Dëmshpërblehet Agim Shehu
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës “shpërblen” me 14 milionë lekë ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe njëkohësisht ish-zv.ministrin e Brendshëm në vitin 1997, gjeneralin Agim Shehu. Togat e zeza të kësaj gjykate mbyllën pak ditë me parë shqyrtimin gjyqësor, ku Shehu ishte paditës dhe palë e paditur Ministria e Brendshme, duke pranuar kërkesën e gjeneralit. Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtari Artan Zeneli, Ministria e Brendshme duhet të shpërblejë paditësin me shumën e pagesave që nga viti 1997 deri në vitin 2008. Mësohet se totali i tyre shkon afërsisht në shumën 14 milionë lekë të rinj. Gjithashtu për këtë periudhë 11-vjeçare, Shehu, aktualisht drejtor i Investigimit në Drejtorinë e Tatimeve, do të përfitoje edhe fitimin e munguar të interesave bankare.
SHPERBLIMI
Në 11 dhjetor të vitit të kaluar gjenerali Agim Shehu depozitoi në Gjykatën e kryeqytetin një padi civile kundër Ministrisë së Brendshme. “Detyrimi i të paditurit është t’i japë paditësit gradën madhore ‘Drejtues i Parë’. Detyrimi i të paditurit, t’i paguajë paditësit të gjitha përfitimet pasurore në përputhje me gradën që nga data 30 qershor 1997 dhe fitimin e munguar, të përbërë nga interesat bankare. Detyrimin e të paditurit, t’i njohë paditësit këtë periudhe si kohë pune e shërbimi”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë së Shehut. Mësohet se gjatë gjykimit Shehu ka hequr dorë nga kërkesa për kthimin e gradës. Pas tri seancash shqyrtim gjyqësor, gjykata e Tiranës i dha vetes kohë për shpalljen e vendimi. Në verdiktin përfundimtar togat e zeza pranuan kërkesën e gjeneralit për shpërblimin e tij financiar. Referuar këtij vendimi, gjithë periudha 1997-2008, përfshi periudhën kur ai ishte jashtë Shqipërisë, do t’i llogariten si vite shërbimi në polici. Vendimi i fundit i gjykatës së kryeqytetit shton në “CV”-në e gjeneralit Shehu, një tjetër fitore me drejtësinë. Në vitin 2008 një vendim gjykate i riktheu atij gradën e “Gjeneralit”, gradë që e kishte humbur nga një dekret i presidentit, me motivacion se “kishte thyer rregullat e ushtarakut”. Ndërkohë që në vitin 2005 Gjykata e Lartë pushoi çështjen gjyqësore të shqyrtuar në shkallët me të ulëta të gjyqësorit, ku Shehu akuzohej për “dezertim”.
Shehu mori pafajësi në gjykatë
Agim Shehu, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe zv.ministër i Brendshëm mori pafajësi në gjykatën e Lartë për akuzat armëmbajtje pa leje dhe dezertim. Gjykata e Shpalli të pafajshëm Agim Shehun për akuzat nuk u vlerësuan të provuara ndërsa çështja penale ndaj tij u gjet me shkelje proceduriale në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Gjykatën e Apelit.