Kush duhet të tërhiqet
Albert Gjoka
E premtja në mëngjes nisi me shi, u përgjak në mesditën e zymtë dhe u shpëla në zi nga shiu i mbrëmjes. Në këto kushte atmosferike u mbyll e “premtja e zezë” e demonstratës së opozitës. Më 21 janar ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte dhe nuk ndodh në asnjë vend tjetër, qoftë ky edhe fqinj, ku ka protesta shumë herë më të mëdha sesa ajo që pamë dje dhe me tensione më të ethshme. Njerëz të gjymtuar apo policë të përgjakur ka në të tilla demonstrime, por viktimat janë të pajustifikueshme. Një gjë e tillë ndodhi vetëm në Greqi, disa muaj para zgjedhjeve të parakohshme.
Demonstrata e djeshme nisi me një klimë tensionuese dhe provokimesh mes përfaqësuesve të maxhoracës dhe opozitës. Deklarata e kryesocialistit Edi Rama se “ikjen e qeverisë e vendos populli” u bë dje kryefjalë e disa qindra protestuesve, mes dhjetëra apo qindra e mijëra njerëzve që ishin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që prisnin të ndiqnin dhe mbronin udhëheqësin. Si rregull, populli ka liderin e vet dhe, siç thotë Napoloni, “do të ishte më e fortë një ushtri e dobët me një komandant të fortë, sesa një ushtri të fortë me një komandant të dobët”. Ky lloj ligjërimi politik, i prodhuar gjatë 48 orëve të mëparshme, frymëzoi njerëzit që ishin në pararojë, të cilët provokuan të parët me shkopinjtë e banderolave, apo edhe gurët që kishin marrë me vete. Radha e parë e policëve, që nuk e priste aq shpejt sulmin, u ndodh përballë goditjeve, gjë që ndezi gjithë bulevardin, deri në përgjakje. Incidenti i ndodhur në 45 minutat e parë të protestës kërkonte paqtuesin, i cili nuk u shfaq nga asnjë prej pjesëmarrësve të mitingut, qoftë ky politikan, qytetar apo përfaqësues i grupit organizator të protestës. Strukturat policore, të ndodhura nën presionin dhe shtrirjen e madhe të protestuesve që vinin nga të gjitha anët, rritën në mënyrë agresive reagimin, duke përdorur gaz lotsjellës, ujë apo mjete të tjera për shpërndarjen e demonstruesve. Dinamika vijoi dhe përfundoi me tragjedi.
Por, në mbyllje të gjithë kësaj ngjarjeje që do të hyjë si “black hole” në politikën shqiptare, të gjithë duhet të gjejnë përgjegjësitë e tyre: Opozita keqmenaxhimin e protestës dhe qeveria reagimin e dhunshëm, përtej normave të lejuara. Një konstatim i tillë duket në reagimet e rrufeshme të të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Deklarata e baroneshës Eshton, në emër të Bashkimit Europian, shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve njerëzore dhe kërkon që të zgjidhet pa asnjë vonesë të mëtejshme kriza e vazhdueshme politike në Shqipëri. Të njëjtën keqardhje shprehu mbrëmë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili, përmes zëdhënësit të tij, deklaroi se “përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo toleranca e çdo lloj dhune i shkakton një dëm të madh popullit të Shqipërisë, i cili meriton më shumë se kaq”. Trojka ndërkombëtare në Tiranë deklaroi se “dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhen shmangur”, duke kërkuar gjetjen e një kompromisi mes palëve. Këshilli i Europës “dënoi dje të gjitha llojet e dhunës” dhe iu bëri “thirrje të gjitha forcave politike që të angazhohen në dialog konstruktiv brenda institucioneve demokratike ekzistuese në Shqipëri”. Në deklaratën e përcjellë nga sekretari i Përgjithshëm i KiE-së paralajmërohet se pret që kryeministri Berisha ta informojë për këtë incident fatkeq gjatë zhvillimit të punimeve të sesionit të dimrit të Asamblesë Parlamentare në Strasburg.
Ngjyresa ndryshe ka në deklaratën e presidencës lituaneze të OSBE-së, e cila thotë se “e drejta për të demonstruar vjen së bashku me përgjegjësinë për ta bërë këtë në mënyrë paqësore”. Sipas përfaqësuesit Ažubalis, “dialogu dhe bashkëpunimi mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballet Shqipëria”. Dhuna dhe deklaratat provokative vetëm sa e përkeqësojnë situatën”.
Duke i interpretuar të gjitha këto deklarata, sheh se fshikullimi dhe përgjegjësia adresohen te të dyja palët. Por, gjuha politike pas gjakderdhjes është më e rëndë dhe duket se kërkon sërish gjak. Ndërhyrja virtuale e Presidentit të Republikës për të zbutur gjakrat dhe uljen urgjente të palëve në bisedime, ishte pjesë e zhurmës së pandjeshme të skenës politike që prej 28 qershorit të vitit 2009 dhe sot ka arritur pikun. Shtegtimi 18-mujor nga njëra anë, e kauzës së opozitës për transparencë dhe hetimin e zgjedhjeve parlamentare dhe, në anën tjetër taktika e gabuar refuzuese e maxhorancës për të mos i dhënë opozitës një të drejtë kushtetuese për të hetuar qoftë edhe materialet zgjedhore (një premtim i dhënë prej saj që një vit më parë), me zhvillimet e ditës së djeshme, e kanë çuar gjendjen në udhëkryq. Tani palët i ndan gjaku i pafajshëm i tre të rinjve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Njëra palë është fajtore për jetët e humbura. Ai që ka përgjegjësinë për vdekjen e tyre do të detyrohet që të ulet dhe të pranojë kushtet e palës tjetër, ndërsa tri viktimat e ditës së premte, të cilat meritojnë nderimin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, sot kërkojnë drejtësi më shumë se kurrë.
22 Janar 2011