Koloneli,dëshmitar te “Gërdeci”
TIRANE – Gjykata e Tiranës nuk mundi të zhvillojë normalisht dje seancën e radhës, në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Seanca u mbyll vetëm pasi trupa gjykuese bëri apelin e palëve në proces. Shkak për dështimin ishte mungesa e disa avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Dështimi i seancës çoi edhe në dështimin e marrjes në pyetje të pesë dëshmitarëve, të cilët ishin paraqitur në proces. Një prej dëshmitarëve ishte edhe Mehmet Metko, personi i përmendur në dëshmitë e dy seancave të mëparshme, si një nga njërëzit që kishte “përcjellë” urdhrin verbal për lejimin e punimeve për ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.
Gjatë këqyrjes së prezencës së palëve në proces, kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, përsëriti në mjaft raste togfjalëshin: ka marrë njoftim, por nuk është prezent në seancë.
Ndonëse nuk e kishte prezent avokatin e tij, i pandehuri i arrestuar, Dritan Minxolli, pranoi dje të vijonte gjykimi, duke u përfaqësuar pa avokat. Por jo prezent në seancë figuronte edhe avokati Maksim Haxhia, i cili la pa mbrojtje të pandehurin Mihal Delijorgji, të pandehurën J. Margariti dhe kompaninë Albademil. Kur gjykata i kërkoi mendim prokurorisë për vijimin e seancë, përfaqësuesit e akuzës nuk patën rrugë tjetër veç kërkesës për shtyrje, që u pranua nga gjykata. I thirrur si dëshmitar i akuzës, Mehmet Metko ishte dje prezent në gjykatë. Për shkak të dështimit të seancës, gjykata nuk mundi të administrojë dëshminë e tij. Emri i dëshmitarit Metko është lakuar disa herë në dëshmitë e seancave të mëparshme në proces. Sipas këtyre dëshmive Metko ka qenë “hallkë” në zinxhirin ku ka kaluar urdhri verbal për lejimin e nisjes së punimeve të ndërtimit të fabrikës së demontimit në Gërdec. Ky urdhër, i pretenduar nga disa dëshmitarë, solli një seancë më parë përplasje mes një dëshmitari dhe të pandehurit Shpëtim Spahiu. Në seancën e 15 marsit 2010 dëshmitari Hasim Selmani, ish-komandant i batalionit të raketave në Maminas, tha se kishte kontaktuar eprorin e tij, Metko, për lejimin apo jo të nisjes së punimeve. Emri i Metkos u përmend edhe në seancën e kaluar gjatë dëshmisë së ish-komandantit të Forcave Ajrore, Astrit Jaupi.