E Diel, 1 Nëntor 2026

Miqtë e Qirjaqit:Agonia nga spitali në shtëpinë e kurës



alma mile

Prej muajsh nuk fliste. Tanimë miqtë ia kishin mësuar gjuhën e syve, mimikën, gjestet... Në atë atmosferë tragjike, i merrte edhe gazi e në fytyrën e tij të hequr përvijohej një buzëqeshje. Nuk qenë të lumtura ditët e fundit të Agim Qirjaqit, ndonëse ai i dha sa mundi. Prej vitit 2006 vuante nga disa sëmundje, njëra më e frikshme se tjetra, aq sa dikush do mendonte se “kishte zënë fatin me gurë!”. Mesditën e së dielës, ai u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare dhe dje, miq, kolegë, ata që e deshën, i dhanë lamtumirën e fundit. Ishte mbushur plot oborri përpara Teatrit Kombëtar, ku u zhvillua ceremonia mortore, nga ora 13:00-14:00. Nuk munguan edhe politikanët, që shprehën ngushëllimet për këtë humbje, vërtetë të madhe. Po kujt nuk do t’i dhembte vdekja e Agim Qirjaqit?! Një aktor i shkëlqyer, por edhe një njeri shumë i mirë. Por ata që do ta ndjejnë më shumë humbjen e tij, janë padyshim miqtë, ata që i ndenjën pranë, deri në momentet e fundit të jetës. Ahmet Pashës i dridhet buza. Me zor i mban burri lotët, që i lëngëzojnë sytë. Qëndron te dera e hollit të Teatrit Kombëtar, aty ku e kishte parë të hynte sa e sa herë mikun e tij. Pret e përcjell njerëz, kësaj here për mort. “Ne sot nuk kemi humbur një koleg, por një shok, një mik të vjetër. Kemi punuar bashkë për 37 vjet dhe kemi ndarë të mirat dhe të këqijat me njëri-tjetrin. është një moment, që vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar dhimbjen. Aq më tepër që sëmundja e tij ishte shumë e rëndë. Ne kemi bërë maksimumin, për t’i qëndruar pranë, për ta ndihmuar. Por ndihma mund të ishte vetëm morale, sepse nuk kishim ç’të bënim më shumë”, tregon Pasha, një prej njerëzve që i ndenji mbi krye deri në fund.
Diagnostikimi i sëmundjes
Ahmet Pasha thotë se për të shpëtuar jetën e Qirjaqit, e çuan problemin deri në Qeveri, nga ku nuk mungoi gatishmëria dhe dëshira për ta nxjerrë jashtë vendit. “U shtrua edhe urgjent në spital, por kur u ekzaminua që sëmundja e tij ishte e pashërueshme dhe jetëgjatësia e tij do të ishte e shkurtër, nuk u pa e arsyeshme që të kurohej jashtë”. Pasha tregon se Qirjaqi vuante nga Alzaimeri (Alzheimer), Parkinsoni dhe 4-5 muajt e fundit iu shfaq edhe një masë tumorale në kockë. Të gjitha këto i shkaktuan azotemi të lartë në veshka, kiste në mëlçi, çka e bënte të pakthyeshëm shëndetin e aktorit. Sëmundja e Alzajmerit i solli çrregullim të kujtesës, ndërsa Parkinsoni, degradim të sistemit nervor qendror, që shkaktoi edhe dëmtimin e të folurit. “Kishte kohë, që për shkak të sëmundjes, nuk fliste. Prej 7-8 muajsh nuk artikulonte më dhe merreshim vesh më shumë me gjeste. Ishte lloji i sëmundjes që e preku në sistemin nervor dhe i bllokohej çdo lloj marrëdhënie me fjalën, pa mundur dot të shprehej. Megjithatë bashkë me shokët e tjerë që i kemi qëndruar pranë në këto momente të vështira, pamë tek ai një njeri me kurajo, që kurrë nuk u ankua, që e mori me shumë burrëri dhe sëmundjen dhe ashtu u largua, me shumë burrëri”, thotë Pasha, teksa shton se edhe në spital, por edhe në shtëpinë e kurës, ku ndërroi jetë, u ndoq me përkushtimin maksimal.
Ditët në spitalin
nr. 5
Regjisori dhe aktori Alfred Bualioti ka shumë për të treguar për Agim Qirjaqin. Një njohje e gjatë, shumëvjeçare, shumë pikëtakime, bashkëpunime, pushime të kaluara së bashku në kampet e socializmit, apo në kabinat e shtrembra të Durrësit. Nuk mund të mos i qëndronte pranë edhe në fund të jetës. Drithërohet kur kujton ditët e kaluara në Spitalin nr.5 në Tiranë. “Në spitalin e tmerrshëm... Po, po kështu ishte. Në spital, ku nuk kishte asnjë ashensor, ne shokët e tij, Besim Kurti, Vasjan Lami e unë, na duhej që ta merrnim edhe në krahë e ta zbrisnim nga kati i tretë, për t’i bërë një radiografi, apo një eko. Na ndodhte që edhe të qeshnim në këto situata gati surreale, e ai qeshte bashkë me ne”, thotë Bualioti, teksa shton se në shtëpinë e kurës (një institucion privat, i cili kushtonte 500 euro në muaj), ku kaloi ditët e fundit, pati një kujdes të veçantë mjekësor. Shpesh herë vinte ta vizitonte edhe e bija, e cila prej shumë vitesh jeton në Itali. Rreth 30 vite më parë, aktori u divorcua nga e shoqja, e cila mori kujdestarinë e së bijës. Qysh atëherë, Qirjaqi nuk krijoi familje tjetër dhe gjatë ditëve të fundit, ata që iu gjendën më së shumti, ishin pikërisht kolegët, me të cilët kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. “Ky qe fati i tij, që të largohej dhe ne të na krijohet një gropë e thellë, një mungesë e madhe nga ikja e një miku, e një shoku, e një artisti të madh, të teatrit dhe filmit, por shansi i njerëzve të skenës është që largohen fizikisht, por vepra e tyre mbetet dhe Agimi ka mjaft gjëra që do t’i mbeten për një kohë shumë të gjatë. Do të kujtohet nga gjithë brezat, jo vetëm nga ne, por edhe nga brezat e ardhshëm, të cilët do ta shohin në ekran me admirim dhe me siguri do të mbetet për një kohë të gjatë”, thotë Ahmet Pasha.

