E Diel, 1 Nëntor 2026

Terrorizmi trondit Moskën, 38 viktima nga dy gra kamikaze



Dy sulme terroriste kanë shkaktuar 38 viktima në metrotë e Moskës mëngjesin e djeshëm, në kohën kur mjetet e transportit ishin të mbushur me njerëz që drejtoheshin për në punë. Rreth 64 njerëz të tjerë kanë mbetur të plagosur në sulmin e kryer nga dy gra kamikaze. Shpërthimi i parë ka ndodhur në metropolin rus në stacionin “Lubyanka” në orën 7:56 të mëngjesit, duke shkaktuar 26 të vdekur. Shpërthimi i dytë ka ndodhur pas minuta më pas, në vagonin e tretë të së njëjtës linjë trenash të nëndheshëm, në stacionin “Park Kultury”, në 8:38 të mëngjesit (me orën lokale, ora 5:38 në Shqipëri), duke vrarë 12 persona. Në të njëjtin stacion, forcat ruse të sigurisë kanë gjetur një rrip eksplozivi i cili nuk kishte shpërthyer. Në bazë të filmimeve të telekamerave me qark të mbyllur në metro, është formuar identikiti i personave të përgjegjshëm për këtë ngjarje. Gratë kamikaze kishin tipare sllave. Policia është vënë në kërkim të një burri të veshur me xhaketë blu me viza të bardha, këpucë të bardha, kapele bejsbolli të errët dhe mjekër të hollë. Sot Rusia është në zi. Presidenti Barak Obama ka shprehur solidaritet me viktimat. Kryeministri Vladimir Putin, i cili ka ndërprerë misionin në Siberi për t’u kthyer në Moskë, ka firmosur dekretin për pagesat me 300 mijë rubla (7500 euro) për viktimat, përveç 450 euro për funeralët për familjet e viktimave, 2.500 euro për të plagosurit rëndë dhe mesatarisht 1.250 euro për të plagosurit lehtë. Sipas kreut të shërbimeve sekrete ruse, atentatori mund të jetë nga Kaukazi i veriut. Pas sulmit në Moskë, Policia në Uashington dhe Nju Jork ka dyfishuar patrullat në stacionet e metrove dhe ka përdorur qentë për të kërkuar mbi mundësinë e vendosjes së eksplozivëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›