Ngrihet grupi me ekspertët, skema e realizimit të hetimit
TIRANË – Mjediset para Këshillit të Ministrave, ku u qëlluan me plumba dy persona, të cilët gjetën vdekjen, dhe Spitali Ushtarak, vendi ku janë dërguar të gjitha viktimat dhe të plagosurit e demonstratës së djeshme janë marrë nën administrimin e Prokurorisë. Këto janë dy fushat mbi të cilat institucioni qendror i hetimit ka nisur punën që ditën e premte në mbrëmje. Burimet zyrtare të organit qendror të akuzës bëjnë të ditur zyrtarisht se është ngritur një grup i madh hetimor me prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili është angazhuar me kryerjen e veprimeve të menjëhershme hetimore. “Një pjesë e grupit hetimor është vendosur në vendin e ngjarjes, në mjediset pranë Kryeministrisë, me qëllim këqyrjen e vendit, evidentimin dhe sekuestrimin e çdo prove materiale që gjendet aty”, - thonë burimet në organin e akuzës. Krahas këtyre veprimeve është kryer marrja e librave të gatishmërisë dhe plani i masave pranë Gardës së Republikës, si dhe kamerat e instaluara nga Policia e Shtetit në vendin e ngjarjes. Këshilltari për mediat, Plator Nesturi, bëri të ditur se një pjesë e grupit hetimor është vendosur në Spitalin Ushtarak dhe ka realizuar këqyrjen e viktimave, këqyrjen e veshjeve të viktimave dhe sekuestrimin e tyre me cilësinë e provës materiale, këqyrjen dhe pyetjen e të gjithë personave të plagosur, qofshin këta civilë apo efektivë të policisë”. Ndërkohë janë marrë vendimet për kryerjen e të gjitha ekspertimeve kriminalistike të nevojshme.
Pjesa tjetër e grupit hetimor është vendosur në komisariatet e policisë së Tiranës, për marrjen në pyetje të të gjithë personave të shoqëruar në komisariate nga Policia e Shtetit.
“Prokuroria shqiptare garanton se është e impenjuar për një hetim objektiv, të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve të ditës së sotme, me qëllim individualizimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, jashtë ndikimit të çdo faktori politik”, - thuhet në deklaratën zyrtare. Ky detaj vjen vetëm pak minuta pas deklaratës që bëri kryesocialisti Edi Rama, i cili i bëri apel publikisht presidentit Topi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe kryeprokurores Ina Rama, për të zbardhur menjëherë autorët e vrasjes së tre protestuesve.
Box 1
Pas Gërdecit, një tjetër dosje sfiduese për Akuzën
Pas procesit të Gërdecit kjo është dosja e dytë sfiduese për organin e Prokurorisë. Por, ngjarja e djeshme është akoma më problematike dhe më e vështirë për shkak të natyrës së objektit hetimor dhe specifikave që vijnë nga lloji i krimit. Krimi i ndodhur vetëm pak metra larg godinës së Këshillit të Ministrave, në kushtet kur vrasja e tre demonstruesve është në mjedise publike. Hapat e shpejtë dhe puna profesionale mund të çojnë në zbardhjen e shumë prej detajeve që sollën përgjakjen e demonstratës. Krejt ndryshe ishte në rastin e Gërdecit. Vendngjarja u mor nën administrimin e prokurorisë disa ditë më vonë dhe administrimi i dokumentacioneve të paktën një javë më vonë. Por, procesi i Gërdecit vazhdon edhe sot e kësaj dite në Gjykatën e Tiranës me zvarritje pa fund dhe me plot probleme të të gjitha natyrave. Por, për organin qendror të akuzës presioni do të jetë shumë herë më i madh nga politika për zbardhjen e kësaj dosje.