Topi: Rolet e tij, në piedestalin e artit shqiptar

Një mesazh ngushëllimi për familjen e aktorit, regjisorit dhe pedagogut Agim Qirjaqi, edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili nuk mungoi dje në ceremoninë e lamtumirës, zhvilluar në hollin e Teatrit Kombëtar. “Me hidhërim të madh mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Në këto çaste fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e të dashurit Agim, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, është shprehur Kreu i shtetit. “Duke qenë i bindur se rolet dhe vepra e tij në tërësi do të vazhdojnë të mbeten përgjithmonë të gdhendura në piedestalin e skenës dhe kinematografisë shqiptare, si dhe kujtesën e artdashësve, më lejoni edhe një herë të ndaj me ju dhimbjen e pa rrëfyer njerëzore!”, tha Presidenti Topi.

Rama: S’duhet ta lëmë bosh panteonin e kulturës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mori pjesë dje në ceremoninë e ndarjes nga aktori Agim Qirjaqi. Ai u shprehu ngushëllimet familjarëve, duke shtuar se vdekja e tij është një humbje e madhe për skenën dhe filmin shqiptar. “Rasti ma ka sjellë që fatkeqësisht të gjendem shpeshherë në këtë pozitë në këto vite. Detyrohem të gjej fjalë, që në fakt janë shumë të vështira për t’u gjetur, për të shprehur respektin, mirënjohjen dhe njëkohësisht përmasën e një humbjeje, si kjo e një artisti që ka lënë gjurmë në kujtesën e secilit dhe në kulturën tonë kombëtare. Megjithatë, për shkak se kështu ndodh dhe se kështu është jeta, më ritakon që të rishpreh nga njëra anë keqardhjen e madhe për humbjen të këtij artisti të madh dhe nga ana tjetër shqetësimin, që këto vende që po zbrazen në panteonin e kulturës së gjallë shqiptare dhe që po mbushin panteonin e kujtesës, duhet bërë çmos që të zëvendësohen me të tjerë”, - tha Rama, duke shtuar se brezat e rinj do ta kenë më të lehtë rrugën, për shkak se ata kanë pika referimi si Agim Qirjaqi e artistë të mëdhenj, të cilët janë ndarë nga jeta përpara tij.

