E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 3 policëve, vidhnin pjesët e mjeteve të bllokuara

SHKB-ja prej disa muajsh hetonte policët e arrestuar gjatë ditës së djeshme me akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës


TIRANË- Tre punonjës të Komisariatit të Policisë së Vlorës, u arrestuan dje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), të cilët akuzohen për vjedhje nëpërmjet shpërdorur detyrën.


Efektivët, Musa Nushi, 59 vjeç, Çobo Sakaj, 45 vjeç dhe Muhamet Sulejmani, 43 vjeç të tre policë të ruajtjes së objekteve në Komisariatin e Vlorës u prangosën pas një hetimi katër mujor ndaj tyre.


Lajmi u bë i ditur dje nga Ministria e Brendshme në një komunikim zyrtar të saj, sipas të cilës të arrestuarit, dyshohet se janë përfshirë në vjedhjen e pjesëve të këmbimit të automjeteve të bllokuara nga policia, dhe që ndodheshin në pikat e bllokimit të saj. Veprime të tilla, bëheshin me qëllim për t'i shitur pjesët e këmbimit të mjeteve të vjedhura, personave të tretë për të cilët ata kishin nevojë.


Për personat e akuzuar, prokuroria e Vlorës më parë kishte siguruar vendimet e arrestit me burg të dhëna nga Gjykata e Vlorës, po gjatë ditës së djeshme mbi bazën e provave të siguruara nga hetimi disa mujor.


Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit kryenin funksionin e trupës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve në Komisariatin Policisë së Vlorës, ose siç njihen ndryshe edhe si policë objektesh në këtë vend shërbimi.


Hetimi ndaj të dyshuarve, mësohet se ka nisur pas ankesave të ndryshme për mjetet e bllokuara nga policia, prej pronarëve të ndryshëm të tyre. Sipas ankesave të dëmtuarve, në momentin kur janë bllokuar mjetet shkonin të rregullta.


Kur vinte momenti që ato të zhbllokoheshin mjetet ishin të shpërfytyruara, ku iu mungonin pjesë të ndryshme. Pas këtyre informacioneve SHKB-ja, ka nisur verifikimet konkrete në terren, duke marrë informacione konkrete.


Hetimi i Kontrollit të Brendshëm, mësohet se ka dokumentuar më shumë se 10-të raste të vjedhjeve të pjesëve të makinave që dyshohet se bëheshin nga tre punonjësit që janë vënë nën akuzë.


Sipas të dhënave zyrtare të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, ndaj Nushit, Sakajt dhe Sulejmanit, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur po dje masën e sigurisë arrest në burg pa afat dhe akuzohen për veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.


Gjykata vendosi t'i lërë në burg policët gjatë kohës që ndaj tyre do të hetohet edhe për raste të tjera që dyshohet se janë të implikuar tre efektivat e policisë. Mësohet se vjedhjet e pjesëve të këmbimit të automjeteve tre të arrestuarit i kryenin gjatë kohës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve nga Policia e Vlorës.


Efektivat që u prangosen dje janë marrë në pyetje nga kolegët e tyre për mekanizmin që përdornin për të vjedhur pjesë të automjeteve të sekuestruara.


Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Vlorës kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht skemën e vjedhjes së pjesëve të makinave, si dhe për të zbuluar destinacionin e pjesëve që merreshin nga makinat me qëllim për t'u shitur. Ndërkohë hetime mësohet se po hetohet nëse ka punonjës të tjerë të Komisariatit të Policisë së Vlorës të përfshirë në këtë vjedhje.


Në muajin janar të këtij viti nëntë punonjës të Komisariatit të Policisë Rrugore në Fier u arrestuan nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për veprën penale të mitmarrjes. SHKB-ja arrestoi efektivat e policisë rrugore, me akuzën e korrupsionit pasiv, ndërkohë që tetë të tjerë u ndoqen në gjendje të lirë po për të njëjtën akuzë.


Të arrestuarit

Musa Nushi, 59 vjeç
Çobo Sakaj, 45 vjeç
Muhamet Sulejmani, 43 vjeç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›