Policia e Shtetit: Iu përgjigjem
sulmeve ndaj Këshillit të Ministrave
Reagon zyrtarisht Policia. Bilanci i demonstratës së përgjakshme
“Janë plagosur 17 efektiva policie. Reaguam pas bombave molotov”
TIRANË – U jemi përgjigjur provokimeve dhe sulmeve ndaj godinës së Këshillit të Ministrave. Ky ka qenë argumenti që ka dhënë dje Policia e Shtetit, pas vrasjes së dy protestuesve dhe plagosjes së një tjetri, i cili vdiq në mbrëmje në spital. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit doli mbrëmë në konferencë për mediat, ku bëri të ditur se pas grumbullimit para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, grupe demonstruesish në prani dhe me nxitjen e drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës, goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin të planifikuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike. Sipas saj, “në vazhdim, këto grupe demonstruesish tentuan të hyjnë me dhunë në ambientet e Këshillit të Ministrave, duke përdorur bomba molotov, mjete të tjera zjarrvënëse dhe shpërthyese, gurë etj”. Burimet zyrtare deklaruan se “gjatë gjithë kësaj kohe, Policia e Shtetit ka ruajtur gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe ka vepruar me profesionalizëm në zbatim të ligjit duke iu shmangur çdo provokimi të bërë. Për pasojë, janë plagosur 17 (shtatëmbëdhjetë) punonjës policie, të cilët janë dërguar në Spitalin Qendror Ushtarak dhe në spitalin “Nënë Tereza” për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, si dhe rreth 100 punonjës të tjerë policie janë lënduar. Ndër të tjera, në bilancin paraprak thuhet se “janë djegur dhe shkatërruar plotësisht mbi 15 mjete dhe dëmtuar me dhjetëra të tjera”. Pas largimit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” grupe vandalesh kanë vazhduar të shkatërrojnë, vjedhin dhe vandalizojnë objekte të ndryshme. “Në këtë moment, në Spitalin Ushtarak kanë mbërritur 2 persona të vdekur dhe një i plagosur rëndë, i cili ndërroi jetë më pas. Policia e Shtetit njofton se drejtues të Prokurorisë së Tiranës dhe ekspertë mjeko-ligjorë kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes dhe autorët e tyre”, - thuhet në deklaratën zyrtare.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës. “Garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të siguruar rendin dhe qetësinë publike për qytetarët shqiptarë dhe mbrojtjen e institucioneve dhe shtetit ligjor”, - përfundon deklarata zyrtare e Policisë së Shtetit.
TË DHËNAT E POLICISË
17 policë mbetën të plagosur
100 policë u lënduan lehtë
15 mjete u dogjën nga protestuesit
3 demonstrues kanë gjetur vdekjen
BASHA
Dhuna, një grup kriminal u dirigjua nga Rama
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi se Edi Rama është përgjegjës për këtë skenar dhe humbjen e jetëve. I ftuar në një media, ministri i Brendshëm ka marrë në analizë situatën e ndodhur dje pas demonstratës së iniciuar nga Partia Socialiste.
Ai tha se një grup me afro 200 personash që mbanin bomba molotov, gurë dhe lëndë për zjarrvënie, mjete të tjera dhune, por siç duket edhe me armë, nisën të godasin e shtyjnë policinë. Basha tha se policia ishte në mbrojtje të institucioneve. “Në mes të kësaj turme, duke nxitur këtë provokim, ndodheshin drejtuesit dhe organizatorët kryesorë, deputetë të PS-së, dhe i fshehur në kulis, kumbari dhe kryetari Edi Rama. Basha nënvizoi se çdo gjë ishte e organizuar nga Rama. Ai nënvizoi se kjo turmë s’mund të përfaqësojë as shumicën socialiste dhe as shumicën e shqiptarëve.
Ministri i Brendshëm tha se kish marrë dhjetëra telefonata nga ambasadorët dhe vendeve aleate, që kanë përshëndetur aftësitë me të cilën polica iu përgjigj kësaj situate.
“I gjithë operacioni është i regjistruar nga të gjithë oficerët. Policia e Shtetit ka bërë gjithçka me gjakftohtësinë më të madhe. Grupi prej 200 personash u shkëput dhe iu drejtua policisë. Ata drejtoheshin nga Rama, që rrinte i fshehur. Ky njeri është sot më lakuriq se kurrë dhe policia nuk ka provokuar”, - tha Basha. Ai deklaroi se organet e prokurorisë do të zbardhin atë që ndodhi të premten. Provat janë në proces administrimi dhe policia po asiston.
22 Janar 2011