E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimet, protestojnë fermerët e Maliqit

Korçë- Vetëm një ditë pasi Këshilli i Ministrave vendosi dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur në zonën e Nënshkodrës, në një tjetër zonë të vendit të përfshirë nga përmbytjet masive kanë nisur protestat. Rreth 50 fermerë të fushës së Maliqit janë organizuar gjatë mesditës të së enjtes në një protestë pas indiferencës së shtetit, siç shprehen ata, në lidhje me mungesën e dëmshpërblimit.


Fermerët kanë bllokuar aksin nacional Korçë-Pogradec për afro 30 minuta, ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave të rendit për të kthyer në normalitet qarkullimin e shumtë të automjeteve. Disa dhjetëra makina janë pezulluar në lëvizje në të dyja anët e rrugës, ndërsa pritet që protesta të vazhdojë. Mungesa e vëmendjes së shtetit dhe mosdëmshpërblimi i tyre, ka nxitur këta të fundit në një protestë e shoqëruar me parulla të shumta.


Fermerët e dëmtuar nga përmbytjet e tokave të tyre bujqësore të mbjella në vjeshtë, i kërkuan qeverisë të ngrejë një komision për verifikimin e dëmeve dhe të dëmshpërblejë për të mbjellat e tyre të humbura.


Policia ka ndërhyrë për hapjen e rrugës duke larguar fermerët me arsyetimin se protesta është e jashtëligjshme. Pas rreth 30 minutash rruga është hapur, ndërsa fermerët premtuan të rikthehen sërish në protesta të ngjashme, në rast se nuk do të kthehet vëmendja ndaj tyre. Fusha e Maliqit është përmbytur për shkak të reshjeve dhe ujërave të lumit Devoll. Me mijëra hektarë janë ende nën ujë duke shkatërruar të mbjellat e fermerëve të zonës.


Më shumë se 3500 hektarë tokë u përmbytën duke rikthyer edhe njëherë ish-kënetën e famshme të 60 viteve më parë. Mungesa e investimeve, por dhe dëmtimi i një kolektori të lumit Devoll në zonën e Pojanit ka shkaktuar vërshimin e ujërave në tokat bujqësore. Ndërkaq, këto toka të cilat njihen si zona torfike kanë rënë më shumë se 1 metër poshtë nivelit duke e bërë gjendjen edhe më alarmante.


Bordi i Kullimit ka bërë të ditur se qeveria për këto zona të përmbytura ka çelur një fond prej 50 milionë lekësh për të ndërhyrë në to me urgjencë, ndërkohë që do të mendohet gjithçka gjatë stinës së verës, për të mos u përsëritur e njëjta situatë. Megjithë ardhjen e pranverës dhe përmirësimit të kushteve klimatrike të motit, përmbytja vazhdon të jetë evidente në këto toka që përfshijnë zonën e Vreshatsit, Drithasit, Libonikut etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›