E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat dhe propozimet, "Libri i Bardhë" nxihet nga 138 gjyqtarë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka promovuar dje "Librin e Bardhë", të prezantuar në 28 gjykata në të gjithë Shqipërinë, ku dhanë mendimin e tyre 138 gjyqtarë, duke "nxirë" fletët e këtij libri me propozime dhe halle gjatë punës së tyre. Mendimet e tyre lidhen kryesisht me nevojën për reformë në dy aspekte: reformë ligjore, ku përveç ligjit, konsiderohet e nevojshme ndërhyrje në Kushtetutë, si dhe reformë në organizimin e komponentëve përbërës të sistemit gjyqësor.

Ndryshimet në Kushtetutë

Një ndër rekomandimet e gjyqtarëve ishte heqja e imunitetit ndaj gjyqtarëve në tërësi. Sipas tyre, gjyqtarët nuk duhet të kenë imunitet nga ndjekja penale dhe të ndryshohet Kushtetuta për sa i përket nenit 137. Në libër shkruhet se aktualisht sistemi gjyqësor është një shënjestër me të drejtë dhe pa të drejtë për një sistem të korruptuar. Vetë gjyqtarët shkruajnë se "për të luftuar këtë korrupsion, si dhe për të pastruar vetë radhët e gjyqtarëve nga individët e korruptuar, duhet të hiqet imuniteti i gjyqtarëve". Sipas "Librit të Bardhë", duhen bërë ndryshime në Kushtetutë, duke parashikuar se organi i prokurorisë të kalojë në vartësinë administrative të ekzekutivit, të Ministrisë së Drejtësisë. Duhet kufizuar mandati i Prokurorit të Përgjithshëm. Ashtu si për funksionet e tjera kushtetuese, për të cilat janë parashikuar afate të ndryshme, edhe për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm duhet të vendoset një afat kushtetues për ushtrimin e detyrës. Sipas gjyqtarëve opinionistë, duhet të përcaktohet një procedurë e qartë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke specifikuar të gjitha hapat proceduralë që duhet të ndjekë Kuvendi për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Mendimet vijojnë se duhet të ndryshohet në Kushtetutë. Gjithashtu, mendimet vijojnë se Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të shkrihen në një të vetme, duke ushtruar funksionet e saj në disa kolegje si: kolegj kushtetues, kolegj penal dhe kolegj civil.

Mendimet e tjera

138 gjyqtarët në të gjithë Shqipërinë kanë shprehur opinionet se duhet të ndryshojë organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tyre, anëtarët duhet të kenë më shumë akses në hartimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në Shqipëri, si dhe për emërimin e kryetarëve të gjykatave. Ata mendojnë se duhet të përcaktohen norma ligjore për masat ndëshkuese ndaj gjyqtarëve, ndërsa reforma ligjore gjyqësore duhet të ndryshojë ligjet për organizimin e pushtetit gjyqësor, për funksionimin e KLD-së, për Gjykatën e Lartë, për funksionimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda etj. Një pjesë e gjyqtarëve mendojnë se mosha për emërimin e gjyqtarit të mos jetë më e vogël se 30 vjeç.

Gjyqtarët japin opinionet se duhet të ndryshohet Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale. Në Kodin Penal rekomandohet të vihet dorë në akuzat e falsifikimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, veprat penale që rrezikojnë jetën dhe shëndetin, prerja e paligjshme e pyjeve, përjashtimi i të miturve në dënim, trafikimit të personave etj. Gjyqtarët mendojnë se duhet të ndryshojë ligji për prokurorinë, ku të forcohet roli i prokurorit në seancë gjyqësore, për mënyrën e përfundimit të çështjes penale. Sipas tyre, duhet të krijohen pozicionet e dy zëvendësprokurorëve të përgjithshëm, që të propozohen nga Prokurori i Përgjithshëm, të emërohen nga Parlamenti dhe Presidenti të shprehet për dekretimin e tyre. Ndërsa mendojnë se kreu i akuzës të ketë një mandat 9-vjeçar, ndërsa drejtuesit e prokurorisë në rrethe mandat katërvjeçar. Opinionet në "Librin e Bardhë" vazhdojnë me ndërhyrjet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, te konferenca gjyqësore, ligjin për avokatët etj. Ndërkohë, në fund të librit, opinionistët gjykatës japin idenë se si të kryhet një sistem sigurie në gjykatat ku punojnë.

LIBRI I BARDHË

-Gjyqtarët nuk duhet të kenë imunitet përpara krimit

-Prokuroria e Përgjithshme, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë

-Shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm të kalojë në KLD

-KLD-ja të përcaktojë buxhetin e gjykatave

-Anëtarët e Gjykatës së Lartë të marrin miratimin nga KLD-ja

-Anëtarët e KLD-së nga gjykatat, profesorëve të së drejtës dhe juristëve më të aftë, jo nga politika.

-Mosha e gjyqtarit, jo më e vogël se 30 vjeç

-Të ndryshohen ose të miratohen Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale

Spahiu: Do ndëshkojmë këdo gjyqtar që abuzon

Kreshnik Spahiu, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kanë zhvilluar takime me 16 krerët e sapozgjedhur të gjykatave. Në fjalën e tij, Spahiu është shprehur se duhet reformuar drejtimi i gjykatave dhe se KLD-ja do të monitorojë punën në to. "Ndëshkim i rëndë për këdo që abuzon", tha Spahiu. Pas kësaj, nënkryetari i KLD-së prezantoi në mbledhjen e radhës "Librin e Bardhë" të drejtësisë, ku përfshihen disa rekomandime për të eliminuar problemet në këtë fushë. Në këtë prezantim, ku ishin të pranishëm dhe kryetarët e 16 gjykatave në rrethe, Spahiu deklaroi se "për hartimin e librit kanë punuar një grup ekspertësh, lektorësh dhe avokatësh juristë, të cilët kanë përmbledhur sugjerimet e vërejtjet e bëra nga 130 gjyqtarë. "‘Libri i Bardhë‘ synon që të shndërrohet në një manifest të pjesës së ndershme dhe vitale të pushtetit gjyqësor, e cila do ta udhëheqë këtë grupim në lëvizjet për një shtet ligjor dhe për shumë pavarësi. "Libri i Bardhë" është garancia më e mirë për të hartuar një strategji reformash dhe ndryshimesh, të cilat do t‘i japin fund realitetit të hidhur të antagonizmit mes ligjit dhe të drejtës", nënvizoi Spahiu.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i pranishëm në këtë prezantim, theksoi se "ka ardhur koha t‘i jepet fund praktikave të vjetra të KLD-së dhe se reforma në drejtësi nuk mund të bëhet vetëm". Ministri hodhi akuza në drejtim të disa gjyqtarëve, që, sipas tij, "sabotojnë proceset gjyqësore".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›