Dëmshpërblim për udhëtarët e aksidentuar
Komisioni i Ekonomisë miratoi dje edhe projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të palëve të treta në transport, që do të thotë që në rast aksidenti në udhëtim, udhëtarët do të dëmshpërblehen. Projektligji parashikon që në rast se udhëtari humb jetën, atëherë familja e tij përfiton 2 milionë lekë nga kompania e sigurimit dhe në rast se pëson dëmtime të përhershme në trup, që e bëjnë të paaftë për punë, ai dëmshpërblehet me 4 milionë lekë të reja. Pasagjeri i përfshirë në një aksident ose përfituesi në rast kur pasagjeri vdes, ka të drejtë sipas kushteve të kontratës së sigurimit, të kërkojë që shoqëria e sigurimit, me të cilën është lidhur kontrata e sigurimit, të paguajë detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë drejtpërdrejt tek ai. Projekti parashikon që kufiri maksimal i dëmshpërblimit në rast vdekjeje është 50 milionë lekë. Më pas përcakton që për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme, sigurimi shkon deri në 200 milionë lekë; për dëme të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës nga një ngjarje për autobusët dhe kamionët, përfshirë rimorkiot, shoqëria e sigurimit duhet të paguajë 15 milionë lekë; ndërsa për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme shuma që duhet të paguajë shoqëria e sigurimit shkon deri në 20 milionë lekë. Projektligji parashikon sigurimin për pasagjerë të autobusëve urbanë dhe interurban, taksive, mjeteve lundruese, trenave etj. Deputetët e vlerësuan këtë projekt të cilin e cilësuan si të përshtatshëm që ndërmerret në një kohë kur tregu i sigurimeve ka përparuar me shpejtësi dhe kërkohen ndryshime ligjore në përgjigje të këtij zhvillimi, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.
Jo taksë për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje ndryshimin në ligjin e Tatim-Fitimit, që përjashton nga kjo taksë dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Me këtë ndryshim, këto shtesa nuk paguajnë në shtet taksën prej 10 për qind të vlerës të kompensimit që ata përfitojnë nga procesi. Ekspertët e Ministrisë së Financave argumentuan në komision se kjo është një masë lehtësuese për këto shtresa. Nga ky ndryshim përfitojnë edhe bizneset me ortakë. Ligji i mëparshëm parashikonte një diferencim në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një personi rezident, sipas të cilit nuk trajtoheshin dhe nuk merreshin parasysh si të ardhura për efekt tatimi dividentët dhe ndarjet e fitimit, kur ato shpërndaheshin nga shoqëritë e ortakëritë rezidente, subjekte të tatimit mbi fitimin dhe kur subjekti përfitues zotëronte një paketë aksionesh jo më pak se 25 për qind të kapitalit fillestar. Me këtë ndryshim shmanget tatimi i dyfishtë për subjektet përfituese rezidente, të cilat zotërojnë më pak se 25 për qind të kapitalit aksionar apo fillestar të subjektit rezident që shpërndan fitimin e kompanisë.