E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmshpërblimet e Ish-të përndjekurve, Berisha: Opozita po i përdor politikisht

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave deklaroi se qeveria që ai drejton do të bëjë dhe ka bërë gjithcka për përmirësimin e klimës së biznesit.

Sipas tij ngritja e Task Force, uli ndjeshëm procedurat për biznesin, megjithatë sic tha ai, duhet vendosur një standart maksimal për përmirësimin e klimës së biznesit. Ai tha se edhe Zelanda e Re është një hap para Shqipërisë, prandaj këshilloi, “të shohim ku fle burokracia”.

Kryeministri u ndal të theksojë se është përmirësuar edhe procesi i marrjes së lejeve të ndërtimit. Nga 399 ditë tash duhen vetëm 35 ditë për të marrë një leje ndërtimi, sic tha ai dhe për këtë vendosën shqiptarët në 8 Maj.
“Kryetari i Bashkisë i kishte shndërruar në procesin më labirintik dhe të paimagjinueshëm lejet e ndërtimit. Shqipëria ishte në vendin e 188 në botë me rreth 400 ditë për të marrë leje ndërtimi, por shqiptarët ia dhanë përgjigjen në 8 Maj”, tha Berisha.

BERISHA: FURNIZIMIN ME ENERGJI, TË SHPEJTË SI GJERMANIA
Kryeministri Berisha këshilloi kabinetin e tij që të thjeshtohen më tej procedurat e blerjes së energjisë elektrike. Nëse Gjermania e siguron për 17 ditë, Shqipëria sic tha ai, duhet të bëjë të njëjtën gjë, pa u vonuar edhe një orë më shumë.

“Furnizimin me energji e kishim 177 ditë, e zbritëm në 45 ditë. Është i papranueshëm 45 ditëshi. Vende të mëdha si Gjermania e kanë 17 ditë, Shqipëria s’mund ta ketë asnjë orë më shumë se 17 ditë”, tha ai më tej.

Regjistrimi i pronësisë, Zelanda e Re dhe Gjeorgjia e ka dy ditë, Shqipëria 33 dite dhe në Task Force u kalua të shkonte në 13 ditë.

DËMSHPËRBLIMI I ISH TË PËRNDJEKURVE, OPOZITA PO E PËRDOR POLITIKISHT
Kryeministri ndër të tjera deklaroi se procesi për dëmshpërblimin e ish të përndjekjeve do vazhdojë, ndërsa i konsideroi akuzat e opozitës si qesharake.
"Protesta e Partisë Socialiste se me këto ndryshime përfitojnë bashkëpunëtorët e okupacionit, është pa baza. Dua t'u them këtyre zotërinjve se lufta çlirimtare është një trashëgimi e popullit shqiptar. Përpjekja për të pronësuar luftën anti-fashiste çlirimtare është qesharake, veçanërisht nga ata të cilët vazhduan të jenë si vazhdimësi juridike e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe s`kanë kërkuar të falur për ato që kanë ndodhur për 45 vite", theksoi Berisha.

Shqiptarët fitimtarë, vijoi Berisha, u kthyen në të humbur nga një diktaturë e një individi që është quajtur "Hitleri i pasluftës".

Ai siguroi se asnjë ligj nuk ka shkuar dhe nuk do të shkojë në këtë drejtim. "Ata që e përdorin këtë çështje dhe e mendojnë se do të kenë përfitime politike janë të pabesueshëm. Të vetmin dëmshpërblim që ata bënë, ia dhanë nomenklaturës. Ndaj vijoi ai, dhe këto vendime i hapin rrugë një procesi që nuk do ketë të ndërprerë deri ditën e shlyerjes të të gjtiha detyrimve ndaj tyre.

Beisha informoi se sot do të miratohet vendimi për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. "Me këto vendime bëhet e mundur filimi i disbursimit të transhit të dytë, që pritet me të drejtë nga ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të vendit. Disa kategori të tjera janë shtuar, me të drejtë", theksoi kryeministri.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›