Opozita: Qeveria, asnjë rezultat kundër varfërisë
E majta reagoi dje mbi deklaratën e Kryeministrit për të bërë verifikimin e familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme. PS-ja dhe LSI-ja deklaruan se të nisësh tani një proces të tillë, do të thotë dështim i qeverisë. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tha se me një deklaratë të tillë Kryeministri pohoi se gjatë gjithë qeverisjes së tij shërbimet që ka ofruar nuk u mjaftojnë shqiptarëve. “Dje, Kryeministri Sali Berisha pranoi publikisht se edhe pas 44 muajsh në qeverisje, shqiptarëve nuk u mjafton kafshata e qeverisë së tij për të dalë nga varfëria dhe se shërbimet dhe shërbesat e qeverisë së tij nuk arrijnë te shqiptarët e varfër”, - tha Beqja. Ndërsa kreu i KDK-së në LSI, Edmond Haxhinasto, tha se kjo qeveri nuk e di akoma se një në çdo pesë shqiptarë jeton në nivelin e varfërisë ekstreme dhe se kjo qeveri e ka thelluar hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. “Në katër muajt e fundit të qeverisjes së saj, kjo qeveri nuk e di akoma se llogaritja e minimumit jetik bëhet me nivelet e çmimeve të para pesë viteve, pavarësisht nga rritja e tejskajshme e tyre”, - deklaroi ai.