E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentët, 30 për qind e autorëve të krimit

Lajmet e inicialeve/ Të rinjtë adoleshentë tashmë janë kthyer në kontigjentë, ku vendin më kryesor e zënë vjedhjet. Prej tyre ka që kanë grabitur edhe vetë familjen e tyre


Pedagogia e psikologjisë, Menada Petro, shprehet se janë disa faktorë që i shtyjnë të rinjtë në rrugën e krimit

DURRËS - Kriminaliteti i llojeve të ndryshme ka prekur edhe masa të të rinjve adoloshentë. Në njoftimet për shtyp që jep shpesh policia janë të shumtë emrat që për etikë jepen vetëm me iniciale, pasi autoret e krimeve ose të vjedhjeve janë adoloshentë. Dhe këto në zhargonin gazetaresk janë etiketuar si "lajme të inicialeve".


Shpeshherë për ngjarje të ndryshme ka raste që raportohen deri 4 apo 5 të ndaluar në këtë moshë që lihen të lirë. Kriminaliteti në të rinjtë duke u nisur nga numri i ngjarjeve të raportuara, përbën në Durres rreth 30 për qind të krimeve në raport me krimet e tjera.


Po krahas vjedhjeve është rritur edhe pjesëmarrja e të rinjve në krime te tjera, sidomos në përdorimin e armëve të zjarrit dhe armëve të tjera të ftohta, sidomos në grindje të ndryshme në grupe, që ka bërë që edhe kjo kategori krimi të jetë e përhapur. Vrasjet në Durrës në gjirin e adoloshentëve nuk kanë qenë të pakta.


Kronikat e zeza janë mbushur disa herë me vrasje ku protagoniste kanë qenë adoleshentë. Në një njoftim jepet versioni se si një adoloshent ka vjedhur deri babanë e tij. Policia njofton se këtë e ka bërë C.T., i datëlindjes 23.12.1992, lindur e banues në Bushnesh Krujë, me arsim 8 klasë.


Për të dyshohet se gjatë orëve të natës të datës 12.03.2010, në bashkëpunim me një tjetër kanë vjedhur në banesën e shtetasit L.T. (që është edhe babai i shtetasit C.T.) një gjenerator elektrik me vlerë 80 000 lekë.


Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua gjeneratori i vjedhur të cilin shtetasit e mësipërm e kishin shitur në Mamurras. Gjithashtu policia njoftoi se pak ditë më parë kishin bërë të mundur goditjen e një grupi të rinjsh që ushtronte aktivitet kryesisht në drejtim të vjedhjes me thyerje të banesave.


Lidhur me këtë dukuri të përhapjes së krimit në moshat e adoleshencës, pedagogia e Psikologjisë në universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, Menada Petro, shprehet se adoleshenca është mosha delikate e të rinjve, stadi në të cilin ata mendojnë se dinë gjithçka, nuk durojnë dhe s'duan të japin llogari për asgjë, mendojnë se gjithçka mund të zgjidhet përmes forcës dhe kur egoizmi është në një shkallë të lartë.


Por sipas Petros, është pikërisht kjo moshë kur ata kanë më tepër nevojë të mbahen pranë dhe t'u dhurohet shumë dashuri.


Petro thotë se një tjetër shkak është fakti që në një shoqëri që ndryshon dhe që vrapon drejt zhvillimit, ndodh që prindërit po lënë pas dore dhe dalëngadalë po harrojnë detyrimet prindërore. Duke dashur që të sigurojnë sa më shumë të ardhura nën pretendimin që fëmijëve të mos u mungojë asgjë, prindërit po harrojnë se duhet të kalojnë më shumë kohë fizike me fëmijët e tyre.


"Në një shoqëri ku vlera e parasë sa vjen e shtohet, ku diferencimet të ardhur-vendas, të pasur - të varfër bëhen gjithnjë e më të mëdha, ku roli i lojërave të fatit dhe modelet negative të servirura janë në lulëzimin e tyre, nuk mund të pretendojmë që të mos kenë ndikimin e tyre tek të rinjtë", shprehet Petro.


Ajo vijon se më të rrezikuar janë të rinjtë të cilët kanë braktisur shkollat dhe nuk janë në marrëdhënie pune. Kjo ndodh pasi koha e tyre s'është e planifikuar dhe as e zënë me gjëra të dobishme për ta, çka i shtyn drejt jetës së rrugës.


Lidhur me të rinjtë e përfshirë në krime, pedagogia e psikologjisë thotë se ata kanë tipare të njëjta sociale.


Aty ndikon fuqishëm edhe psikologjia e grupit, çka nënkupton se nëse dikush nuk është dakord për kryerjen e një veprimi që më pas mund të denigrojë në krim, ekziston rreziku që të shihet ndryshe nga të tjerët dhe një gjë e tillë e tremb shumë atë.


Veset e ndryshme, ku mund të përmenden droga, alkooli, bixhozi, nevoja për sigurimin e parave për to shumë herë i drejton të rinjtë drejt rrugës së krimit. Petro gjithashtu vlerëson edhe rolin e medias tek të rinjtë. "Rinia e sotme është e rrethuar nga modele dhe informacione negative, ndërsa janë lënë në hije lajmet apo filmat apo shfaqje të ndryshme ku ngrihen modelet pozitive, - thotë psikologia.


- Kështu, për efekte të ekonomisë së tregut, ku i kushtohet shumë rëndësi të bërit "shou", pa dashje kemi përcjellë mesazhe negative, duke dëmtuar vlerat e një rinie në zhvillim dhe duke e ushqyer atë me të keqen.


Nëpër gazeta apo emisione lajmesh gjejmë shumë tituj ku të rinjtë vrasin të moshuarit, të rinjtë grabisin, përdhunojnë, arratisen dhe pothuajse asnjëherë apo në mënyrë sporadike ka lajme ku të rinjve t'u bëhet jehonë të ndjekin shkollën, të fitojnë bursa apo të studiojnë jashtë duke u bërë personalitete të njohura", përmbyll pedagogia Menada Petro.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›