E Diel, 1 Nëntor 2026

OJQ-ja: "Policia ka dijeni për shqetësimet tona"

Hidhen poshtë si të pavërteta deklaratat e policisë shqiptare se nuk ka pasur dijeni për faktet e poseduara për trafikun e grave apo vajzave shqiptare për prostitucion në Angli. Në deklaratën e policisë shqiptare thuhej se në asnjë rast nuk është diskutuar rreth problemeve të trafikut me organizatën britanike "Poppy Project". Por, në një prononcim për "Shqip", "Poppy Project" thotë se shqetësimet rreth këtij problemi, i janë përcjellë zëvendësministres së brendshme, Iva Zajmi, gjatë vizitës së saj në Londër. Denise Marshall, drejtorja e përgjithshme e OJQ-së rreshton një sërë faktesh që çuan në këtë konkluzion, paraqitur në Parlamentin Britanik disa ditë parë, gjatë një seance dëgjimore. Sipas saj, "Poppy Project" ka asistuar me ndihmë 81 vajza dhe gra të trafikuara nga Shqipëria për në Angli. Dëshmitë e tyre kanë qenë vendimtare për të arritur në konkluzionin se segmente të policisë shqiptare nuk bëjnë sa duhet në luftën kundra prostitucionit. Të trafikuarat kanë thënë se autoritetet shqiptare në aeroporte, pasi paguhen nga trafikantët lejojnë kalimin e vajzave minorene. "Gratë e trafikuara janë ritrafikuar përsëri, vajzat e dëbuara nga policitë evropiane janë përdhunuar nga oficerë të policisë në qendrat e pritjes", thuhet në raport.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›