E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk është problemi tek oligarkia

Blendi Kajsiu

Gjithnjë e më shpesh në mediat shqiptare flitet me revoltë kundër oligarkëve apo oligarkisë. Se kush janë këta nuk para sqarohet qartë, por lihet të kuptohet se kemi të bëjmë me një grusht njerëzish që kontrollojnë pushtetin mediatiko-politiko-ekonomik në Shqipëri. Shpesh të gjitha të zezat e Shqipërisë duket sikur e kanë burimin tek oligarkia apo oligarkët tanë. Janë këta që në bashkëpunim me politikanët vjedhin buxhetin, marrin tenderat, manipulojnë popullin, pengojnë konkurrencën e ndershme ekonomike dhe e mbajnë vendin të zhytur në mizerje dhe varfëri Që në Shqipëri ekziston një sistem i mbrapshtë mediatiko-politiko-biznesi, është më se e qartë. Që qeveriset nëpërmjet një sistemi jo-transparent klientelist, edhe kjo është e vështirë të mohohet. Që privatizimet, tenderat apo kontratat qeveritare shpesh fitohen nga ata që kanë lidhje me, apo i shërbejnë pushtetit, edhe kjo shpesh duket ashiqare. Ashtu sikurse nuk ka nevojë të punosh në media për të kuptuar se qëllimi kryesor i saj është instrumentalizimi për fitime të biznesit që e financon. Ndonëse dikush e përdor median me klas dhe me karar dhe dikush e përdor troç dhe trashë fare.
E megjithatë, të thuash që Shqipëria sot qeveriset politikisht dhe administrohet ekonomikisht nga oligarkët apo oligarkia shqiptare është krejtësisht e gabuar. Arsyeja është e thjeshtë: si politikisht, dhe aq më shumë ekonomikisht, Shqipëria nuk është një vend sovran. Oligarkia nënkupton një sistem ku një grusht njerëzish qeverisin dhe kontrollojnë si politikën edhe ekonominë. Në Shqipëri, as njëra dhe as tjetra, nuk është as tërësisht dhe as në shumicën e saj në duart e shqiptarëve.
Po të shohim ekonominë shqiptare kuptojmë se pjesa e luanit nuk kontrollohet aspak nga biznesi shqiptar. Qoftë telefonia celulare, qoftë ajo fikse, qoftë tashmë energjia elektrike, qoftë sistemi bankar, që janë sektorët madhor të ekonomisë sonë, nuk janë aspak në duart e ndonjë oligarkie shqiptare. Por edhe te projekte madhore si rruga Durrës-Kukës, llokmën kryesore të përfitimit e marrin bizneset e huaja. Vetëm vitin e kaluar, po t’i referohemi statistikave të Bankës së Shqipërisë, pothuajse 400 milionë euro dolën nga vendi ynë, si fitim i firmave të huaja te ne. Nuk është çudi, që leku zhvleftësohet teksa rritet kërkesa për euro që largohen nga Shqipëria. Madje Shqipëria nuk ka bërë as ndonjë marrëveshje rikapitalizimi me investitorët e huaj, në mënyrë që fitimin që ata nxjerrin në Shqipëri ta ri-investojnë po tek ne, në mënyrë që nga vendi ynë mos të largohen lirshëm kapitale që aq shumë na duhen.
Biznesi lokal në shumicën e rasteve konkurron për atë që mbetet, pasi nuk është i aftë të konkurrojë me firmat e mëdha që vijnë nga jashtë. Firmat ekonomike të të ashtuquajturve oligarkë, janë në fakt tejet të vogla dhe gjithnjë kërcënohen nga falimentimi, ndaj varen kaq shumë nga prokurimet publike dhe pushteti i ditës. Natyrisht të ashtuquajturit oligarkët tanë janë shumë më të pasur sesa qytetari i thjeshtë shqiptar. Ata kanë miliona euro, makina dhe shtëpi lukzose, madje edhe media private, dhe këto për çdo qytetar që me zor mbyll 15-ditëshin janë shumë. Ama, nëse pasuria dhe fuqia e tyre ekonomike është e mjaftueshme për të shitur tangërllik në qytet, fuqia e tyre ekonomike qoftë edhe me standardet e tregut ballkanik, është mjaft e vogël. E thënë thjesht, sot në Shqipëri ka pak ose aspak firma shqiptare realisht të fuqishme ekonomike. Asnjë që të mund të krahasohet me Vodafonin, AMC apo Raiffaisen Bank.
