E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria të rishqyrtojë punësimin e përkohshëm



Grupi kuvendor i PS-së kërkoi dje të rikthehet për shqyrtim vendimi i qeverisë për punësimin e 1618 punonjësve me kontratë të përkohshme në administratë. Sipas deputetit socialist, Blendi Klosi, ky vendim i miratuar në nisje të fushatës elektorale, vetëm 145 ditë nga dita e votimit, është shumë shqetësues, pasi i jep qeverisë së Sali Berishës mundësinë të punësojë me qëllime të pastra militante, jashtë çdo kriteri të ligjit të shërbimit civil, 1600 militantë të partisë në pushtet. “Ky vendim i qeverisë "në dietë" të Sali Berishës kërkon, që në kundërshti të plotë me atë çka thotë për shkurtime administrative, të paguajë jashtë ligjit të buxhetit për vitin 2009, plot 1600 punonjës shtesë, të cilët në shumicën e tyre do të jenë punonjës për të rritur shërbimet dhe koston administrative”, - deklaroi Klosi. Ai shtoi se ky vendim në mënyrë të habitshme u shton disa ministrive dhe buxhetit të taksapaguesve një numër të konsiderueshëm, mbi 300 punonjës shërbimi, nga të cilët, në mënyrë shumë qesharake, 59 pastruese shtesë në Ministrinë e Bujqësisë apo 57 pastruese shtesë në Ministrinë e Punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›