Dëshmia e rreme, KLD i heq imunitetin gjyqtarit
TIRANË – Një tjetër gjyqtar është vënë në hetim dhe pas kërkesës së bërë tek Këshilli i Lartë të Drejtësisë, i është hequr imuniteti për të vijuar më tej me procedurat hetimore. Burimet zyrtare të organit të akuzës bëjnë të ditur se me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra dhe vendosi heqjen e imunitetit për gjyqtarin e Korçës, Albano Murataj. Bazuar në kërkesën e prokurorisë së Përgjithshme, anëtarët e KLD-së, me shumicë votash, kanë miratuar pezullimin nga detyra dhe heqjen e imunitetit për gjyqtarin që akuzohet se ka dhënë dëshmi të rreme në procesin gjyqësor ndaj ish-kancelarit të Gjykatës së Korçës, i arrestuar një vit më parë me akuzën e korrupsionit. Kancelari u akuzua se ka marrë 5 milionë lekë rryshfet nga një qytetar. Ky vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë vjen pak javë pas hetimit dhe zhveshjes nga imuniteti të një gjyqtari tjetër në Elbasanm.
Ndëshkimi i korrupsionit, fenomen në ulje
Kryeprokurorja deklaron se ka ulje të rasteve të regjistruara të korrupsionit
Kritika për oficerët e Policisë Gjyqësore, ekspertët tatimor. Statistikat
TIRANË – Ndëshkimi i fenomenit të korrupsionit, kryesisht në nivelet e larta, ka shënuar tregues në ulje ndonëse akuzat për afera mes palëve janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Një konstatim i tillë bëhet nga vetë organet që merren me hetimin dhe ndëshkimin krimit. Vetë kryeprokurorja Ina Rama, gjatë analizës vjetore të Njësive të Përbashk Hetimore që janë ngritur gjatë viteve të fundit në luftën kundër korrupsionit, ka konstatuar dobësimin e forcës goditëse.
“Konstatohet numri i ulët i rasteve të regjistruara për korrupsion, numër që ka ardhur në ulje gjatë gjashte mujorit të dytë të vitit 2010”, - tha kryeprokurorja Ina Rama. Sipas fjalës që mbajti në takimin e djeshëm ku ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, SHISH-it, Ministrisë së Financave, etj., deri në fund të qershorit kanë qenë 90 procedime për korrupsion, dhe deri në fund të vitit janë bërë 117. Pra, nga 90 raste gjashte mujorin e parë në 27 raste gjashte mujorin e dytë të vitit 2010.
Fenomeni
Peshqit e mëdhenj nuk kapen. Duke iu referuar të gjitha rasteve të trajtuara gjatë një viti, drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme tha se “në përgjithësi, kallzohen zyrtarë të nivelit të ulët, ose në nivel drejtuesish lokal”. “Nuk është kallzuar ndonjë nëpunës i lartë në institucionet qëndrore gjatë 2010”, - pohoi zonja Rama. Ndëshkimi i fenomenit të korrupsionti nuk është thjeshtë punë vetëm e prokurorit, dhe në këtë kontekst, zonja Rama kritikoi punën e oficerëve të policisë gjyqësore, ekspertëve të doganave dhe tatimeve, etj. “Vihet re një tendencë në ulje e numrit të referimeve nga policia gjyqësore e Policisë së Shtetit për të gjitha veprat penale objekt i Memorandumit të Bashkëpunimit”, - tha kryeprokurorja. Sipas saj, “gjatë gjithë, vitit janë referuar 378 raste në Njësitë e Përbashkëta, për gjashtë mujorin e parë janë referuar 274 raste dhe në gjashtë mujorin e dytë 104 raste”. Pra ka një ulje rreth 60 % të referimeve në gjashtë mujorin e dytë në krahasim me të parin.
Një tjetër konstatim i bërë në analizë nga Rama ishte edhe “niveli i profesionalizmit të oficerëve të policisë gjyqësore, sidomos të Tatimeve dhe Doganave, i cili nuk është ai që kërkohet për të përballuar nevojat dhe dinamikën e hetimit të çështjeve”. Sipas saj, “konstatohet edhe në këto struktura, një shqetësim i përhershëm që lidhet me mungesën e qëndrueshmërisë në detyrë dhe mos-zëvendësimin në kohë të oficerëve të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit.
