Vlorë, Apeli vendos kryetarin e këshillit bashkiak

VENDIMI/ Këshilli Bashkiak i Vlorës u drejtua për një kohë me dy kryetarë, ndërsa më pas u çua në gjykatë
Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Dytë kreu i është lënë përfaqësuesit të PS-së, Kujtim Sulçe
VLORË - Pas një serie të gjatë debatesh e seancash gjyqësore në lidhje me emrin e kryetarit të këshillit bashkiak të Vlorës, Gjykata e Apelit ka vendosur përfundimisht që në krye të këshillit të jetë përfaqësuesi i PS-së, Kujtim Sulçe.
Apeli ka përmbysur vendimin e gjykatës së shkallës së parë Vlorë, e cila i dha të drejtën e drejtimit përfaqësuesit të LSI-së, Arben Sinani. Vendimi është marrë dje në Gjykatën e Apelit në Vlorë nga treshja e gjyqtarëve Ibule Bezati, Vasil Hanxhari dhe Alma Liçaj.
Ai është i formës së prerë duke i kaluar stafetën e drejtimit Sulçes së PS-së. Pas seancës së djeshme Sulçe, që është edhe kryetar i grupit socialist në këshillin bashkiak të Vlorës, u shpreh: "Kjo nuk është një çështje që thjesht e fitova unë, por fitoi drejtësia.
Të jem i sinqertë, vijoja të besoja tek drejtësia, sepse duke qenë se ligji problemet i zgjidh me votën e lirë dhe duke ditur se ka një ligj apostafat për funksionimin e pushtetit vendor, edhe veprimtaria e këshillit lidhet po me këtë ligj.
Ne kemi besim te ligjet dhe respekt për to. Në mbledhjen e disa muajve më parë është shkarkuar kryetari dhe u votua për kryetarin e ri. Në këto kushte, ne kemi këmbëngulur dhe në shkallën e parë, që nuk është në kompetencën e prefekturës që ta gjykojë atë. Prefekti duke qenë jo përfaqësues i shtetit, por përfaqësues i PD-së, e çoi këtë çështje në gjykatë.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit Vlorë janë shprehur se ky është një vendim politik dhe u fitua nga Arben Sinani. Në shkallën e dytë, pra në apel, u gjykua dhe u dha drejtësi. Me 71 vota formohet qeveria dhe rrëzohet po qeveria, dhe jo më një drejtues i këshilit bashkiak. Kjo është çështje e numrave, ai që ka numrat formon dhe rrëzon kryetarin".
Ndërsa i kontaktuar kryetari aktual i këshillit bashkiak, Arben Sinani, u shpreh se "nuk kam dijeni për këtë çështje, sepse kjo çështje është institucionale dhe përfaqësohet nga prefektura. Unë nuk kam marrë asnjëherë pjesë në gjykatë. Kur të njihem mirë me situatën, atëherë mund të shprehem".
Pasi është votuar për heqjen e kryetarit Sinani, në mbledhjet e këshillit bashkiak nuk kanë munguar edhe seancat, ku në panelin e drejtimit janë ulur jo një, por dy kryetarë, Sinani i LSI-së dhe Sulçe i PS-së. Ndaj përfaqësuesit të LSI-së u kërkua mocion mosbesimi për shkak se ai kishte braktisur dy herë radhazi mbledhjet e këshillit, procedurë e cila u votua në këshill.
Në mbledhjen paraardhëse këshilli bashkiak i Vlorës është drejtuar nga përfaqësuesi i LSI-së, Arben Sinani, pasi gjykata e faktit i dha atij të drejtën e drejtimit të këshillit. Ka qenë Gjykata e Apelit që ka ndryshuar vendimin, duke I lënë drejtimin e këshillit Kujtim Sulçe, të PS. Çështja e kryetarit të këshillit është diskutuar qysh prej muajit shtator të vitit të kaluar, kur me votim është bërë rrëzimi i kryetarit Sinani, çështje e cila më pas u zgjidh nëpërmjet gjykatës.