Tiranë, digjen një ndërtesë trekatëshe dhe një makinë
Policia nis hetimet për zbardhjen e shkaqeve
Zjarret në Tiranë kanë shkatërruar një ndërtesë trekatëshe dhe një makinë. Në banesë nuk ka pasur njeri dhe kjo ka bërë që edhe njoftimi për djegien e saj të jepet shumë vonë. Ndërsa mjeti, i cili është djegur gjatë natës, ishte parkuar pranë një pallati dhe ende nuk dihen shkaqet që kanë sjellë flakët në të. Burimet policore shpjeguan se dje në mesditë, rreth orës 12:00, në Rrugën e Dibrës, pranë Alliasit, ka rënë zjarr një godinë trekatëshe. Fillimisht, zjarri nuk është vënë re, por kur tymi i zi ka dalë në hapësirë, menjëherë është njoftuar zjarrfikësja dhe policia. Sipas të dhënave, për të mbërritur në vendin e ngjarjes, edhe për shkak të trafikut, zjarrfikësve u është dashur shumë kohë. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, dy zjarrfikëse kanë bërë shuarjen e flakëve, por tepër vonë. Sipas dëshmitarëve, godina trekatëshe, është shkatërruar plotësisht. Policia deklaroi se ajo nuk banohej nga njeri momentalisht dhe ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Burimet nga Komisariati nr. 4, që ka nën juridiksion zonën ku ra zjarri, kanë ngritur një grup hetimor po heton në lidhje me shkaqet e rënies së zjarrit, që mund të ketë qenë edhe i qëllimshëm. Ndërkaq, një tjetër zjarr ka rënë dje, në orët e para të mëngjesit. Një makinë me targa të huaja është djegur plotësisht, ndërkohë që zjarrfikëset nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ta shpëtuar në kohën kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Zjarri ka rënë në makinë rreth orës 02:45 dhe vetëm pak minuta më vonë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur një makinë e patrullës policore. Në atë kohë është njoftuar edhe zjarrfikësja, e cila ka vonuar pothuajse një orë për të mbërritur. Nga ana tjetër, banorët e pallatit, pranë rrugës “Ali Demi” kanë qenë në panik për minuta të tëra, pasi ndodhnin edhe disa shpërthime të vogla. Madje, nga nxehtësia e çliruar është djegur pjesërisht edhe një mjet tjetër i parkuar pranë mjetit, ku filloi zjarri. Dje në mëngjes, uniformat blu kanë nisur hetimet për shkaqet e rënies së zjarrit në mjetin luksoz, por që ende nuk është përcaktuar qartë pista kryesore e hetimit.
#