E Diel, 1 Nëntor 2026

Pack: Situata e trishtueshme, kjo nuk është politikë

Situata është e trishtueshme dhe tanimë po përkeqësohet. Me këtë konstatim e komenton situatën e fundit politike në Shqipëri, europarlamentarja Doris Pack. Në një intervistë për “Dwelle”, ajo thotë se “protestat e vazhdueshme të opozitës dhe kërcënimet janë tërësisht kontraproduktive. Unë mund të them se situata tani në Shqipëri është për të ardhur keq”. Sipas saj, nuk ka arsye që opozita të thotë se ky parlament nuk është legjitim. Pack mendon se ka vetëm sulme të vazhdueshme nga opozita, por që nuk ka shkuar asnjëherë në Gjykatën Kushtetuese, gjë që bën që opozita të mos marrë pjesë rregullisht në parlament. “Kam kohë që dëgjoj për organizimin e demonstratave të mëdha, ose më pak të mëdha, apo grevë urie. Kjo nuk është politikë. Kjo është një lojë e paparë në kurriz të popullit. Njerëzit presin që deputetët, që ata i kanë votuar, të bëjnë politikë, të flasin në parlament për problemet e tyre. Kur je në opozitë nuk mund të arrish të gjitha ato kur je në qeveri. Por kjo është normale në çdo sistem demokratik”, u shpreh Pack. Dhe këto protesta, shtoi ajo, nuk ndihmojnë askënd dhe veç kësaj, dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. “Dialogu politik do të ishte i domosdoshëm. Por politikanët duhet të jenë të gatshëm të punojnë për këtë. Ata duhet të jenë të hapur, po ashtu, për një dialog. Që të jesh i hapur do të thotë që të bësh kompromis dhe jo vetëm të protestosh”, këmbënguli Pack. E pyetur nëse zgjedhjet e parakohshme do të ishin një zgjidhje apo jo, Pack tha se “kjo do të varej nga përfundimi i tyre. Nëse ato përfundojnë me rezultatin e fitores së socialistëve, atëherë ata do të kenë arritur atë çka duan, por në këtë moment situata do të ishte e tillë, ku opozita e përbërë nga Partia Demokratike dhe parti të tjera do të ngrinin pyetjen, a mund të njihet kjo qeveri. Pra loja politike është shumë e keqe”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›