Buxheti i bashkisë, PS-LSI degradojnë në akuza personale
Në prag të zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, PS-LSI nuk humbën rastin që të shkëmbejnë replika të ashpra me karakter personal dhe politik. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, i mandatuari i Ramës, dhe kryetarja e grupit të këshilltarëve të LSI-së, Monika Kryemadhi, vijuan përplasjet e ditëve të fundit që lidhen me buxhetet e disa bashkive në vend, si Tirana, Korça etj. Në mënyrë demonstrative këshilltarët e LSI-së zgjodhën të komunikojnë me mediat në sheshin “Skënderbej” duke pasur në sfond godinën e Bashkisë së Tiranës. Si fillim, Kryemadhi rezervoi një përgjigje për zëdhënësen e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, duke u shprehur e zhgënjyer. “Jam shumë e zhgënjyer nga deklarata e papërgjegjshme e koleges sime, Mimi Kodheli, e cila në vend që t’i kërkojë kryetarit të bashkisë që të heqë dorë nga kokëfortësia e tij për të mos detajuar projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, ngre akuza bajate sikur ne paskemi hallin e oborrit të Monikës dhe të Ilirit”, - tha Kryemadhi. Ndërkohë që paralajmëroi votën kundër buxhetit, Kryemadhi lëshoi sërish akuza për bashkinë e mori për shembull sheshin “Skënderbej” i cili, sipas saj, në dhjetë vitet e fundit, edhe pse janë dhënë fonde, nuk është rindërtuar asnjëherë. Një orë më vonë, nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi, duke iu referuar sërish çiftit Meta, tha se po e përdorin sheshin për interesa private e personale. “Iliri dhe Monika folën sot nga sheshi “Skënderbej”, duke pranuar hapur se ata nuk duan rregullimin e këtij sheshi, por vetëm nxjerrjen e përfitimit politik për partinë e tyre private. Ja pse Iliri me Monikën së bashku me Saliun e kanë hapur gropën ku duan të varrosin buxhetin e Tiranës”, - tha Shalsi. Madje Shalsi, edhe pse në pozicionin e një nënkryetari bashkie, i dha debatit karakter të fortë politik kur pohoi se muaji qershor do të jetë kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Veç të tjerash, situata dukej e nderë gjatë gjithë paradites së djeshme dhe orëve në vijim. Kryemadhi bëri edhe një herë thirrje që Bashkia e Tiranës të shfrytëzonte dhe ato pak orë që i mbeteshin për të reflektuar mbi kërkesat e paraqitura. “Prandaj jemi sot këtu për t’i kërkuar edhe një herë Bashkisë së Tiranës të marrë parasysh kërkesat e këshilltarëve për projektbuxhetin e 2009-s, sepse ne nuk do të lejojmë që paratë e qytetarëve të Tiranës nuk do të shkojnë për rrush e kumbulla”, - tha Kryemadhi. Mosmarrëveshjet mes dy partive që kanë nisur me ndryshimet kushtetuese e me Kodin Zgjedhor, tanimë janë zhvendosur tek pushteti lokal. Vota kundër e LSI-së rrëzoi buxhetin e Tiranës, ndërsa sinjale të tilla u vunë re edhe në Bashkinë e Korçës. Sa i përket Bashkisë së Lushnjës, socialistët e votuan buxhetin, edhe pse ajo drejtohet nga LSI-ja, por rendën t’i kujtonin LSI-së nderin që i bënë.