Krisma armësh për pronat në kryeqytet

Një person që mendohet se është polic privat në një bankë qëlloi disa herë në ajër, pas një konflikti mes dy grupesh
TIRANË- Një konflikt për çështje pronësie midis tre personash përfundoi dje në përdorimin e armëve, por që nuk shënoi viktima. Konflikti e ka zanafillën në pretendimin e dy personave për pronësinë e tre dyqaneve në qendër të kryeqytetit në zonën e quajtur "Ushtari i Panjohur".
Pikërisht në vendin ku ndodhen tre dyqanet, të cilët nuk janë në funksion ndodhi dje edhe sherri që përfundoi në përdorimin e armës. Pas sherrit me fjalë midis dy personave nga Tirana dhe njërit nga Puka, njëri prej tyre ka qëlluar me tre plumba në ajër, për të trembur personin tjetër që pretendonte edhe ai pronësinë.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 18.00 të pasditës në rrugën "Xhorxh Bush", në prani të shumë personave të tjerë, kalimtarë të rastit dhe punonjës të bizneseve përreth. Menjëherë pas të shtënave me armë është njoftuar policia dhe në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 1 dhe specialistët e zyrës së vrasjeve në Policinë e kryeqytetit.
Uniformat blu, sapo mbërritën në vendin e ngjarjes nisën hetimet për të zbardhur shkakun e konfliktit midis tre personave, të cilët më pas u larguan nga vendi i ngjarjes për t'iu shmangur ndalimit të policisë.
Një nga dëshmitarët e ngjarjes tregoi se sherri midis tre personave ndodhi në një kohë të shkurtër, ku pas shkëmbimit të fjalëve u përdor edhe arma. "Unë po qëndroja i ulur në një nga stolat pranë "Ushtarit të Panjohur", ku dëgjoj një konflikt me fjalë.
Por sherri me fjalë nuk zgjati shumë dhe njëri prej personave qëlloi me armë në ajër. Unë qëndroj vazhdimisht këtu dhe kam dëgjuar shpesh që të ketë konflikte për pronësinë e dyqaneve"- tregon njëri prej personave që ishte prezent në momentet e ngjarjes. Nga të dhënat e policisë mësohet se konflikti ka nisur kohë më parë, për pronësinë e katit të parë të një pallati gjashtë katesh që ndodhet në rrugën "Xhorxh Bush".
Personi që qëlloi me armë pretendon se i takon një përqindje e caktuar e katit të parë të pallatit, ku i njëjti pretendim është edhe nga personi tjetër i përfshirë në konflikt.
Mësohet se për pretendimin e pronësisë ka pasur dhe konflikte të tjera midis personave që u përshinë në konfliktin me armë dje në orët e pasdites. Policia e kryeqytetit mori në pyetje disa prej dëshmitarëve të ngjarjes, të cilët treguan për oficerët e policisë skemën e ngjarjes.
Mësohet se strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës janë vënë në ndjekje të personave që u përfshinë dje në konflikt dhe që njëri prej tyre përdori armën. Ndalimi i tyre pritet të sqarojë shkakun e konfliktit që ka nisur prej shumë kohësh, por që dje u acarua më tej duke shkuar deri në përdorimin e armës. Mësohet se hetimet për këtë ngjarje do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës për konsumim të veprave penale të kanosjes dhe armë mbajtjes pa leje.