E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës shpall të pafajshëm Nikollaq Neranxin



TIRANE – Gjykata e Tiranës deklaroi dje të pafajshëm Nikollaq Neranxin, ish-deputetin e LSI-së, të akuzuar nga prokuroria për kontrabandë. Sipas vendimit të shpallur dje nga Gjykata e kryeqytetit, trupi gjykues e gjetur të paprovuar akuzën “kontrabandë me mallra të tjera”, ngritur ndaj ish-deputetit. Vendimi që i dha fund shqyrtimit gjyqësor të dosjes me të pandehur ish-deputetin Neranxi, u shpall dje nga gjyqtari Sokol Tona. “Gjykata, pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga palët në proces, pasi dëgjoi pretendimin e prokurorisë për deklarimin fajtor dhe dënimin e tij me 10 milionë lekë gjobë dhe pretendimin e mbrojtjes për pafajësi, vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit”, thuhet në vendimin e shpallur nga gjykata. Sipas trupit gjykues, kallëzimi i prokurorisë në adresë të kompanisë në pronësi të Neranxit ishte bërë në një kohë që ajo drejtohej nga babai i tij, i cili nuk jeton më. Në gjykimin ndaj ish-deputetit Neranxi, në gjykatën e Tiranës u zbatua procedura e gjykimit me kohë të shkurtuar. Në seancën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga akuza, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe gjobitjen e tij me 10 milionë lekë gjobë. Në konkluzionet përfundimtare, prokurori i çështjes pohoi se nga kompania kanë kaluar mallra pa paguar detyrimet doganore në 21 raste. Sipas organit të akuzës, gjatë vitit 2001-2004, firma që drejtohej nga babai i ish-deputetit, i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 13 milionë e 664 mijë lekësh të rinj. Kjo shumë pretendohet nga akuza se ishte shkaktuar nga mospagimi i doganës nga punonjës të kompanisë së ish-deputetit, në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Në gjykatën e Tiranës, ish-deputeti Neranxi u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës, Theodhori Sollaku, ish-Prokurori i Përgjithshëm. Vetë ish-deputeti Neranxi i ka hedhur poshtë akuzat, ndërkohë që para gjykatës, mbrojtja e tij ligjore argumentoi pafajësinë, duke u bazuar në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Sipas konkluzioneve të mbrojtjes ligjore të ish-deputetit, akuza e ngritur ndaj tij për kontrabandë, nuk u gjet e provuar dhe për rrjedhojë, Nikollaq Neranxi është shpallur i pafajshëm për veprat penale që i adresoheshin. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›