E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri grek digjet para ambasadës



Nuk është shuar ende jehona e thirrjeve antishqiptare, që ushtarët grekë bënë në paradën e 25 marsit në Athinë. Studentët nga rrethe të ndryshme të vendit janë bërë protagonistë të protestave, duke i finalizuar ato me djegien e flamurit të shtetit helen.
Reagimi i parë erdhi paraditen e djeshme nga qyteti i Shkodrës, kur nën organizimin e Unionit Studentor u mblodhën në qendër të qytetit një grup i madh të rinjsh. Ata mbanin në duar parulla me shënimin “Shqipëria Etnike”, me të cilat parakaluan deri në sheshin “Luigj Gurakuqi”, aty ku janë të vendosur të gjithë flamujt e shteteve anëtare të NATO-s. Grupi i studentëve ka hequr flamurin e shtetit grek nga rreshti i flamujve të shteteve të tjerë, duke e grisur e më pas i kanë vënë flakën atij në mënyrë demonstrative. Nga autoritetet vendore nuk pati ndonjë reagim, ndërsa më vonë u hoqën edhe flamujt e mbetur, të cilët priteshin të zëvendësoheshin me të tjerë. Më tej, protestuesit kanë hipur nëpër autobusë, në drejtim të kryeqytetit. Rreth mesditës, dhjetëra të rinj nga Universiteti i Tiranës dhe Vlorës janë mbledhur para ambasadës greke në Tiranë. Nën mbikëqyrjen e forcave të rendit, ata kanë vazhduar me thirrjet kombëtare, “O sa mirë me qenë shqiptar” etj., ndërsa mbanin pankarta, ku nuk mungonin fyerjet ndaj Greqisë dhe ushtarëve grekë. Flamuri i dytë grek u dogj para ndërtesës së ambasadës, prej së cilës nuk pati asnjë reagim gjatë kohës së protestës.
Rreth 1 orë më vonë nuk kanë dashur të mbesin pas as studentët e “Aleksandër Xhuvanit” në Durrës. Ka qenë një grup prej 20-25 studentësh, që u mblodh para Pallatit të Kulturës, në shenjë revolte ndaj thirrjeve antishqiptare raciste dhe ksenofobe njëherazi, të një grupi ushtarësh grekë në Athinë. Ata i vunë flakën flamurit të tretë bardheblu. Mirëpo kjo ngjarje nuk është mirëpritur nga qytetarët durrsakë, të cilët e kanë konsideruar si një akt vandal veprimin e studentëve të Universitetit të Durrësit. Qytetarët durrsakë janë shprehur “se veprime të tilla nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë midis dy popujve”. “Ka ikur koha kur digjen flamujt, për më tepër që Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare të Aleancës së Atlantikut”, ishte komenti i dhjetëra dëshmitarëve të rastit. Veç reagimit mbarëshqiptar, ka mbajtur qëndrimin e tij të prerë kundër thirrjeve të trupave speciale të Marinës greke dhe kreu i shtetit helen, Karolos Papulias. Presidenti i Greqisë citohet nga mediat vendëse se ka deklaruar që patriotizmi i vërtetë nuk shprehet me deklarata raciste dhe ekstremiste. Deklarata e Papuliasit është vazhdim i atyre të bëra nga zyrtarë të shtetit fqinj, menjëherë pas publikimit të videove, kur një grup ushtarakësh këndonin gjatë paradës së festës greke, se do të qepnin rroba me lëkurën e shqiptarëve. r.d/o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›