E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Shkodrës: Nuk kemi ende vlerësim paraprak të dëmit

Deklarata
Maxhid Cungu thotë se priten vendimet e qeverisë për të nisur punën verifikuese në terren

Në zonat e përmbytura të Nënshkodrës situata është drejt përmirësimit. Uji po tërhiqet gjithnjë e më shumë, duke lënë nën pushtetin e tij më pak se pesëmijë hektarë tokë. Tashmë puna e shtabit të emergjencës po përqendrohet në riparimin e argjinaturave dhe dërgimin e ushqimeve, ndërkohë që pritet vendimi i Këshillit të Ministrave për të zbritur dhe ekspertët në terren. Duke folur për “Shqip”, prefekti i Qarkut Shkodër dhe njëkohësisht kryetar i shtabit të emergjencës në Shkodër, Maxhid Cungu, thotë se po mbahen kontakte me komunat dhe situata është nën kontroll.
Ai sqaron se tashëm pritet kuadri ligjor që të nisë puna e ekspertëve në terren dhe nisja e procesit të dëmshpërblimeve. “Verifikimi i dëmit do të bëhet shumë shpejt. Pritet kuadri ligjor që dihet se kërkon një vendim qeverie dhe menjëherë ekspertët do të shkojnë në çdo shtëpi dhe do bëhet një vlerësim real, pa abuzuar, i të gjitha dëmeve të shkaktuara nga uji. Do të na ndihmojë shumë fotografimi satelitor, ku do shohim ecurinë e përmbytjes nga dita në ditë. Ndërkaq do të na ndihmojë edhe fakti se komunat kanë të regjistruar të gjitha bagëtitë, duke na ndihmuar në vlerësimin e dëmit real”, thotë kreu i prefekturës.
Ndërkaq, ai shton se për momentin shtabi i emergjencave po merret me dërgimin e ushqimeve dhe ndihmave për banorët e zonave të përmbytura. Prefekti Cungu thekson se aktualisht në bazë të detyrave të përcaktuara nga Komiteti Ndërministror, strukturat e Forcave të Armatosura të Komunës Velipojë dhe Bordit të Kullimit po punojnë për riparimin dhe mbushjen me çakëll e gurë të rrugës për në argjinaturën e çasit. Ndërkohë që ka vijuar puna për riparimin dhe mbushjen e argjinaturës së Dajçit në Samrisht, Daragjat, Shirq dhe Marinaj.
Ndërsa për problemet ekologjike që po kërcënojnë banorët dhe tokat e përmbytura, prefekti thotë se ekspertët e shëndetit parësor janë duke verifikuar dhe ndërhyrë në rast konstatimi të situatave të tilla. “Po bëhet klorinimi i ujit të pijshëm dhe analizat janë bërë disa herë gjatë ditës, me qëllim që ta kemi situatën nën kontroll”, thotë kreu i prefekturës.
Prefekti pranon se ende nuk ka vlerësim paraprak të dëmit. “Vetëm kur ekspertët të verifikojnë dëmet e shkaktuara, atëherë mund të flasim për shifrat e dëmit”, thotë Cungu. Sakaq mësohet se struktura e komisionit ndërministror të emergjencës civile vazhdon me të njëjtin intensitet punën, pavarësisht se uji po tërhiqet dhe do të vazhdojnë punën deri në normalizimin e plotë të situatës në gjithë zonën e prekur nga përmbytjet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›