E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ul taksën e lejeve të ndërtimit



Qeveria tenton të tërheqë sa më shumë investitorë të huaj, duke praktikuar uljen e taksës së lejeve të ndërtimit. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje një ndryshim në taksën lokale të ndikimit në infrastrukturë, e cila përkthehet në miliona euro kursim për investitorët e mëdhenj. Projekti i qeverisë parashikon që investitorët e mëdhenj që investojnë në fusha si energjitika, infrastruktura etj. nuk do të paguajnë në buxhetet lokale më shumë se 0.1 të vlerës së investimit. Ligji i mëparshëm parashikonte që kjo taksë përbënte nga 1 deri në 3% të vlerës së investimit dhe përjashtim bënte vetëm Bashkia e Tiranës, ku kjo taksë varion nga 2 deri në 4 për qind. Duke pasur parasysh investimet me miliona euro, një taksë e tillë bënte që një shumë e konsiderueshme parash të shkonte në buxhetet lokale, duke bërë që të rritej ndjeshëm kostoja. Një element i tillë do të ndikojë që investitorët të kërkojnë më shumë leje në Shqipëri për investime në fusha të ndryshme. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, vlerësoi këtë projekt. Ai shtoi se ky detaj është tepër i rëndësishëm për investitorët që realizojnë projekte gjigande. Spaho u shpreh se ky ndryshim përkthehet në miliona euro kursim për bizneset investuese. Ekspertë të Ministrisë së Ekonomisë shpjeguan se vlera e këtyre taksave është vendosur duke mos pasur parasysh projektet e mëdha në infrastrukturë, siç janë ato në fushën e energjisë apo hidrocentralet. “Vlera e këtyre projekteve është shumë e madhe që shkon deri në 1 miliard euro dhe aplikimi i këtyre taksave do të rriste koston e investimit. Ka projekte që shkojnë 300-400 milionë apo Skavica 600 milionë. Duhet të derdhësh në komunë 40 milionë euro për shembull, që të marrësh lejen e ndërtimit. Në këto kushte, u mendua që të bëhet propozimi për të ulur në këtë kufi dhe për ta bërë për investime të tilla, të shkojë në 0.1 për qind të vlerës", - tha Zamir Stefani, drejtori juridik i Ministrisë së Ekonomisë. Ai tha më tej se kjo taksë rëndonte investitorët edhe për shkakun se investitori në këto projekte paguan tërësisht koston e infrastrukturës, që bëhet e papërdorshme apo që dëmtohet. Projekti në fjalë përfshin vetëm projektet investuese. Të gjitha projektet që destinohen për investim në infrastrukturë, energji, porte, parqe industriale etj. paguajnë këtë taksë të reduktuar, ndërsa ndërtimet e tjera për qëllime private, si pallate banimi apo shtëpi, ndërtime luksi etj. paguajë taksën deri në 4 për qind të vlerës së investimit. Nga ana e saj, opozita nuk pati ndonjë qëndrim kundër ndaj këtij ndryshimi. Ermelinda Meksi, deputetja e vetme e opozitës, tha se opozita do të tentojë ta komentojë në seancë këtë projekt. Ai kërkon që vlera të shkojë të paktën deri në 0.5 për qind. “Derisa e vendosni 0.1 për qind, atëherë më mirë ta heqim fare këtë taksë”, - tha Meksi. Komisioni e kaloi këtë draft në fund të mbledhjes me votën kundër të deputetit Biberaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›