Dëmshpërblimet, qeveria miraton ngritjen e grupeve të punës
Vendimi
Berisha: Do të vlerësojmë çdo dëm, nga shtëpitë te kafshët
Qeveria miratoi dje vendimin për ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Duke e vlerësuar si një vendim që hap dritën jeshile për një proces shumë të rëndësishëm që do të bazohet mbi të dhëna të ndershme, reale e transparente, Kryeministri Berisha theksoi se përmes tij përcaktohet mënyra e ngritjes së grupeve të punës, vlerësimi i dëmeve, por edhe mënyrat e përballimit nga ana financiare e dëmshpërblimit të tyre. Kryeministri tha se grupet e punës do të jenë të përbëra nga specialistë qendrorë nga Ministria e Punëve Publike, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe ALUIZNI, por dhe nga specialistë vendorë. Këto grupe do të udhëhiqen nga këshilli i qarkut përkatës, por një rol të veçantë do të luajë edhe komiteti ndërministror i emergjencës civile. Berisha theksoi se në bazë të këtij vendimi do të bëhet vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në ndërtesa, në të mbjella, në gjënë e gjallë e bazën ushqimore të tyre. Kreu i qeverisë sqaroi se ky vendim përcakton dhe mënyrat e përballimit nga ana financiare të dëmshpërblimit të të gjitha këtyre dëmeve.
#