Në këto kushte ideja se Shqipërinë po e zhvasin dhe po ia marrin frymën oligarkët shqiptarë është e pasaktë, të paktën ekonomikisht. Kjo nuk do të thotë se nuk vidhet apo abuzohet në tenderat publik nga firmat shqiptare. Por për nga vetë përmasat e këtyre firmave, këto abuzime nuk përbëjnë shumicën e asaj që “zhvatet” nga ekonomia shqiptare. Nëse do identifikonim realisht se kush e ka “zhvatur” nga ana sasiore më shumë buxhetin apo popullsinë tonë, mjafton të shikojmë projekte qindra milionë euroshe si rruga Durrës-Kukës dhe përfitimin e kompanive të huaja prej tyre. (Imagjinoni çdo kish ndodhur, sikur tenderin e rrugës që po shkon 1 miliard euro, ta kishte fituar një firmë shqiptare!). Mjafton të shohim sektorin e telefonisë celulare dhe tarifat e tij këto dhjetë vitet e fundit, për të kuptuar se sa “lesh” kemi lënë në to, secili prej nesh. Mjafton të shikojmë sektorin bankar dhe interesat tejet e larta që duhen paguar për të larë kreditë. Natyrisht, në këto raste kemi pasur edhe përfitime, pasi sot kemi një sistem telefonie dhe bankar të zhvilluar. Ama se sa kanë kontribuar dhe sa do të kontribuojnë këto në zhvillimin e ekonomisë shqiptare mbetet e dyshimtë, veçanërisht po të kemi parasysh qindra milionë euro që dalin prej vendit tonë në formë fitimi.
* * *
Në këto kushte, pyetja që shtrohet natyrshëm është: përse flitet kaq shumë për oligarkët, a thua se ekonominë shqiptare e kontrollojnë një grusht biznesmenësh vendës? Ka të paktën tri arsye. Së pari, në mungesë të sovranitetit konceptual ne e kuptojmë realitetin tonë duke “marrë borxh” koncepte nga jashtë dhe duke i aplikuar brenda. Oligarkia është një nga këto koncepte, që është zhvilluar nga politologët perëndimor për të shpjeguar modelin ekonomik rus, ku në një periudhë të caktuar asetet kryesore të ekonomisë ruse kontrolloheshin nga një grup oligarkësh. Me ardhjen e Putinit në pushtet, rezultoi se në fakt Rusia nuk ishte tamam oligarki, pasi shumë lehtë Putini i vuri nën kontroll të ashtuquajturit oligarkë. Por nëse koncepti i oligarkisë ishte i pasaktë në rastin e Rusisë, në rastin e Shqipërisë ai është krejt i pavend, pasi fsheh realitetin e sotëm ekonomik shqiptar. Sot në Shqipëri mungon ekonomia kombëtare. Ekonomia shqiptare është një hapësirë e lirë ndaj kapitalit të huaj, një aneks i vogël i ekonomisë globale dhe një rezervë e krahut të lirë të punës, që shpesh nëpërmjet emigracionit furnizon dhe stimulon ekonomitë fqinje, siç ka ndodhur p.sh me bujqësinë greke, që ka përfituar mjaft nga krahu i punës shqiptar. Koncepti i oligarkisë krijon iluzionin se ekonomia shqiptare kontrollohet nga vendësit (gjë që ishte dhe është shumë më e vërtetë në rastin e ekonomisë ruse).
Këtu vijmë tek arsyeja e dytë. Koncepti i oligarkisë përdoret, pasi ai jo vetëm e fsheh realitetin ekonomik shqiptar, por edhe e riprodhon atë, për dy arsye. Së pari, ky koncept dështimet e modelit tonë ekonomik ia faturon një grushti biznesmenësh shqiptarë që, ndonëse bien lehtë në sy, në fakt as nuk e kontrollojnë dhe as nuk e ndikojnë shumë ekonominë shqiptare. Kështu, problemi nuk është me modelin e zhvillimit, por me një grusht maskarenjsh, të cilët përfitojnë prej tij dhe nuk e lejojnë atë të zhvillohet. Kështu, teksa të gjitha bashkë ose veç e veç urrejmë çdo firmë apo biznesmen shqiptar, e vetmja zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët bëhet biznesi i huaj. Vini re se sa pak anatemohet biznesi i huaj te ne edhe kur çmimet i ka të kripura dhe pozitat oligopolike. Kështu, biznesi i huaj është i mirë dhe ai lokal është i keq. Në këtë mënyrë, legjitimohet dhe riprodhohet ideja se shpëtimi i Shqipërisë do vijë nga kapitali i huaj.
