Gjeneral Agim Shehu: Sokol Bizhgësi rrezikohej jeta në Vlorë, iku në Sarandë
Qafë-Gjashta
Dëshmon ish-drejtori i Policisë së Shtetit: Urdhërova ringritjen e komisariatit
Ish-drejtori i Policisë së Shtetit në vitin 1997, Agim Shehu, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor të ashtuquajtur masakra e “Qafë-Gjashtës”, ku humbi jetën një punonjës policie dhe dy të tjerë u plagosën. “Gjenerali” ka pranuar se ka urdhëruar ish-shefin e policisë kriminale në Vlorë, Sokol Bizhga, për të ringritur Komisariatin e Policisë së Sarandës. “Bizhga ishte shef i policisë kriminale në qytetin bregdetar u dërgua në Sarandë, pasi i rrezikohej jeta në Vlorë dhe iu dha nga unë detyra për të marrë në dorë Komisariatin e Sarandës. Iku me dëshirën e tij”, pohoi Agim Shehu, duke rrëfyer detaje të bisedës telefonike të zhvilluar me Bizhgën para dhe pas mbërritjes së tij. Pasi kishte mësuar në telefon se komisariati nuk mund të ngrihej, Agim Shehu i kishte bërë me dije Bizhgës të qëndronte në Sarandë. Nëse kishte njerëz ku mund të mbështetej, të qëndronte aty, në të kundërt të kthehej në Tiranë. Në lidhje me ngjarjen e rëndë, ish-zv/ministri i Brendshëm tha se e ka mësuar në rrugë jozyrtare lajmin, se një funksionar policie kishte mbetur i vrarë në “Qafë-Gjashtë”. Më poshtë po botojmë dëshminë e pjesshme të Agim Shehut dhënë para gjykatës dhe përgjigjet e pyetjeve të prokurorit Adnan Xholi.
Dëshmia e Agim Shehut
Në vitin 1997 kam qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendësministër i Brendshëm. Ngjarja ka ndodhur në fillim të muajit mars të vitit ‘97 dhe shefi i policisë kriminale të Vlorës, Sokol Bizhga, së bashku me Gjergj Mehmetin janë ndodhur në Sarandë. Duke qenë se shefi i Komisariatit të Vlorës mungonte Sokol Bizhga për shkak të rrezikshmërisë që i kanosej në Vlorë më kërkoi leje për t’u larguar në Sarandë, ku kishte edhe disa të afërm të tij. Unë i dhashë leje dhe meqë po shkonte në Sarandë i kërkova që të njihej me gjendjen atje dhe të punonte për riorganizimin e Komisariatit të Sarandës, i cili ishte jo funksional. Kur arritën në Sarandë Bizhga më telefonoi dhe më tregoi për gjendjen në komisariat dhe në bazën detare të Sarandës. Në përfundim Bizhga më tha se ishte e pamundur të organizohej komisariati për shkak të zhvillimeve që kishin ndodhur atje dhe unë e lashë të zgjidhte nëse do të qëndronte në Sarandë në baza të sigurta apo do të kthehej në Vlorë. Madje, i rekomandova edhe vendet se ku mund të qëndronte në Sarandë dhe të ishte i sigurt. Nuk pata më kontakte me të, por vonë pasdite nga burime jo policore mora vesh se në Qafë-Gjashtë, ishte vrarë një person dhe mendohej se i përkiste institucioneve të sigurisë publike, pra mund të ishte i SHIK-ut ose i policisë. Por nuk dihej se kush ishte. Tentuam të ndërhynim për të marrë vesh, por kjo gjë nuk funksionoi, sepse nuk mund të shkonte dot njeri, pasi rruga ishte e bllokuar nga njerëz të armatosur. Vonë mësuam se çfarë kishte ndodhur, kur shefi i policisë së Gjirokastrës kishte shkuar në Gjirokastër. Ai i kishte shpëtuar një prite në Qafë-Gjashtë dhe personi i vrarë ishte Gjergj Mehmeti. Komunikova me shefin e policisë së Gjirokastrës dhe i thashë që të gjenin Bizhgën dhe ta ndihmonte për të ardhur në Tiranë. Kur Bizhga u kthye në Tiranë kërkova hapjen e një dosjeje hetimore. Bizhga dha një dëshmi gojore dhe tha se u godit për shkak të detyrës dhe se nuk ka pasur konflikt me asnjë person në Sarandë. Ditën e ngjarjes kam komunikuar me Bizhgën rreth orës 11 të paradites, ndërsa informacioni i saktë për ngjarjen është marrë të nesërmen dhe jo atë ditë. Bizhga e ka treguar ngjarjen shkurtimisht para meje dhe kolegëve të mi. Ai ka më ka thënë: Pasi nuk bëmë dot riorganizimin e Komisariatit të Sarandës u detyruam që të ktheheshim në Vlorë. Dhe në Qafë-Gjashtë afër një centrali na dolën përpara në pritë njerëz të armatosur, të cilët hapën zjarr duke e ditur që ne ishim oficer policie. Vetë Bizhga i kishte komunikuar që ishte shef i policisë kriminale të Vlorës dhe që nuk kishte asgjë me ata. Por këta persona kanë hapur menjëherë zjarr dhe Bizhga është plagosur në këmbë ndërsa të tjerët që ishin në makinë janë shpërndarë në drejtime të paditura. Bizhga nuk më ka thënë gjë për emrat e autorëve të ngjarjes, ndërsa ato që mësuam më vonë për ngjarjen janë hedhur në një fletë të bardhë që i ka shërbyer procesit deri tani. Unë kam qenë me detyrë drejtor i përgjithshëm i policisë dhe në atë kohë kam urdhëruar policinë kriminale që të hapte një dosje hetimore për masakrën e Qafë-Gjashtës, por nuk ishte detyra ime që të kontrolloja dhe ndiqja vijueshmërinë e saj. Në rrugën e vajtjes së tyre për në Sarandë nuk kam pasur informacione se janë penguar nga njerëz të armatosur, pra gjatë bisedës në tel me Bizhgën nuk më është raportuar një fakt i tillë. Për sa i përket faktit nëse kanë qenë të veshur me uniformë apo civilë kur kanë shkuar për në Sarandë, dua të them se shefi i policisë kriminale, pra Bizhga nuk mban uniformë. Vendimi nëse do të kthehej në Vlorë apo të qëndronte në Sarandë i përkiste vetë Sokol Bizhgës, dhe ai vendosi që të kthehej për të mos lënë vetëm kolegët që e shoqëruan dhe pasi mjedisi në Sarandë ishte i papërshtatshëm.
#