"Trafikanti", keqtrajtoi studenten që të prostituonte
Prokuroria e Tiranës mbyll hetimin për Ardian Mërtirin e akuzuar për shfrytëzim femrash në Gjermani
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, katër muaj pas ekstradimit nga Holanda të shtetasit shqiptar Adrian Mertiraj, përfundon fazën hetimore dhe dorëzon pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të tij si i pandehur për kryerjen e veprës penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese".
Ky lajm konfirmohet nga burimet e organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, kancelaria e së cilës me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Arben Micko për gjykimin e çështjes. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri 41 vjeçar Mertiraj është kallëzuar penalisht nga shtetasja me inicialet E.H. në gusht të vitit 2007, pasi për tre vite e kishte detyruar të "prostituojë" në Gjermanis.
Pas këtij kallëzimi, policia shqiptare me urdhër të prokurorisë së kryeqytetit e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 41- vjeçarin Mertiraj i cili më 13 gusht 2008 është arrestuar nga autoritetet e policisë Holandeze, të cilët vendosen deportimin e tij në Shqipëri më 13 nëntor 2009, aty rreth orës 15:30.
Ekstradimi i tij, mësohet se është bërë për llogari të shtetit shqiptar, pasi me vendimin nr. 1202 të datës 15 dhjetor 2007 ndaj të pandehurit Mertiraj ishte caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" në munges për kryerjen e veprës penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese".
Sipas prokurorisë, i pandehuri Mertiraj në pranverën e vitit 2004, është njohur me shtetasen E.H., e cila kishte ardhur në Tiranë dhe jetonte në Qytetin Studenti. Pas njohjes mes tyre, i pandehuri i ka premtuar vajzës se do ta merrte në Gjermani. Pas këtij premtimi, shtetasja E.H. ka pranuar duke u pajisur edhe me garancinë e ardhur nga Gjermania nga shtetasja gjermane Krista R., e cila ishte bashkëshortja e të pandehurit në Gjermani.
Pasi është pajisur me vizë vajza është nisur për në Gjermani, ku është pritur atje nga i pandehuri që e ka sistemuar në një hotel. Me kalimin e kohës, sipas dosjes, i pandehuri i ka kërkuar vajzës të prostituojë, por kjo kërkesë është hasur në kundërshtim nga e dëmtuara e cila është bërë pre e dhunës së tij.
Që nga ajo kohë e në vazhdim e dëmtuara është detyruar me forcë të ushtrojë prostitucion nën ndikimin e dhunës çnjerëzore të të pandehurit. Në gusht 2007, e dëmtuara është shtruar në urgjencën e spitalit të Essen të Gjermanisë pasi ishte rrahur egërsisht nga i pandehuri. Më pas e ndihmuar nga shtetas kosovarë, vajza ka mundur të largohet nga "tutori" duke u kthyer në Shqipëri ku edhe ka bërë kallëzimin penal.
***************
Operacioni
Arrestohet i akuzuari për tentativë vrasjeje
TIRANË- Një person i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë dhe armë mbajtje pa leje u arrestua nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Policinë e Tiranës. Nga të dhënat e Policisë mësohet se i arrestuari quhet Sajmir Binjaku, 36 vjeç, i cili u ndalua dy ditë më parë në rrugën e "Durrësit", në një shtëpi që ishte marrë me qera nga ky i fundit.
Ngjarja për të cilën akuzohet Binjaku ka ndodhur rreth një vit më parë, ku ky i fundit ka kërcënuar me armën tip pistoletë një femër me të cilën ai kishte bashkëjetuar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Shtërmen të Elbasanit në mars të vitit 2009, ku ka kërcënuar me pistoletën tip "TT", M. Kovaçin me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh.
Nga të dhënat e Policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjareve të gruas që bashkëjetonte me Binjakun dhe ky i fundit mësohet se ka kërcënuar edhe këta të fundit. Pas kësaj ngjarjeje Binjaku ishte shpallur në kërkim dhe arrestimi i tij u bë dje në kryeqytet dhe ndaj tij rëndojnë dy akuza, ajo e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.
Pas informacioneve për vendndodhjen e tij policia e ka prangosur Sajmir Binjakun, i cili duhet të dalë para gjykatës për akuzat e ngritura ndaj tij. Nga të dhënat e Policisë mësohet se i arrestuari është person me precedentë të mëparshëm penale, pasi është arrestuar disa raste nga Policia.