SHISH-i kërkon 1 milion dollarë për hetime speciale
Shërbimi Informativ Shtetëror kërkon më shumë fonde për të rritur cilësinë e shërbimit të tij. Komisioni i Sigurisë shqyrtoi dje projektbuxhetin 2009 për Ministrinë e Brendshme, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për Shërbimin Informativ. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme janë shprehur të kënaqura me atë që u ka dhënë Ministria e Financave, SHISH-i ka shfaqur pakënaqësi. Drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, tha dje se fondi prej 59.5 milionë lekësh që ka marrë ky institucion për shpenzime kapitale, pra që përdoren për punën e institucionit, janë të mjaftueshme për punën rutinë të agjentëve të SHISH-it. Ai tha më tej se puna e institucionit, në rast se i kërkohen punë shtesë apo hetime speciale, do ta ketë pamundur ta realizojë me këtë buxhet. Këtë deklaratë drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, e tha në një takim me dyer të mbyllura të komisionit, dhe në mbledhjen e hapur, ai nuk përmendi shifrën shtesë që kërkon institucioni i tij. Megjithatë, deputetët konfirmuan për gazetën se SHISH-i kërkon një shtesë prej gati 40 për qind të fondeve kapitale, që nevojiten për shtim pune. Pra, nga 59.5 milionë, ky fond të shkojë në 100 milionë lekë ose në rreth 1 milion dollarë në vit. Në total, SHISH-i, duke futur të gjitha shpenzimet, si pagat apo shpenzimet operative, do të harxhojë gjatë vitit 2009 1.1 miliard lekë ose rreth 1 milion dollarë. Ky fond është hartuar me mirëkuptimin e SHISH-it dhe Ministrisë së Financave, por SHISH-i ka vënë kushtin që në rast se kërkohen hetime apo cilësi në punën e këtij institucioni, duhen fonde shtesë. Parimisht, deputetët e miratuan këtë kërkesë, dhe në formë zyrtare, Komisioni i Sigurisë do t’ia kalojë atij të Ekonomisë për rritjen e këtij fondi. Më pas, Ministria e Financave do të vendosë në rast se do të rritet ky fond ose jo. Komisioni i Sigurisë miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2009 për institucionet e Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe SHISH-it. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i SHISH-it, drejtorja e Hartimit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmdi dhe mjaft specialistë të tjerë. Ministri Oketa vlerësoi buxhetin për mbrojtjen. “Buxheti nga ky vit rritet me 7 për qind dhe ne shkojmë në 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen. Në total, kemi mbi 200 milionë euro për të shpenzuar dhe kjo do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë dhe modernizimit të ushtrisë shqiptare”, - tha Oketa, i cili shtoi se ministria e tij do të rrisë kapacitetet menaxhuese për të mirëshpenzuar këto fonde në ushtrinë shqiptare. Zëvendësministri i Brendshëm Strazimiri vlerësoi buxhetin për ministrinë e tij dhe tha se ky buxhet mbështet objektivat e kësaj ministrie. Ai theksoi se Policia e Kufirit do të ketë një rritje të konsiderueshme fondesh. “Kjo do të bëjë të mundur rritjen e kapacitetit të kësaj policie në mënyrë që kufiri të menaxhohet shumë herë më mirë”, - tha Strazimiri në komision. Deputeti i PS-së, Stefan Çifa, kritikoi disa zëra të projektbuxhetit dhe votoi kundër tij. Ai tha se duhet bërë më shumë për menaxhimin e fondeve, pasi sipas tij, “policët shqiptarë prej muajsh nuk kanë marrë shtesat në pagat e tyre për punën jashtë orarit”. Më tej, ai tha se duhet bërë më shumë për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve si dhe duhet të mirëshpenzohen këto fonde për institucionet e sigurisë. Komisioni në fund votoi në parim me 6 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim projektbuxhetin 2009.