Së dyti, ekonomikisht e kundërta e oligarkisë është konkurrenca e lirë. Ndaj ideja themelore që transmeton denoncimi që i bëhet oligarkisë është ideja bazë neoliberale se, shpëtimi i ekonomisë shqiptare është te konkurrenca e lirë. Ndërkohë që nga konkurrenca e lirë përfiton kapitali i huaj dhe humbet kapitali lokal. Sot, në emër të konkurrencës së lirë, nëse qeveria jonë tregon preferencë për ndonjë firmë apo bankë lokale, kjo denoncohet si kulmi i korrupsionit. Theksi vendoset te konkurrenca, edhe pse konkurrenca e ashpër e firmave shqiptare mes vetes dhe konkurrenca e pabarabartë me firmat e mëdha ndërkombëtare i ka lënë firmat shqiptare të paafta për t’u rritur dhe për të krijuar kapacitete teknologjike, që do rrisnin aftësinë e tyre konkurruese. Për pasojë, në vend të firmave të fuqishme shqiptare sot kemi biznesmenë të fuqishëm shqiptarë, që çirren me apo në media, për të mbijetuar ekonomikisht.
Këtu vijmë tek arsyeja e tretë se përse koncepti i oligarkisë po përdoret kaq rëndom. Nëse kapitali i huaj është anonim, pra nuk ka një fytyrë apo adresë, si çdo kapital i madh bashkëkohor, kapitali lokal jo vetëm ka një emër, një fytyrë dhe një adresë, por edhe shfaqet përditë në mënyrë direkte apo indirekte në media. Me pak fjalë, kapitali lokal është lehtësisht i identifikueshëm, sikurse edhe lehtësisht irritues, për dy arsye. Së pari, sepse në Shqipëri si pasojë e indiferencës së shtetit pabarazia ekonomike dhe sociale ka ardhur duke u rritur. Ndaj është irrituese për qytetarët shqiptar, të cilët mezi mbijetojnë ekonomikisht të shohin kapitalistë shqiptarë, që në sytë e tyre kanë “pasuri përrallore”. Edhe pse ajo që është “pasuri përrallore” me standardet e një qytetari të thjeshtë, është një kompani tejet e vogël me standardet e tregut ndërkombëtar apo kombëtar. Së dyti, është edhe sindroma ’u bëre ti!’. Në një shoqëri të vogël si kjo e jona, ku gjithkush njeh gjithkënd, nuk është e lehtë të pranohet pasurimi i madh dhe i shpejtë i një bashkëqytetari, sidomos në kushte të vështira ekonomike për shumicën e shoqërisë. Aq më tepër kur biznesi lokal nuk ka sens kombëtar, pra nuk prodhon përfitime për shtresa të gjera sociale, pasi te ne nuk stimulohet biznesi prodhues.
Në kushte të tilla, është sa e lehtë po aq edhe joshëse të denoncosh oligarkët shqiptarë, edhe pse fitimet më të mëdha nga ekonomia shqiptare i përfiton tjetërkush. Kjo nuk do të thotë aspak, se në Shqipëri mungon klientelizmi apo një sistem i shëmtuar mediatiko-politiko-biznesi. Ky sistem duhet vendosur dhe kuptuar në një kontekst më të gjerë kombëtar dhe global, si pjesë e një mekanizmi më të gjerë politiko-ekonomik, që fillon jashtë dhe mbaron brenda Shqipërisë. Sistemi meditiko-politiko-biznes është në vetvete një nga produktet dhe ingranazhet e një sistemi më të gjerë neoliberal, të cilit i shërben dhe brenda të cilit operon.
Për ta kuptuar këtë mekanizëm, duhet të çlirohemi nga përdorimi i koncepteve që na serviren dhe që ne i gëlltisim mjaft lehtë, pasi ende na mungon gjuha jonë politike dhe ekonomike, dhe aftësia për të menduar vetë. Duhet të kuptojmë se shumë nga konceptet që ne përdorim për të kuptuar realitetin tonë janë prodhuar në funksion të qëllimeve dhe realiteteve të tjera. Kështu, shumë nga termat politike që kanë hyrë në modë së fundi si, iliberalizmi, autoritarizmi, apo oligarkia janë në fakt koncepte që synojnë të përkufizojnë Perëndimin më shumë sesa të shpjegojnë Lindjen. Kështu, nëse Perëndimi është liberal, Lindja është iliberale, nëse Perëndimi është poliarkik, Lindja është oligrakike, nëse Perëndimi është demokratik, Lindja është autoritariste. Koncepte të tilla më shumë sesa një dritare që na hapet, janë një derë që na mbyllet përballë realitetit ku jetojmë. Ndaj në artikullin në vijim do “sulmojmë” konceptin e autoritarizmit, që shumëkush e shikon si problemi themelor të skenës sonë politike. Këtë kritikë do ta zhvillojmë në artikullin me titullin e veçantë “Nuk është problemi tek autoritarizmi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›