E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstrata, Berisha: Rama pagoi Bandat policët bënë detyrën

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot (e shtune) ne nje konference per shtyp kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se është autori kryesor për vdekjen e civilëve dje gjatë demonstratës para selisë së qeverisë. Berisha theksoi se dje bandat e vandalë tentuan por dështuan që nën thirrjen e Ramës të pushtonin kryeministrinë. Kreu i qeverisë deklaroi se cdo tentativë e ngjashme do të marrë reagimin e policisë dhe ndëshkim.

Kryeministri deklaroi sot se Rama po perpiqet te laje duart nga krimi i tij i shëmtuar.
“Edvin Kristaq Rama së bashku me dy ish-ministrat e diktaturës, Ruci e Gjinushi dështoi me skenarin pucist të pushtonte kryeministrinë. Rama ti dje drejtove nga lokalet e Fidelit pucin e marrjes së pushtetit me dhunë. Ti që u deklarove shqiptarëve se nuk do të kontrollojmë popullin, por ishe ti që shprehe gëzimin e papërmbajtur për jetët e humbura që u paguan me 20-30 mijë lek për dhunën”.

Sipas Berishës, dje turma që ndodhej në demonstratë ishin banda të armatosura dhe kriminelë. Berisha tha se ndaj tyre në cdo formë do të veprojë ligji.
“Dy fjalë për kriminelët, banditët që u bënë shkas për 4 viktima. Ju garantoj se cdo shkelje ligji dhe dhunimi i tij do të merrni pa asnjë diskutim ndëshkimin më të merituar. Nuk ka forcë në botë që të pushtojë institucionet demokratike të një vendi anëtar të NATO. Një armik i jashtëm nuk mund ta bëjë këtë pa u përballur më parë me anëtarët e NATO. Por, as banditët nuk e bëjnë këtë pa u përballur me ligjin”.

Berisha garantoi se do të mbështesë policinë në cdo veprim të tyre. Kryeministri e cilesoi si veper terroriste antikushtetuese dhunen e ushtruar dje nga protestuesit ndaj forcave te policise dhe institucioneve.
“Të dashur qytetarë, dje unë përjetova dje atë që ndodhi me forcat e policisë. Banda kriminale, trafikantësh, kanë hedhur shishe Molotov, u kapën me armë. Unë shpreh mbështetje për Policinë e Shtetit, trupave të Gardës së Republikës, për qëndresën heroike. Në cdo përballje me krimin, bandat do kenë në anën e tyre një mbështetje të plotë, kryeministrin dhe qeveritarët”.
Kreu i qeverisë tha se qytetari ka të drejtë të protestojë, por paqësisht.
“Përulem para të drejtave të lirive dhe të drejtave themelore, të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore”.

Më tej, Berisha theksoi që ditën e mërkurë, 26 Janar do të kryejë në Tiranë një manifestim, miting paqësor dhe ftoi qytetarët të marrin pjesë në këtë manifestim.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›