E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Demontimet sa më shpejt, për të ndaluar katastrofa të tjera"

Ministria e Mbrojtjes nënshkruan marrëveshje me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, për fillimin e procesit të largimit të municioneve aktive nga zona e shpërthimit në Gërdec. Ndërsa deklaron se "shumë më tepër duhet bërë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar një tjetër katastrofë". Sipas saj, deri më sot, qeveria e SHBA-së ka financuar shkatërrimin e mijëra tonë municionesh të vjetruara, të mbetura nga periudha komuniste e Shqipërisë, me kosto totale prej 55 milionë dollarë. "Qeveria e SHBA-së do të vazhdojë të punojë me qeverinë e Shqipërisë, me qeveri të vendeve të tjera dhe organizata ndërkombëtare për t‘i zhdukur këto rreziqe nga Shqipëria dhe për ta bërë vendin të sigurt për qytetarët dhe vizitorët e tij", thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane. Sipas saj, procesi i pastrimit të zonës së sigurisë, një zonë rreth 300 metra rreth kraterit të shpërthimit, do të jetë i ngadaltë dhe i vështirë. Meqenëse shpërthime të shumëfishta kanë shpërndarë lloje të ndryshme municionesh (me ose pa djegore), barut dhe material shpërthyes në një zonë të gjerë, AGNA së pari do të pastrojë municionet në sipërfaqe. "Municionet pa djegore do të çmilitarizohen në një nga tre fabrikat e municioneve të Ministrisë së Mbrojtjes nga specialistë të trajnuar. Municionet me djegore, djegoret dhe municionet pa djegore të gjykuara tepër të rrezikshme për t‘u transportuar do të shkatërrohen në një zonë të sigurt pranë zonës së shpërthimit. Pasi të ketë mbaruar pastrimi i municioneve në sipërfaqe, procesi do të kalojë në një fazë të ngjashme me atë të çminimit", thuhet në njoftimin e ambasadës. Sipas saj, specialistët do të përdorin detektorë metali për të lokalizuar municionet. Pasi të jenë gjetur, punonjësit do të gërmojnë me kujdes deri aty ku ndodhet mjeti i lokalizuar, që mund të jetë një copë metali, një predhë pa djegore, ose municion me djegore, që mund të shpërthejë me provokimin më të vogël. Procesi i pastrimit të zonës së sigurisë mund të zgjasë deri në tre vjet. Ndërsa procesi do të kryhet nën standardet më të larta të mundshme të sigurisë, rreziku është gjithmonë i pranishëm kur punohet me eksplozivë. Ekspertë nga qeveria e SHBA-së dhe organizata të tjera, përfshirë Zyrën Shqiptare të Veprimit ndaj Minave (AMAE) dhe organizatën daneze DanChurchAid, gjykojnë se si zona e sigurisë, ashtu edhe zona përreth saj deri në 800 m, përbëjnë rrezik serioz për banorët dhe gjënë e gjallë: shpërthime, kontaminim i mundshëm i tokës e ujërave dhe dëmtime të fshehta në ndërtime, për shkak të shpërthimit të 15 marsit; ne nxisim fuqimisht banorët e shpërngulur të kësaj zone të mos kthehen, derisa ajo të gjykohet e sigurt.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›