Një tjetër tregues jo pozitiv për kryeprokuroren është se “vazhdon dhe mbetet problem i punës së Njësive (prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore) diferenca e madhe ndërmjet numrit të procedimeve të rregjistruara për pastrim parash dhe rasteve të dërguara për gjykim. “Nga 58 procedime të rregjistruara gjatë 2010, janë përfunduar 16, nga të cilët 15 janë pushuar dhe vetëm një procedim është dërguar për gjykim”, - tha kryeprokurorja.
Gjendja
Përkundër realitetit ndëshkues ligjor, prej dy vjetësh ka rritje të akuzave për afera korruptive nga deputetë, drejtues partish dhe grupe të tjera. Rasti më i fundit ishte denoncimi i një video-përgjimi nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Një tjetër rast, ishte konflikti mes deputetit socialist Erion Braçe dhe deputetes Vokshi për korrupsion në tenderime, koncesione dhe leje ndërtimi. Morisë së akuzave dhe dosjeve që politika ka dërguar në prokurori, i përgjigjet një numër relativisht i ulët ndëshkimesh ligjore.
Box 1 STATISTIKA
Puna e njësive të përbashkëta hetimore për një vit
Gjatë vitit 2010 kanë qenë në hetim procedural 847 procedime penale, nga të cilat, është vendosur mosfillimi procesit për 296 kallzime penale. Nga moria e procedimeve, kanë përfunduar hetimet për 663 raste: Nga këto, janë pushuar 387 gjithsej, me 51 të pandehur ndërsa janë dërguar për gjykim 276 procedime me 419 të pandehur.
“Janë përfunduar hetimet gjatë vitit 2010 për 79 % të personave të marrë të pandehur; duke pushuar akuzat për rreth 10 % të personave të tyre dhe dërguar për gjykim rreth 90 % e personave të marrë të pandehur”, - tha drejtuesja e organit të akuzës. Sipas saj, “janë shpallur fajtor nga gjykata 162 të pandehur dhe është dhënë pafajësi/pushim çështje për 35 të pandehur. “Duke vlerësuar të dhënat e mësipërme rezulton se Gjykatat kanë deklaruar fajtorë rreth 82 % të pandehurve për të cilët ka përfunduar gjykimi dhe kanë deklaruar të pafajshëm rreth 18 % të pandehurve për të cilët ka përfunduar gjykimi”, - u shpreh në analizën vjetore kryeprokurorja Rama.
SHKURT
Prangoset autori i grabitjes së lokalit
KORÇË - Një shtetas i dyshuar është arrestuar nga policia e Korçës vetëm pak minuta para se të kryente grabitjen e një dyqani në këtë qytet. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Tasjani Leka, mësohet se janë gjetur edhe arma dhe maska që do të përdoreshin në grabitje. Strukturat e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Korçë, në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Korçës është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Tasjani Leka, 26 vjeç, banues në qytetin e Korçës, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ditën e djeshme, në oret e mbasditës, në ambjentet e një banesë të vjetër në lagjen Nr. 12 të qytetit të Korçës, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip, pushkë Model 63, një krehër me 17 fishekë luftarake, si dhe disa rroba të cilat do të përdoreshin për maskim.
Dhunuesi dhe grabitësi i varrezave përfundon në pranga
KORÇË – Policia e Korçës ka ndaluar dje një person i cili po tentonte të kryente vjedhjen e materialeve dekorative të bronxit në varrezat e qytetit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë lokale të cilat thanë se dje, në orët e para të mëngjesit nga ana e strukturave të policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë është bërë e mundur kapja e shtetasit, Genci Ilo, 36 vjeç, lindur dhe banues në lagjen 6 Korçë, i cili po tentonte të vidhte materiale dekorative prej bronzi në varrezat e qytetit.
Ndaj këtij shtetasi po kryhen veprimet hetimore procedurjale per vepren penale te “Dhunimit te varreve”.
Pragosja me armë, arrestohet 26-vjeçari
TIRANË - Dy persona janë arrestuar me akuzën e plagosjes së një shtetasi në Tiranë. Burime zyrtare të policisë, kanë thënë se nga shërbimet e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve: Real Muhamet Toska, 35 vjeç, banues në Tiranë, Enton Ibrahimaj, 26 vjeç, banues Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i këtyre shtetasve u krye sepse rreth orës 19.30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin Nexhip Oneja, 49 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i cili ka marrë mjekim në SQU. Pas hetimeve të para në vendin e ngjarjes, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”.
22 Janar 2011