E Diel, 1 Nëntor 2026

Demonstruesit Tentuan të hynin në kryeministri me bomba molotov

TIRANE- Dyzet e dy policë të plagosur, 65 policë të lënduar dhe 113 demostrues të arestuar. Ky është bilanci i policisë së Tiranës një ditë pas demonstratës antiqeveritare të opozitës, e cila shkaktoi 3 viktima me armë zjarri nga demonstruesit.
Drejtoria e policisë së qarkut Tiranë deklaron
se demonstruesit kanë tentuar të hyjnë në ambientet e Këshillit të Ministrave duke përdorur bomba molotov, mjete zjarrvënëse dhe gur.
Në një njoftim për shtyp, zëdhënësja e policisë Alma Katragjini deklaroi se demonstruesit me “nxitjen e drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike.”
“Grupe demonstruesish tentuan të hyjnë me dhunë në ambientet e Këshillit të Ministrave, duke përdorur bomba molotov, mjete të tjera zjarrvënëse dhe gurë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Punonjësit e Policisë, kanë ruajtur gjakftohtësinë, dhe kanë vepruar me profesionalizëm në zbatim të ligjit duke ju shmangur çdo provokimi të bërë.”- nënvizoi Katragjini.

PO HETOHET ZBRARDHJA E VRASJES
Policia informon se një grup i posacëm Prokurorësh, në përbërje të të cilit janë edhe ekspertë kriminalist, mjeko ligjorë, Oficerë të Krimeve të Rënda po hetojnë zbardhjen tërësisht të rrethanave të vrasjes së Faik Myrtos, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedes, të tre pjesëmarrës në demonstratë.

ARRESTIMET
Policia sqaron se 113 persona janë arrestuar në flagrancë sepse “dje rreth orës 17.00’, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, gjatë zhvillimit të demostratës kanë kundërshtuar me dhunë e goditur punonjësit e policisë si dhe kanë shkatërruar e djegur një sërë automjetesh të parkuara aty pranë.”
Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit” si dhe “Shkatërrim të pronës” dhe për “Mbajtje pa leje armëve luftarake dhe municioneve”
Të arrestuarit janë nga Tirana, Përmeti, Lezha, Elbasani, Durrësi, Laci, Kavaja, Shkodra, Mallakastra, Fieri, Korca, Has, Burelli, Fushë Krujë, Tepelena, Librazhd, Prrenjasi. Nga 113 të arrestuarit 6 janë persona të cilët kanë qenë të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Në deklaratën e saj policia vecon Lavdim Ismet Balla, 20 vjec i cili”pas kontrollit personal të ushtruar i është gjetur një krehës me fishekë, ndaj tij përveç sa sipër rëndon edhe akuza për “Mbajtje pa leje armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/3 të Kodit Penal”.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme ndaj tyre, duke konsumuar veprën penale të parashikuar nga nenet 236/2 dhe 150 të Kodit Penal.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›