci është krejt normale të ketë ide të ndryshme dhe njerëz që mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri”. Në vlerësimin e Natasha Butler “ajo që është e rëndësishme është që qeveria dhe opozita të bëjnë të gjitha përpjekjet e duhura për të dialoguar me tone të qeta, për të gjetur një zgjidhje, e them edhe njëherë, duke respektuar njëri-tjetrin”. Bashkimi Europian konstatoi se bashkëpunimi duhet bërë në mënyrë që Shqipëria të mos vonohet më. “Nëse ndodhin gjëra të padëshirueshme, nëse Shqipëria nuk zbaton rekomandimet e Komisionit Europian, që janë 12 të tilla thelbësore, nëse ajo nuk aprovon ligje me shumicë, të kualifikuar për të arritur normat europiane, atëherë ajo rrezikon të vonohet dhe të mbetet pas vendeve të tjera që kanë kërkuar, si edhe ajo, të pranohen në Bashkimin Europian”, tha Butler. Apeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, në lidhje me situatën politike në Shqipëri, shërben si një zile alarmi, ndërsa vendi ndodhet në një fazë testimi disa mujor. Në varësi të zhvillimeve politike, mbarëvajtjes së zgjedhjeve për pushtetin lokal, që do të mbahen më 8 Maj 2011, do të hartohet edhe progres-raporti vjetor i Brukselit për Shqipërinë. Do të jetë ky dokument, nisur nga përmbajtja e të cilit, vendi ynë mund të përfitojë vjeshtën e ardhshme statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. D.Malaj