E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, privatizimi i Albpetrol, PD: I nevojshëm, PS: Po ia jepni klientëve

TIRANË- Kuvendi ka nisur sot punimet e seancës plenare me shqyrtimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin "Për hidrokarburet", për të cilën opozita është deklaruar se do të votojë kundër.

Në nisje të seancës, deputeti i PS-së Erion Brace ka shtruar disa pyetje në lidhje me prvatizimin e Albpetrol. Brace ka kërkuar që në Kuvend të sqarohen se sa janë përfitimet e kësaj kompanie në 3 vitet e fundit dhe të bëhet transparencë e plotë e procesit të privatizimit.

Shpjegime për privatizimin e Albpetrol kanë kërkuar edhe deputetët Pandeli Majko e Eduard Shalsi. Ministri i Ekonomisë Nasip Naco iu përgjigj deputetëve të majtë se privatizimi është një proces transparent, ndërsa tha se “Nëse disa të dhëna nuk janë të deklaruara është për të ruajtur konfidencialitetin, nuk iu kemi fshehur gjë juve apo shqiptarëve”, shtoi ai. 

Ministri Naco deklaroi se privatizimi i pjesës së mbetur të Albpetrol ishte i nevojshëm, ndërsa opozita ka hedhur akuza se ai po i jepet klientëve të qeverisë.

LUTAJ: QEVERIA PO CON SEKTORIN E NAFTËS TEK KLIENTËT E SAJ
Ora 13:30- Deputeti i PS, Pirro Lutaj deklaroi në Kuvend se nëpërmjet projektligjit që kemi përpara Qeveria po bekon edhe njëherë, dorovitjen e sektorit të naftës, tek klientët e saj.
“Së pari, të drejtat që deri tani i ka shteti dhe prej tyre përfiton shteti, qeveria, nëpërmjet këtij ligji, po ia jep privatit. Së dyti,ndarja e prodhimit e parashikuar në marrveshjet hidrokarbure të lidhura ndërmjet shoqërisë Albptrol dhe shoqërive të tjera të kërkimit, të prodhimit dhe të tregtimit të naftës dhe gazit, do të vazhdojë të kryhet nëpërmjet shoqërisë Albpetrol dhe shoqërive përkatëse.

Lutaj tha më tej se, kjo qeveri nuk do t’i japë naftëtarëve as detyrimin më minimal.“Kjo qeveri sot, nuk ka i mbyllur problemet me naftëtarët. Nuk e ka as në mend e as në plan të merret me ta, përkundrazi, po vazhdon të kujdeset për aktivitetin e shoqërive grabitqare, të cilave ua doroviti vetë, këtë sektor jetik për Ju dhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Unë e kuptoj që ju miqtë e mi naftëtarë kudo që jeni në Ballsh, në Patos, në Marinëz, në Kucovë, në Vlorë, në Berat, etj, jeni mbërthyer sot përpara ekraneve dhe po na ndiqni, me shpresë, se ndoshta bëhet ndonjë gjë edhe për Ju !!! Mos shpresoni, kjo Qeveri e uzurpuar nga kusarët, që fillojnë nga poltronat pas kurrizit tim, deri në magazinën e fundit të sektorit të hidrokarbureve, do të vazhdojë të mos u japë Juve, as detyrimet minimale, pagat mujore, sic ka bërë për gati 2 vjet, e vazhdon ta bëjë edhe tani”, tha ai.

NACO: JA PSE PO E PRIVATIZOJMË ALBPETROL
Ora 12:00- Ministri i Ekonomisë Nasip Naco foli edhe për pjesën e faktori R, për të cilin deputetët e Partisë Socialiste kanë kundërshtuar fortë ndryshimet, me arsyen e lënies së gjithë pasurive të naftës, blerësit privat.
"Albpetrol" duhet të merrte edhe 1% në vit nga gjithë prodhimi faktik në zonën e kontratës, edhe nëse raporti i të ardhurave me shpenzimet është negativ, R është më e vogël se 1%, dhe kur raporti i të ardhurave dhe shpenzimeve nis e bëhet pozitiv, ku R është më e madhe se 1, ku pjesa e "Albpetrol" nis rritjen duke shkuar deri në 5% të prodhimit total", shpjegoi Naço.

Sipas tij, kompania e huaj nga viti 2004 ka shpenzuar 936 milionë usd, ku rreth 554 milionë usd janë shpenzime kapitale, ndërsa diferenca është përdorur për paga, shpenzime operative dhe të ardhurat në total kanë qënë rreth 723 milionë usd.
"Për 8 vjet, faktori R ka arritur nga 0,52 ne 0,77% dhe kushedi sa vite duhen që ai të rritet, kur të ardhurat të kalojnë shpenzimet. Këtë lloj marrëveshje keni bërë në 2004, ndaj kërkojmë që të bëhet privatizimi, me qëllim që t'i japim të drejtat që i takojnë kompanisë", tha Naço.

"Nga viti 2004 deri sot, kompania e huaj ka investuar investuar 900 milionë usd, të ardhurat janë 700 milionë usd dhe në bazë të Faktorit R, nuk është arritur të merrret as 1% dhe jo 5%, sipas marrëveshjes. Për këtë arsye, ne sjellim këtë ndryshim, që të privatizohet pjesa e mbetur e "Albpetrol", sepse ju e keni shitur të gjithë Shqipërinë në 2004 dhe sot themi publikisht se në bazë të ligjit, të shitet kjo pjesë, që të mos abuzohet më me të", tha Naço.

BINO: PROCESI I PRIVATIZIMIT TRANSPARENT
Ora 11:40- Deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Bano theksoi këto ndryshime erdhën në kuadër të procesit të privatizimit të kompanisë Albpetrol, miratuar para 3 muajsh në Kuvend.

Ai shpjegoi se për të ndikuar në suksesin e privatizimit, por edhe në një mirëmenaxhim pa ndërprerje në ecurinë e zonave të përcaktuara në marrëveshjen Albeptrol, është e nevojshme që kësaj shoqërie edhe pas privatizimit ti njihen disa të drejta të veçanta.

Këto ndryshime, theksoi Bano, “synojnë jo vetëm t'i hapin rrugë procesit të privatizimit, por edhe t'a vendosin Albpetrolin në një pozitë konkuruese, të drejtë e të ndershme, kundrejt kompanive të tjera, të cilat kryejnë operacione kërkimi, zhvillimi dhe mbi të gjitha e bëjnë transparent procesin duke sanksionuar faktin se Albpetrol do të ruajë të njëjtat të drejta kontraktuale me shoqërinë e tretë”, shtoi ai.

BRACE: JEPINI PËRGJIGJE PAQARTËSIVE TONA
Ora 11:20- Deputeti Brace ka kërkaur të dije se cilat janë arsyet e privatizimit të Albpetrol. “Sa është sasia e naftës që i përket detyrimit të prodhimit paraekzistues të ndarë që përfiton kompania Albpetrol në vit? Sa është vlera monetare të paktën për tre vitet në vijim? Cila është arsyeja që këto të drejta që deri tani kanë qënë në emër të ministrisë së Ekonomisë do t’i kalojnë privatizuesit të shoqërisë Albpetrol” pyeti deputeti Brace.

NIS SEANCA E KUVENDIT
Ora 11:00- Seanca e sotme plenare filloi me shqyrtimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin "Për hidrokarburet". Në rendin e ditës së seancës së sotme pritet të shqyrtohet dhe pr/ligji "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", si dhe ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor, si dhe ratifikimi i marrëveshjes dypalëshe me Malin e Zi, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Malit të Zi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›