Pengu i Qirjaqit, komedia e refuzuar nga Teatri Kombëtar

alma mile

Kur e kuptoi se kujtesa po e tradhtonte dhe artikulimi po i dobësohej, ai u tërhoq vetë nga skena. Nuk i munguan ofertat, edhe gjatë kohës që qe i sëmurë, por Agim Qirjaqi kishte një imazh për të ruajtur. Ai nuk mund ta zhgënjente publikun, por ama mund të merrej ende me regji. Rreth dy vjet më parë, së bashku me regjisorin Alfred Bualioti, nisën përgatitjet për të vënë në skenën e teatrit një vepër rumune, por që bordi i Teatrit Kombëtar, as që e mori në shqyrtim projektin e paraqitur nga Qirjaqi e Bualioti. “Ky ishte edhe pengu i Agimit. Ju nuk e merrni dot me mend se me sa pasion dhe energji ka punuar ai për këtë shfaqje. Ai ishte i sëmurë dhe puna e bënte të ndihej disi më mirë. Harronte paksa sëmundjen dhe ndihej më i gjallë, i angazhuar”, tregon Bualioti. Vepra për të cilën ata po punonin ishte një komedi rumune, shqipërimi i fundit i përkthyesit dhe satiristit, Dionis Bubani. Bëhej fjalë për komedinë “Dhëndri i mallkuar” i dramaturgut rumun Alexandru Kiricesku, një nga emrat më të njohur të shkollës rumune, së bashku me Karaxhalen e të tjerë komediografë. Dhe vënia e saj në skenë do të ishte një homazh, edhe për një tjetër mjeshtër të penës, siç ishte Dionis Bubani, i ndarë nga jeta disa vite më parë. Bualioti thotë se “Dhëndri i mallkuar” ishte një vepër e këndshme, e cila do t’i kishte dhënë një kënaqësi më shumë Agim Qirjaqit. Dhe Teatri Kombëtar, kaq i detyrohej aktorit, regjisorit e pedagogut, që i dha aq shumë teatrit. Por duket se paska pasur projekte më të mëdha bordi i Teatrit Kombëtar (ndonëse nuk kemi parë ndonjë mrekulli), që nuk denjoi ta merrte fare në shqyrtim veprën e fundit të Agim Qirjaqit. Dhe ky ishte pengu i artistit, që e mori vete, por nëse kanë ndopak ndërgjegje drejtuesit e TK-së, do të jetë për ca kohë edhe pengu i tyre.
Dhe kur ai u largua, në skenën e teatrit, u dha lajmi dhe shfaqja e “Elektrës” të dielën mbrëma iu kushtua aktorit. Por ndoshta për të nderuar Agim Qirjaqin do kishte qenë e udhës që të anulohej ajo shfaqje, edhe pse publiku kishte paguar biletat. Do t’ia kishin bërë hallall kujtimit të Agim Qirjaqit. Në vend të kujës së “Elektrës” do kishte mjaftuar një video-projeksion për të kujtuar aktorin, rolet e mrekullueshme, por edhe njeriun, që edhe i sëmurë, këmbët e çonin tek oborri i teatrit. Por në fund të fundit jeta vazhdon, pavarësisht se skenës dhe filmit do t’i mungojë një nga njerëzit më të mirë.
Roli i fundit
në teatër
Roli i fundit në teatër për Qirjaqin ishte ai i Nardit në dramën “Pjata prej druri” me regji të Gëzim Kames. “Kemi luajtur bashkë në këtë vepër. Ishin momentet e para, kur sëmundja filloi të jepte goditje dhe kjo iu shfaq edhe aty, sidomos në drejtim të dobësimit të memories. Ndonëse ishte në një gjendje jo fort të mirë shëndetësore, edhe aty la një rol me shumë interes”, tregon Ahmet Pasha, i cili në këtë dramë luante rolin e një drejtori azili. Pasha tregon se Agimi, në kulmin e potencialit të vet interpretues dhe krijues, u shqetësua pa masë kur mësoi diagnozën. E ndiente fundin dhe kjo ishte tepër e rëndë për një aktor si ai. “Për hir të së vërtetës e mori me shqetësim, pasi e kuptoi se memoria filloi ta braktiste avash, avash dhe nuk po artikulonte mirë. Dhe një rol që iu propozua pas tij, në një produksion privat, ai bëri vetëm një provë dhe e pa që nuk e çonte dot më tej”, shton Pasha.
Mjeshtria e aktorit
Ndërsa Bualioti dëshiron të kujtojë vetëm kohët e ndritshme në jetën dhe karrierën e Qirjaqit. “Roli më i mrekullueshëm që ai ka realizuar në fillimet e tij ka qenë në dramën ‘Ylli pa emër’, me të cilën mbrojti diplomën. Nuk mund ta imagjinoni sesa i mrekullueshëm që ishte. Nuk mund t’i hiqje asnjë presje. Kjo është vepra më e mirë që ka vënë Mario Ashiku si regjisor. Asokohe donin ta mbanin si asistent pedagog dhe në një nga mbledhjet e famshme të ‘kolektivit’ u thashë të mos e mbyllnin në Akademi, pasi aty do të humbiste, por ta çonin në Teatrin Kombëtar, ku më pas ai dha role të mrekullueshme”, - thotë Bualioti, teksa shton se shumë herë Qirjaqi nuk kishte rol protagonisti, por pa dyshim, ai ishte protagonist me lojën e tij. “Nuk impostohej, nuk bënte përpjekje banale. Ai i drejtohej personazhit, e kërkonte karakterin dhe loja buronte natyrshëm”. Si një njeri që e ka njohur nga afër, Bualioti thotë se pasioni më i madh i tij ishte teatri, ndaj dhe ishte një nga miqtë më të mirë të Festivalit të Butrintit, ku ai nuk mungonte në asnjë edicion, veç atij të fundit. “Dëshira për të qenë afër teatrit, afër së bukurës, por pse jo dhe pranë një shoqërie të mirë, para një pjate me peshk dhe gote vere, e shtynin të vinte në Butrint, edhe pse gjendja e tij shëndetësore nuk ishte fort e mirë. Dy vjet më parë, gjatë rrugës për në Sarandë, ai pësoi edhe një aksident, pasi kura që merrte i shkaktonte përgjumje”, - kujton Bualioti, të cilit do t’i duhej një natë shëndreu”, kur thonë të moshuarit, për të rrëfyer një jetë të tërë kaluar pranë një miku. Dhe psherëtin sërish, sepse ishte ndër të fundit që qëndroi me të, që e pa të digjej prej dëshirës për të krijuar, teksa koha fluturonte e nuk kishte më kthim mbrapa. Që i pa edhe zhgënjimin në sy, kur e refuzuan. Dhe këtë Agim Qirjaqi nuk e meritonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›